Brenda vitit do të mbillen 10 mijë pemë të reja në kryeqytet
Shtimi i hapësirave të gjelbra dhe rikonstruksioni i rrugëve, prioritetet e bashkisë së Tiranës
“Shtimi i hapësirave të gjelbra dhe rikonstruksioni i rrugëve të dëmtuara në kryeqytet do të vijojnë të jenë prioritet i Bashkisë së Tiranës”.
Në funksion të vënies në realitet të këtyre prioriteteve, vetë kryebashkiaku Lulzim Basha ka inspektuar dje, punën që po kryhet për mbjelljen e pemëve të reja në kryeqytet. Kryebashkiaku ishte në zonën e Kombinatit, ku në rrugën “Llazi Miho” u mbollën 60 pemë (shumica bli), të cilat zëvendësuan pemët që ishin të dëmtuara e të thara, përgjatë kësaj rruge. “Qëllimi ynë është që brenda këtij viti, të mbjellim 10 000 pemë të reja në Tiranë dhe ju siguroj se ky është viti me mbjelljen më të ulët në planifikimin e Bashkisë, për katër vitet e ardhshme, sepse një nga qëllimet kryesore të Bashkisë është përmirësimi i cilësisë së jetës dhe kjo vjen duke zgjeruar hapësirën e gjelbër, hapësirë e cila i është ‘tkurrur’ këtij qyteti për 20 vite me radhë, si rezultat i dendësimit të popullsisë, lëvizjes demografike, ndërtimeve e sigurisht mungesës së një plani asgjë nuk do të kursehet, për të mbrojtur hapësirat e gjelbra, për t’i zgjeruar ato, për të hapur hapësira të tjera të gjelbra dhe kjo është në fokus, edhe të Planit të ri Urbanistik, i cili që nga lagjet e vjetra të qytetit, tek lagjet e reja dhe tek zonat e mëdha publike, kryqëzimet e rrugët kryesore parashikon 3 dhe 4-fishim të gjelbërimit, të zonave të gjelbra dhe pemëve. Këtu jemi tek zona e Kombinatit, ku po ndërhyhet për mbjelljen e afro 60 rrënjëve pemë të reja (shumica prej tyre bli, një pjesë e tyre rrepë), për t’u përshtatur me morfologjinë bimore që ka ekzistuar më parë, që do të thotë zëvendësim i pemëve të dëmtuara dhe të thara, në mënyrë që gjelbërimi në këtë rrugë të jetë sa më i plotë”, u shpreh kryebashkiaku Basha.
Sipas tij, mbledhja e pemëve vazhdon anembanë Tiranës si, në rrugën e Elbasanit, tek Unaza, zona e “Don Boskos”, tek Medreseja, “Rruga e Dibrës”, në qendër të Tiranës te sheshi “Skënderbej” dhe prapa Pallatit të Kulturës, po ndërhyhet për të rehabilituar tërësisht zonën, përmes mbjelljes së mbi 800 pemëve të ndryshme dekorative dhe në tërësi, në këtë sezon në Tiranë, janë mbjellë afro 3000 pemë të ndryshme, të përqendruara tek Parku i Liqenit Artificial, në qendrën e qytetit, qendrën e rehabilituar të qytetit, sheshi “Skënderbej” dhe zona pas Pallatit të Kulturës dhe në rrugët kryesore të qytetit, por edhe në sheshe të tilla të lagjeve, siç është zona tek “Don Bosko” apo tek Medreseja.
Kryebashkiaku Basha bëri të ditur se aktualisht ka përfunduar 95 për qind e rikonstruksionit të rrugëve më të amortizuara të Tiranës, ndërsa nënvizoi se së shpejti do të çelen prokurimet, për të gjithë projektet madhore të parashikuara në buxhetin e këtij viti. “Kjo përpjekje vjen paralel me përfundimin e punëve në 95 për qind të rrugëve, të cilat u identifikuan nga drejtoritë përkatëse, për riparime të menjëhershme, por kjo punë vjen para çeljes së prokurimeve, për të gjithë projektet madhore të buxhetit për vitin 2012, pra është fillimi i një pune të madhe, e cila do të shikojë ndërhyrjen në të gjithë lagjet e Tiranës, kudo ku jetojnë qytetarët, kudo ku shtrihen hapësirat e tyre të jetës së përditshme dhe natyrisht jo vetëm në qendër , por sigurisht edhe në qendër”, tha më tej kryebashkiaku, Lulzim Basha.