Alibeaj i ankohet Glover: Berisha-Rama presion kandidatëve të mi, na është zaptuar selia
Situata në Partinë Demokratike dhe zgjedhjet vendore, kanë qenë në fokus të takimit të zhvilluar këtë të mërkurë (19 prill) mes kryetarit në detyrë të PD-së Enkelejd Alibeaj dhe shefes së Misionit të Vëzhguesve të ODIHR, Audrey Glove.
Në një deklaratë për media pas takimit, Alibeaj bëri me dije se e ka vënë në dijeni Gloverin mbi situatën në selinë blu, e cila sipas tij është e okupuar nga ata që dikur pretendonin se ishin të PD-së. Alibeaj theksoi se PD zyrtare po qëndron në një seli të marrë me qira, pasi sikurse e tha ai, aty qëndrojnë persona që nuk përfaqësojnë ligjërisht këtë forcë politike.
“Unë i bëra të qartë gjithçka në mënyrë të vërtetë për situatën brenda PD. Për pozicionin që kemi mbajtur. Ja bëra të qartë situatën tonë, arsyet përse ka ndodhur kjo gjë, për presionin që ndodh ndaj PD, për përdorimin në mënyrë të padrejtë, pandershme dhe të mediave dhe çështjet e financimit të partisë.
Problemin e dini të gjithë. Fakti që ne qëndrojmë këtu në seli të marrë me qira sepse selia jonë është e okupuar në mënyrë të paligjshme nga njerëz që nuk janë të PD.
Jo, Berisha nuk e përfaqëson ligjërisht PD. Gjykata e ka ndarë përfundimisht se kush e përfaqëson PD. Demokratët i përfaqësojnë vetën ata njerëz që mbartin vlerat që demokratët kërkojnë. Mund të përfaqësojë një parti tjetër të majtë, po, këtë mund ta bëj”, tha Alibeaj.
Më tej, ky i fundit e ka vënë në dijeni Glover edhe mbi shantazhet që ai pretendon se i janë bërë kandidatëve të tij për bashkitë, disa prej të cilëve janë detyruar të dorëhiqen nga gara.
Sipas Alibeajt, këto sulme kanë ardhur nga qeveria dhe nga ajo pjesë që sikurse thotë ai “pretendonte dikur të ishte PD”.
“Kandidatët e dorëhequr kanë pasur presion.
PD është nisur gjithmonë të bëjë fushatë për qytetarët kundër regjimit. Është totalisht e papranueshme që kandidatët tanë të ndodhen në sulme nga qeveria dhe nga ajo pjesë që pretendonte dikur të ishte PD.
Ka një vit e ca që kjo parti, është nën një presion dhe shantazh dhe gjuhë fyerje, baltosje. Ne jemi nisur për të bërë atë që quhet fushatë elektorale kundër regjimit dhe kurrsesi përfaqësuesit e PD nuk e kanë imagjinuar që të ndodhen nën presion dhe nga një palë tjetër. Ka shumë raste”, tha ai.
Abuzimi i qeverisë gjatë dy muajve të fundit me tendera, ka zënë po ashtu një pjesë të rëndësishme të bisedës mes Alibeajt dhe Glover. Kreu demokrat u shpreh se 437 mln euro tendera është hapur nga kjo qeveri vetëm në dy muaj.
/rtsh.al/