E Shtunë, 31 Tetor 2026

Celibashi: KQZ duhet të argumentonte votat tepër

Ish-kryetari i KQZ-së: “Të thuash se këto janë rrjedhojë e gabimit njerëzor, pa shpjeguar cilit gabim njerëzor, nuk ke thënë asgjë, nuk ke dhënë përgjigje për këtë pyetje”

TIRANË Ish-kryetari KQZ-së, Ilirian Celibashi, deklaroi dje se Kolegji Zgjedhor duhet të kishte marrë parasysh kërkesën ankimore të PS-së për mospërputhje të votave dhe listës së zgjedhësve që kanë votuar. Celibashi theksoi gjithashtu se një përgjigje për këtë fenomen duhet të kishte ardhur edhe nga KQZ-ja. “Bindja ime është që kjo mospërputhje e të dhënave të tabelës përmbledhëse të rezultateve për kryetar bashkie në Tiranë në kushtet kur diferenca midis dy kandidatëve është mjaft e ngushtë mendoj që i jep të drejtën Kolegjit Zgjedhor apo i kishte dhënë të drejtën edhe detyrimin KQZ-së t’i jepte një përgjigje këtyre mospërputhjeve. Sepse nëse t’i thua që këto mospërputhje janë për shkak të gabimeve njerëzore, kjo nuk është e mjaftueshme sepse ty do të duhet ta shpjegosh kush është ky gabim njerëzor që ka sjellë këtë mospërputhje. Nëse rezulton që kjo mospërputhje është rrjedhojë e një gabimi njerëzor, atëherë edhe nëse diferenca ndërmjet dy kandidatëve do të ishte akoma më e ngushtë, e rendit të 1 vote, le të themi dhe këto mospërputhje do të ishin të disa mijëra votave, përsëri nuk do kishte asnjë lloj problemi. Është e domosdoshme që për shkaqe ligjore të shpjegohet qartë edhe në mënyrë të plotë e përfundimtare se përse është kjo mospërputhje ndërmjet shifrave që rezultojnë në tabelën përmbledhëse të rezultateve”, - tha dje Celibashi në një intervistë për “TCH”. Për ish-kryetarin e KQZ-së, të thuash se është gabim njerëzor, nuk ke thënë asgjë. “Të thuash se këto janë rrjedhojë e gabimit njerëzor, pa shpjeguar cilit gabim njerëzor, nuk ke thënë asgjë, nuk ke dhënë përgjigje për këtë pyetje. Mospërputhja e të dhënave në tabelën përmbledhëse të rezultateve jo sipas Ligjit Zgjedhor tonin, gjë që do të ishte e mjaftueshme në këtë rast, por edhe sipas praktikave edhe eksperiencave ndërkombëtare, tashmë këto të përfshira edhe në dokumentet që flasin për standardet e zgjedhjeve të lira të drejta dhe të ndershme, klasifikohen si shkaqe të para dhe të rëndësishme për të vënë në dyshim integritetin e procesit zgjedhor. Unë nuk mund të them që ky rezultat zgjedhor është rezultat i një procesi manipulativ, por kam të gjithë të drejtën që ta kontestoj këtë proces dhe ta vë në dyshim për sa kohë unë nuk kam një shpjegim të qartë ligjor dhe të plotë në lidhje me këto pretendime”, - tha Celibashi. Ai shtoi se problemet në fjalë nisën pikërisht pas vendimit të KQZ-së për hapjen selektive të kutive. “...Ai vendim i KQZ-së nuk duhet të ishte marrë edhe pse sot ky vendim konsiderohet i ligjshëm sepse Kolegji Zgjedhor e konsideroi të ligjshëm këtë procedurë të nisur nga KQZ-ja... Unë mendoj se nëse sot ne do të kishim këtë rezultat të shpallur nga KQZ-ja, sikurse KQZ-ja ka shpallur sot, ku kandidat fitues është shpallur zoti Basha, jam i sigurt që edhe shkaqet e pretendimet apo pretekstet e subjektit PS-së apo kandidatit Rama do të ishin të vështira për t’u ngritur. Unë mendoj se pikërisht kjo procedurë e ndjekur në mos shkaqet e përligjura i ka dhënë pretekste të përligjura qoftë zotit Rama qoftë PS-së për ta kontestuar këtë proces”, - tha ai

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›