Kolegji ligjëron numërimin e KQZ – urdhëron hapjen e të gjitha kutive

Rrëzohet themeli i kërkesës së socialistëve për të mos numëruar votat e hedhura në kutitë e gabuara. Nuk pranohet as akuza e socialistëve për cenim të kutive të materialeve zgjedhore dhe urdhërohet rillogaritja e tabelave përmbledhëse, pas ri-konsiderimit të të gjitha votave të kontestuara, edhe për kutitë e njësive dhe këshillave të minibashkive.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të numërojë edhe votat e kontestuara të 368 kutive të votimit të kryetarit të bashkisë, këshillit të bashkisë, kryetarit të minibashkisë si dhe këshillit të minibashkive”.
Ky është vendimi i Kolegjit Zgjedhor të Apelit, për rezultatin e zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës.
Kolegji Zgjedhor i Apelit i jep fund përplasjeve politike mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në rrugë gjyqësore, teksa ia ka ngarkuar përsëri Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përgjegjësinë e shpalljes së rezultatit përfundimtar për Tiranën. Kolegji Zgjedhor urdhëron KQZ-në që të numërojë të gjitha votat e kontestuara në kutitë e votimit të Tiranës, për të reflektuar më pas në një rezultat të qartë për bashkinë e kryeqytetit. Nga 117 kuti votimi të numëruara pak ditë më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ku Lulzim Basha ishte në epërsi votash prej 81 votash, KQZ do të numërojë edhe votat e kontestuara që gjenden në 368 kuti të tjera, votat e të cilave duhet t’i atashohen në mënyrë urdhërore rezultatit përfundimtar për kryetarin e bashkisë së Tiranës.
Në vendimin nr. 709, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ezauroi 80 për qind të votave të mbetura pezull, pra të pavlerësuara, të cilat ishin plotësisht të vlefshme, veçse ishin hedhur në kutinë e gabuar.
Vendimi i djeshëm i Kolegjit është pikërisht aprovimi i kërkesës së Partisë Demokratike për numërimin e çdo vote të vlefshme të shprehur në mënyrë të drejtë nga qytetarët e Tiranës gjatë votimeve të 8 majit. Partia Socialiste gjatë gjithës procedurës vendimmarrëse dhe funksionuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve insistonte në mos numërimin e fletëve të kontestuara, duke i konsideruar ato si të pavlefshme edhe pse vullneti i qytetarëve ishte shprehur drejt dhe korrekt. Pra, Kolegji vlerëson se puna e mirë e KQZ-së me vendimin nr. 709 ishte një procedurë e rregullt, duke deklaruar se, ajo ishte një vendimmarrje e drejtë, për të lexuar drejt votën e qytetarëve.
Kësisoj, mund të thuhet se pretendimet e Partisë Socialiste për rezultatin zgjedhor të Tiranës janë të pabaza dhe se tendenca politike e tyre, për të shpallur disakordancën elektorale mes votave në kuti dhe numrit të votuesve, ishte thjesht farsë për të maskuar humbjen.
Dy javë më parë trupa gjyqësore e Kolegjit Zgjedhor rrëzoi në mënyrë të prerë ankimimin e Partisë Socialiste për të shpallur të pavlefshëm vendimin e KQZ-së, për numërimin e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar. Po ashtu, në datën 3 qershor të këtij muaji Kolegji Zgjedhor i Apelit pushoi ankimimin e opozitës, i cili kërkonte shpalljen të pavlefshëm vendimin e KQZ-së, i cili nxirrte Lulzim Bashën fitues të Tiranës me 81 vota më shumë.
Seanca
Kolegji Zgjedhor nisi dje në orën 10:00 shqyrtimin e kërkesës së re ankimore të Partisë Socialiste, për zgjedhjet lokale të 8 majit, për kryetarin e bashkisë Tiranë. Seanca kishte për objekt shqyrtimin e kërkesë padisë së depozituar nga PS, që kërkonte rrëzimin e vendimeve nr. 710 dhe 711 të KQZ-së, të cilat nxorën fitues me 81 vota më shumë kandidatin demokrat, Lulzim Basha kundrejt kandidatit socialist, Edi Rama.
