Alibeaj: Shqipëria një zonë zgjedhore, votim elektronik për diasporën

TIRANË,16 maj/ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, në një prononcim sot për mediet përpara nisjes së seancës në Kuvend, tha se, diaspora shqiptare duhet të votojë dhe duhet të llogaritet si pjesë e një zone zgjedhore. Sipas tij, votimi i diasporës, duhet të jetë në formë elektronike.
Alibeaj u shpreh se ka ardhur koha që Shqipëria të jetë një zonë zgjedhore, që askush të mos përfitojë mandate deputeti për shkak të ndarjes territoriale.
“U bë 7 muaj që një nga çështjet kryesore, ajo që lidhet me votën e diasporës, përveç se listave të hapura e me radhë mbahen në sirtarët e këtij parlamenti, me idenë që duke kaluar ditët bëhet i pamundur zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe interesit të Shqiptarëve. Një javë më parë dorëzuam dhe një kallëzim penal, që të detyrojmë këtë Kuvend për të bërë efektive votën e diasporës”, tha Alibeaj.
Deputeti i PD tha se grupi i dialogut ka dështuar.
“Procesi i grupit të dialogut nuk ka ecur përpara. Fruti i tij, ka qenë dhe mbetet të rrënojë reformën zgjedhore, pra për mosmiratimin në kohë të votës së diasporës, votimin dhe numërimin elektronik, Shqipëria një zonë zgjedhore dhe listat e hapura. Kërkesat tona dergjen prej 7 muajsh në sirtarët e Nikollës”, tha Alibeaj.
“Zgjidhja jonë për votën e diasporës është e qartë. Sot numërohen 1.2 milionë shqiptarë që janë jashtë Shqipërisë me të drejtën Kushtetuese për të votuar, që ky parlament ua mohon. Ne i kemi dhënë një zgjidhje të thjeshtë, me kosto më të ulët. Duhet të votojnë të gjithë. PS kërkon që të votojnë vetëm një pjesë e vogël. Ato që identifikohen nga ana e mazhorancës. Çfarë bëri në Athinë? Mblodhi patronazhistët. E drejta për t’u përfshirë në listat e zgjedhësve të diasporës nuk mund të menaxhohet nga e-Albania, pasi është e qartë se cilët do të fusë, të nënës, të tijët, dhe të mos fusë në listë ata të “njerkës”, ata që ka kundër, pjesa më e madhe pra. Ne kërkojmë votim siç bëhet me të gjithë shqiptarët, të ketë të njëjtat garanci. Varianti i propozuar nga KQZ, ishte dhe varianti i jonë, por nuk mbështesim votën me postë, është sikurse t’i vendosim ‘mëlçitë në supe, ujkut’”, tha Alibeaj.
“Ata që unë pashë para pak ditësh në Athinë, nuk ishte gjë tjetër, por grumbullim patronazhistësh. Nëse do të ndodhë vota e diasporës, ato do ta mbikëqyrin. Prandaj, jo votë me Postë, se s’mund t’i jepet drejtorit të Ramës te Posta vota e diasporës”, tha Alibeaj.
“Zgjidhja është e thjeshtë: Të votohet elektronikisht, përmes votës elektronike atje ku janë, t’ua japë mundësinë që të votojnë me të njëjtat garanci. Vota e shqiptarëve jashtë Shqipërisë të llogaritet me atë që quhet një zonë zgjedhore. Varianti që kërkon Edi Rama, që po gjen mbështetje nga ato që të jetë sipas qarqeve. Nëse i duhen Edi Ramës 500 vota për të marrë një mandat, i gjen në Janinë, nëse i duhen 1000 vota në Durrës, i gjen në Bari, Ankona. Prandaj duhet Shqipëria të jetë një zonë zgjedhore, që të mos grabiten mandate të tjera. Vota e shqiptarëve të diasporës duhet të peshojë njësoj si ato brenda vendit, duke e shndërruar Shqipërinë në një zonë të vetme, që askush të mos marrë mandate të pamerituara”, nënvizoi Alibeaj.
I pyetur mbi arrestimin e 5 drejtorëve të bashkisë së Tiranës, Alibeaj tha se duhet mbështetur SPAK.
“5 Drejtorët? Qëndrimi ynë dhe i çdo mendje që në mënyrë të sinqertë kërkon dënimin e 5 drejtorëve, dhe drejtorit të drejtorëve, është mbështetja e SPAK. Ata 5 drejtorë janë atje për shkak të punës së bërë nga SPAK. Ndaj ne kemi kërkuar amendamente këtu në Kuvend që statusi i prokurorëve të SPAK, mbështetja me financiare, me burime njerëzore, do duhet një orë e më parë të miratohet nga ky parlament. Vetëm duke i dhënë mbështetje SPAK, por edhe ata 5 drejtorë, por edhe drejtori i drejtorëve, por dhe drejtori kryesorë i gjithë drejtorëve në vend të përballen me drejtësinë. SPAK s’po amniston ish-zv/kryeministrin, nuk ka amnistuar deputetët, nuk po amniston Veliajn, Ballukun, s’ka pse të amnistojë edhe Edi Ramën. Sjellja e vetme është mbështetja e SPAK, qoftë financiare, qoftë me burime njerëzore dhe statusin e tyre. Futja e duarve në reformën në drejtësi është lëvizja e fundit për të asfiksuar SPAK”, përfundoi Alibeaj.
/a.f/r.e/