E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj dhe Paloka: “Rama ka kristalizuar figurën e humbësit në krye të PS-së”

14-06-2011 / Gazeta 55

“Shifrat janë aq kokëforte, sa edhe kokëfortësia e Edi Ramës për t’i pranuar ato”.
Kështu është shprehur deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, gjatë një komunikimi për mediat, lidhur me mospranimin e rezultatit për Tiranën, nga ana e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Sipas tij, “Rama ka kristalizuar figurën e humbësit në krye të Partisë Socialiste”, porse nuk e pranon një fakt të tillë. “Ne do ta pranojmë vendimin e Kolegjit Zgjedhor”, tha ai.
Duke shtuar se, “Rama ka pasur një sjellje të mbrapshtë politike në këto vite. Edi Rama e ka uzurpuar Partinë Socialiste dhe ky vend ka nevojë që politika të ecë në rrugë të drejtë”, deklaroi deputeti demokrat Alibeaj.

Deputeti i PD-së, Edi Paloka

“8 maji, fitore e padiskutueshme për Lulzim Bashën”
 
“Edi Rama e humbi Tiranën dhe ai është një humbës i thellë”. Kështu u shpreh dje deputeti demokrat, Edi Paloka, sipas të cilit, rezultati i 8 majit është një fitore e padiskutueshme e kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha.
“Kjo edhe pasi Basha diti si t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe sesi të komunikojë me ta”, tha ai.
Duke shtuar se padyshim, që në këtë rezultat, ndikoi edhe përçarja tek e majta.
“Politika agresive, ishte një nga arsyet e humbjes së Ramës. Të mos harrojmë, se edhe ngjarja e 21 Janarit, ishte vula që Rama i dha humbjes së vet. Rama shkon nga humbja në humbje dhe nuk e pranon se ka humbur. Por edhe konsumimi i tij në Bashki, përbënte një tjetër faktor. Nga 3 mandatet e tij, ai vetëm një ka realizuar”, tha ai.
Për Palokën, duhet ditur mirë se Berisha drejton një qeveri të suksesshme. “Sa të jetë në krye të PS-së Edi Rama, ne LSI-në do ta kemi në krah”, tha ai, duke shtuar se është e qartë për të gjithë se kryesocialisti nuk ka vullnet për ta bashkuar të majtën. “Sot në Partinë Socialiste janë ata që ka futur Rama dhe punonjësit e Bashkisë. Rama duhet ta pranojë humbjen e tij. Të mos harrojmë se Basha ka ardhur në Partinë Demokratike nga KOP-i, kurse në PS kjo nuk ndodh, ajo nuk është e hapur për të rinjtë, por vazhdon të mbetet peng i konjukturave klienteliste”, deklaroi më tej, deputeti demokrat, Edi Paloka.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›