E Premte, 6 Nëntor 2026

Rama: Të çelim rrugën për hyrjen graduale në zonën ekonomike europiane

TIRANË, 16 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk na duhet të pritet deri sa të gjitha reformat në BE të përfundohen, por duhet të çelet rruga për hyrjen graduale në zonën europiane.

Në fjalën e tij në samitin rajonal të Ballkanit Perëndimor me BE për ecurinë pozitive të Planit të Ri të Rritjes ekonomike dhe hapat në vijim për zbatimin e tij, që po mbahet në Kotorr të Malit të Zi, Rama tha se duhet të përfshihet logjika e integrimit me faza në tregun e përbashkët dhe në fusha të tjera të BE-së.

“Na duhet të përfshijmë logjikën e integrimit me faza në tregun e përbashkët të BE-së. Është synimi ynë për të thelluar bashkëpunimin për të gjitha fushat që kanë të bëjnë me tregtinë, doganat, me BE-në, duke u përgatitur për anëtarësim të plotë në bashkimin doganor të BE-së”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi se për të bashkëpunuar është i rëndësishëm vullneti i palëve.

“Ato shtete që u referohen mospajtueshmërisë së rregulloreve e të gjitha gjërave, kam vetëm një gjë për t’u thënë: Qysh prej 1995-ës, Turqia ka një bashkim doganor me BE-në. Kështu që, në momentin që ka vullnet, mund të gjejmë zgjidhje ligjore dhe administrative për të gjitha çështjet”, vijoi Rama.

Sidoqoftë, tha ai, nuk duhet pritur deri sa të gjitha reformat në BE të përfundohen.

“Dhe kjo është shumë e rëndësishme, duhet ndërkohë të çelim rrugën tani për hyrjen graduale në zonën ekonomike europiane, kërkimore, në instrumentet e kohezionit për vendet e rajonit”, tha kryeministri.

Rama nënvizoi se pjesëmarrja e rajonit në politikën e jashtme të sigurisë europiane duhet bërë më e dukshme.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›