E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Fleta e Votimit/ Sali Berisha nuk do të jetë në krye të “Bashkë Fitojmë”, KAS: Do vendoset emri i Metës

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta do të jetë drejtuesi koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, ndërsa emri i tij do të vendoset në fletën e votimit, përbri emrit të koalicionit. Vendimi është marrë këtë të mërkurë nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, që rrëzoi kërkesën e koalicionit për regjistrimin e ish-kryeministrit Sali Berisha si drejtues të “Bashkë Fitojmë”.

Këtë të mërkurë, KAS diskutoi ankimimin e PD-së, e cila kërkonte që në fletën e votimit të vendoset emri i kryetarit të partisë udhëheqëse të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ankimim ky që u pranua. Për rrjedhojë, KAS vendosi që përbri emrit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, do të vendoset emri i kreut të PL-së, Ilir Meta.

“KAS me shumicë votash vendos pranimin e pjesshëm të kërkesës së PD-së sa i përket pasqyrimit të emrit të kryetarit të partisë udhëheqëse të të koalicionit Bashkë Fitojmë në fletën e votimit. Rrëzimin e kërkesës për pasqyrimin e PD-së për shkronjat nistore të partive përbërëse për koalicionit përkatëse. Rrëzimin e kërkesës së koalicionit Bashkë Fitojmë për vendosjen emrit të deputetit Sali Berisha në fletën e votimit si drejtues si koalicionit të Bashkë Fitojmë” njofton KAS.

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” i dërgoi një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku njoftoi se drejtues i këtij koalicioni është ish-kryeministrit Sali Berisha. Njoftimi u dorëzua nga Endrit Braimllari, ndërsa për çështjen pati jo pak debate në KAS. Pas vendimit të KAS, palët kanë të drejtë të bëjnë ankimim në Kolegjin Zgjedhor brenda 5 ditëve.

KAS nuk heq logot e partive krah kandidatëve në fletën e votimit

Po sot KAS, në një tjetër seancë me shumicë vote vendosi rrëzimin e kërkesës së koalicionit “Bashkë Fitojmë” për të hequr logot e partive apo koalicione nga përmbajtja e fletës së votimit.

KAS rrëzoi kërkesën ankimore nr 51 me ankues koalicionin “Bashkë Fitojmë” me objekt “Kundërshtimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nr. 360, datë 15.04.2023 “Për miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për kryetar bashkie, bashkia Tiranë, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore; Kundërshtimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nr. 363, datë 15.04.2023, “Për miratimin e përmbajtjes së fletëve të votimit për kryetar bashkie në 60 bashki, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023” dhe “Shfuqizimin e këtyre vendimeve, duke vendosur: Ndryshimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për kryetar bashkie në 61 bashkitë e vendit, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”, duke hequr logon e partive dhe/ose të koalicioneve, nga përmbajtja e fletës së votimit për kandidatët për kryetar bashkie”.

Kërkesa dërguar në KQZ

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›