Ankimimi kishte për relatore gyqtaren Dhurata Haveri, ndërkohë që trupa gjyqësore përbëhej nga gjyqtarët Sashenka Jonuzi, Astrit Kalaja, Marie Qirjazi dhe Meriban Mullai. Partia Socialiste, si palë paditëse, u përfaqësua në këtë mbledhje nga Damian Gjiknuri, Eno Bushi, Arian Salati dhe Eridian Salianji, të shoqëruar nga deputetët socialistë, Fatmir Xhafaj dhe Saimir Tahiri. Ndërsa Partia Demokratike u përfaqësua nga avokatët Ivi Kaso dhe Oerd Bylykbashi, ndërkohë që i pranishëm ishte dhe deputeti demokrat Viktor Gumi. Pala e paditur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, u përfaqësua nga drejtoresha juridike e këtij institucioni Dëshira Pasko. Përfaqësuesi i PS-së në Kolegj, deputeti Damian Gjiknuri tha se, PS kërkon pavlefshmëri të dy vendimeve të KQZ-së, të cilat sipas tij, janë miratuar në kundërshtim me ligjin, pasi rezultati i shpallur prej tyre ka ndryshuar të gjitha tabelat e KZAZ të depozituara në KQZ. PS ankon dhe faktin se në fund të procesit të rinumërimit dhe ndryshimit të tabelave, rezultojnë 357 fletë votimi më shumë se sa votues, ndërkohë që edhe konsiderimi si të vlefshme i fletëve të hedhura në kutitë e gabuara bie në kundërshtim me përcaktimet e Kodit Zgjedhor.
Ndërsa, drejtoresha juridike e KQZ-së, Dëshira Pasko, mbrojti vendimin e miratuar nga KQZ për numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara, duke e cilësuar “një vendim të drejtë”. Ajo hodhi poshtë si të pabaza pretendimet e PS-së për mospërputhje votash, duke i kërkuar trupës së Kolegjit rrëzimin e kërkesës së socialistëve, një qëndrim që iu bashkuan edhe përfaqësuesit e PD-së. Më 3 qershor, Kolegji Zgjedhor pushoi çështjen mbi ankesën tjetër të paraqitur nga PS-ja për zgjedhjet për kryetarin e bashkisë Tiranë, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së të datës 23 maj, që nxjerr kandidatin demokrat Lulzim Basha fitues të garës për Bashkinë e Tiranës, me 81 vota më shumë se kandidati socialist Edi Rama.
Kolegji Zgjedhor, rrëzoi PS-në që në 3 qershor
Kolegji Zgjedhor, me relator gjyqtarin Tom Ndreca, vendosi pushimin e çështjes ankimore të Partisë Socialiste në seancën e 3 qershorit, ku opozita kërkonte rrëzimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili shpalli Lulzim Bashën fitues të zgjedhjeve për Tiranën. Kolegji e mori vendimin pas shqyrtimit të tabelave përmbledhëse për Tiranën dhe pasi dëgjoi palët, Partinë Socialiste, KQZ-në dhe Partinë Demokratike. Kolegji kërkoi, në cilësinë e provave materiale, tabelat përmbledhëse të 10 KZAZ-ve të Tiranës si dhe tabelat përmbledhëse të të gjitha grupeve të numërimit në mënyrë që të vërtetohej nëse ato ishin përmbyllur para 18 majit, ditë kur komisioni miratoi në parim projekt-aktin i cili parashikonte numërimin e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara. Kërkesë padia e PS kërkonte shpalljen të pavlefshëm të rezultatit të certifikuar nga KQZ, i cili certifikonte Luzim Bashën si fitues të Tiranës me 81 vota më shumë se rivali i tij, Edi Rama. Pushimi i çështjes në 3 qershor vinte pas rrëzimit të kërkesës së parë të PS, ku kërkonte shpalljen të pavlefshme të votave të hedhura në kutinë e gabuar. Arsyetimi i KQZ më 3 qershor lidhej me papërputhshmërinë ligjore të pretendimeve të Partisë Socialiste, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 23 maj, kishte zbatuar vendimmarrje në përputhje me ligjin dhe se, shpallja e Lulzim Bashës fitues të zgjedhjeve me 81 vota më shumë ishte një vendim i drejtë dhe ligjor. Kolegji arsyetoi se vendimi të cilit i referohej Partia Socialiste, pra ai nëse ishte akt normativ apo individual (ndryshimi është se i pari kërkon 5 vota dhe i dyti 4 vota), trupa e gjyqtarëve deklaroi se akti ishte individual dhe si i tillë vendimmarrja ishte e mjaftueshme me 4 vota “pro”. Kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bazuar në vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të lënë në fuqi nga Kolegji Zgjedhor, rezulton të jetë fitues i bashkisë së Tiranës me 81 vota në avantazh kundrejt kandidatit të Partisë Socialiste, Edi Rama.