Zbardhet drafti i Parlamentit të ri, shmanget Bashkia e Tiranës
Ndonëse kompleksi i ri parlamentar do të ndërtohet në qendër të territorit të Bashkisë së Tiranës, kjo e fundit do të jetë krejtësisht e përjashtuar nga të gjitha procedurat që do të ndiqen gjatë këtij procesi. Leja për sheshin dhe ndërtimin e godinës së re të Kuvendit, që parashikohet të ngrihet aty ku sot ndodhet Piramida, nuk do të jepen nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Tiranës, por nga ai Kombëtar, ndërsa edhe punimet nuk do të kontrollohen nga Inspektorati i Bashkisë, por nga ai Kombëtar, që është në varësi të qeverisë. Gazeta “MAPO” ka mundur të sigurojë kopjen e projektligjit, që vetë Kuvendi ka hartuar disa muaj më parë dhe me anë të cilit kërkon të normojë rregullat dhe procedurat, të drejtat, detyrimet dhe afatet në dispozicion të institucioneve respektive për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar.
Drafti
Ndërsa çështja e prishjes së Piramidës dhe ndërtimit në të të kompleksit të ri parlamentar gjendet në “duart” e Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Shqipërisë është i vendosur që të mos ndalet në realizimin e këtij projekti, faza e parë e të cilit, ajo e përzgjedhjes së projektit që do të ndërtohet, ka muaj që është finalizuar. Për të disatën herë, Kuvendi ka përfshirë në kalendarin e punimeve në komisione diskutimin e projektligjit të hartuar nga specialistët e vet dhe të titulluar “Për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar”. Drafti që deri më tani është mbajtur i fshehtë nga ana e këtij institucioni, i është paraqitur për mendim edhe Këshillit të Ministrave dhe më konkretisht Ministrisë së Financës, për të shqyrtuar anën e kostos së tij dhe Ministrisë së Drejtësisë për të gjykuar mbi anën juridike. Projektligji në fjalë përmban vetëm nëntë nene dhe në të, megjithëse flitet për shesh ndërtimi, nuk përcaktohet vendndodhja e tij, pavarësisht se dihet publikisht qëllimi i kryeparlamentares Jozefina Topalli, për ta ngritur atë tek ish-muzeu i diktatorit Enver Hoxha. Kështu, në nenin 5 thuhet se: “Ngritja e kantierit të punimeve bëhet në sheshin e liruar të ndërtimit, në përputhje me kushtet dhe kriteret teknike në fuqi”, ndërsa ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë akte nënligjore për zbatimin e tij. Gjithashtu, në draft nuk flitet as për kosto dhe as për ndonjë afat se kur do të bëhet prishja e objektit ekzistues, apo edhe se kur do të përfundojë ndërtimi.
Leja
Një nga pikat e këtij projektligji që pritet të ngjallë debat është dhe çështja e lejes së sheshit dhe ndërtimit të godinës së re të Kuvendit. Bashkia e Tiranës, gjatë shqyrtimit në seancë plenare të kërkesë-padisë së saj në Gjykatën Kushtetuese, e denoncoi këtë pikë si një nga shkeljet e rënda që i bëhet ligjit për pushtetin vendor dhe kartës së autonomisë së pushtetit vendor. Megjithëse gjatë asaj séance, përfaqësuesit e ekzekutivit dhe Kuvendit përcaktuan se autoriteti që duhet të japë lejen për prishjen e Piramidës dhe ndërtimin e kompleksit parlamentar duhet të jetë Këshilli Rregullues i Territorit të Bashkisë Tiranës, në projektligjin e hartuar ky organ anashkalohet totalisht. Neni 3 i projektligjit përcakton se: “Për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, autoriteti shtetëror kompetent për dhënien e lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit është Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH)”. Më poshtë përcaktohet se titullari që do të firmosë dokumentacionin e miratimit të sheshit dhe lejes së ndërtimit është ministri që mbulon veprimtarinë e ndërtimeve. Por jo vetëm kaq, pasi pushteti vendor që administron territorin në të cilin do të ngrihet ky objekt, përjashtohet edhe nga e drejta e inspektimit të ndërtimit. Në nenin 7 parashikohet se: “Ushtrimi i kontrollit në mjediset, ku kryhet ndërtimi bëhet nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar”, ndërsa në një nen më poshtë ngarkohet Këshilli i Ministrave të përcaktojë institucionin për kryerjen e oponencës teknike, të përcaktojë procedurën e kolaudimit të punimeve të kompleksit të parlamentar.
Projektligji
Kuvendi i Shqipërisë
Vendosi
Neni 1
Objekti
Ky ligj ka për objekt përcaktimin e rregullave dhe procedurave, të drejtat, detyrimet dhe afatet në dispozicion të institucioneve respektive për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar.
Neni 2
Shpallja e fituesit dhe projekti i zbatimit
1. Shpallja e fituesit të konkursit ndërkombëtar bëhet me vendim të Komisionit Shtetëror të ngritur me vendimin e Kuvendit nr.66, datë 21.102010, mbi bazën e kritereve të përcaktuara në Rregulloren e Konkursit Ndërkombëtar.
2. Termat e kontratës së projektit të zbatimit të projektit fitues, koha e dorëzimit dhe vlera e projektit të zbatimit përcaktohen me vendim të Komisionit Shtetëror.
Neni 3
Autoriteti dhe procedurat për lejen e sheshit dhe lejen e ndërtimit
1.Për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar autoriteti shtetëror kompetentë për dhënien e lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit është Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH).
2. Kërkesa për lejen e sheshit dhe lejen e ndërtimit paraqitet në një procedim të vetëm administrative dhe nuk I nënshtrohet asnjë pagese.
4. Dokumentacioni i miratimit të sheshit dhe lejes së ndërtimit firmosen nga ministri që mbulon veprimtarinë e ndërtimeve.
Neni 4
Procedura e prokurimit
Kuvendi I Shqipërisë, në cilësinë e autoritetit kontraktor për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, përdor rregullat dhe afatet e parashikuara në ligjin nr 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurorimin publik”, të ndryshuar.
Neni 5
Kantieri i punimeve
1. Ngritja e kantierit të punimeve bëhet në sheshin e liruar të ndërtimit, në përputhje me kushtet dhe kriteret teknike në fuqi.
2. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të Nxjerrë akte nënligjore për zbatimin e këtij neni.
Neni 6
Mbikëqyrja e punimeve
Vlera e përgjithshme e mbikëqyrjes së ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 7
Kontrolli i mjediseve të ndërtimit
Ushtrimi i kontrollit në mjediset ku kryhet ndërtimi bëhet nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, në përputhje me praktikat që parashikon legjislacioni përkatës.
Neni 8
Oponenca e projektit dhe kolaudimi i punimeve
Ngarkohet Këshilli i Ministrave:
a) të përcaktojë institucionin për kryerjen e oponencës teknike,
b) të përcaktojë procedurën e kolaudimit të punimeve të kompleksit të parlamentar.
Neni 9
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.