Ama dorën!
Kriminalizimi në masë të madhe i shoqërisë së Kosovës, ka qenë njëra prej tezave të vjetra të kundërshtarëve të saj edhe gjatë historisë. Në fakt, pushtuesit e Kosovës, kur nuk kanë pasur fakte të tjera për të arsyetuar se pse e mbanin Kosovën të pushtuar, e kanë nxjerrë të ashtuquajturin “pushtimin humanitar”, duke thënë se shqiptarët nuk dinë të mbajnë shtet, prandaj po u ndihmojmë. Ka më shumë se dhjetë vjet që ky vend qeveriset më së shumti nga misione të respektuara ndërkombëtare, civile e ushtarake dhe është krejt e pakuptueshme se si për dhjetë vjet nuk është arritur të viheshin disa standarde, që Kosovën do ta mbanin larg perceptimit të një shoqërie të kriminalizuar.
Sot, pas kaq shumë vitesh, të një qeverisje ndërkombëtare të Kosovës, ose edhe të përbashkët, rezultati është më i keq sesa që ka mundur të imagjinohej ndonjëherë. Kosova është i vetmi vend, jo vetëm në Evropë, që sot dhe tani, i ka si të dyshuar kryeministrin e vendit dhe politikanët e afaristët më të zotë, të cilët janë shndërruar në të pandehur, në zenitin e karrierës së tyre. Janë të paktën tri figura të mëdha të politikës së Kosovës: Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, me dyshime dhe akuza të rënda mbi supe, zvarritja e procesit ndaj të cilëve mund të ketë pasoja të rënda për zhvillimin demokratik të vendit. Në rastin e parë, ka pasur një raport të Dick Martyt, me akuza të rënda ndaj kryeministrit Thaçi, të publikuar gjashtë muaj më parë dhe pothuaj njëkohësisht me zgjedhjet e përgjithshme dhe sot pas gjashtë muajsh Bashkimi Evropian merr vendim për të krijuar një Task Force, për të hetuar këto akuza. Në rastin e Haradinajt, Tribunali i Hagës nuk gjen mundësi për ta filluar procesin e rikthyer në gjykim, as edhe për një vit. Po kaq e pazakonshme ka qenë edhe procedura hetimore ndaj njërit prej eksponentëve të rëndësishëm të Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limajt, i cili një herë ishte dyshuar për shpërdorim të shumave marramendëse parash, e më pas edhe për krime lufte. Çuditërisht, reagimet në Kosovë, për të gjitha këto raste, më shumë ishin emocionale sesa të arsyeshme. Bile, në disa raste reagimet në mbështetje të këtyre politikanëve, kishin shkaktuar më shumë sherr sesa hair. Por, kjo nuk do të thotë se organet e drejtësisë ndërkombëtare, me fuqi ekzekutive në Kosovë, mund ta kenë komoditetin që këto raste t’i trajtojnë “tuj pa, tuj ba”. Është krejt e zakonshme që në sistemet e drejtësisë, të ketë edhe dyshime ndaj figurave të para politike dhe edhe ato nga këto sisteme të konsiderohen si “pacientë” të mundshëm. Por, për gjithçka ka një karar, dhe asgjë nuk mund të shkojë deri në pafundësi. Ata duhet ta kenë një diagnozë trajtimi, ose të thuhet se janë “shnosh e mirë”.
Pas bastisjes spektakolare në Ministrinë e Transportit, ku i dyshuari kryesor ishte Fatmir Limaj, një vit më parë kisha shkruar se “As nuk dua t’ia di nëse janë 80 milionë ose janë 8. Nuk dua t’ia di nëse janë shumë më pak, ose hiç fare. Dua që ata që duhet t’i japin fetva kësaj pune, të dalin e të flasin. Dua t’ia di sepse ato janë paratë e taksapaguesve të këtij shteti në të cilin kemi hise të gjithë. Kemi hise siç kemi edhe hisen e diellit, prandaj dikush duhet të thotë se ky shtet nuk mund të jetë as “bashçe as boshçe”. Por, as edhe një vit e sa pas kësaj ngjarjeje, unë nuk marr vesh asgjë për “bastisjen e madhe”. Kosova ka qenë njëri prej projekteve më të suksesshme të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, dhe investimi i tyre për vendosjen e rendit dhe ligjit ka qenë i pazëvendësueshëm. Çdo vlerësim tjetër është i pasaktë dhe nuk mund të thuhet ndryshe se të vret zoti.
Organet e drejtësisë ndërkombëtare, që dorën e kanë të zgjatur edhe në Kosovë, e kanë për obligim që të na e respektojnë inteligjencën dhe të mos na lënë që elita politike e Kosovës, të jetë kaq rëndë e kaq gjatë e dyshuar. Ne kemi të drejtë të kërkojmë prej tyre, të na thonë nëse akuzat ndaj “bajraktarëve” që i kemi, janë reale apo të shpifura. Jemi lodhur shumë me imazhin e keq për Kosovën, i cili çfarëdo që të jetë, e kemi ngritur bashkë. Nuk e di nëse është krejt siç thuhet se “një drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar”, por e di që Kosova nuk ka kohë për të humbur. Prandaj, nëse keni ardhur për të ndihmuar, ndihmojeni please!
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”