E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj shpjegon vendimin e GJKKO: Pezullohen të gjitha detyrat publike, përjashtim vetëm të zgjedhurit me votë

Në emisionin politik “3D” të Alban Dudushit, i transmetuar në Radio Televizionin Shqiptar, u diskutua pezullimi nga GJKKO i zëvendëskryeministres Belinda Balluku, reagimet e kryeministrit Edi Rama dhe dërgimi i vendimit në Gjykatën Kushtetuese.

Tema “Balluku – Përplasja e pushteteve”, ku në panel janë të pranishëm Enkelejd Alibeaj, ish-deputet i PD, avokati Arbër Hoxhaj, analisti Neritan Alibali dhe pedagogu Zylyftar Bregu.

Në analizën e tij, Enkelejd Alibeaj u ndal tek roli i drejtësisë dhe kontradiktat që sipas tij shfaq kryeministri në raport me vendimet e saj.

“Kryeministri deklamoi në krah të Marta Kos që respekton drejtësinë, respekton pavarësinë, por nga ana tjetër e sfidon atë. Së pari e ka çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Por pse duhet vendosur në sfidë gjykata? Sepse çdo veprim i kryeministrit ka një valencë të fortë politike. Tregon qasjen politike jo vetëm si kryeministër por edhe qasjen e Kuvendit. Me këtë veprim tregon që kjo mazhorancë nuk po respekton një vendim të gjykatës.”

Alibeaj theksoi se drejtësia po krijon dita-ditës pavarësinë dhe identitetin e saj, ndërsa mazhoranca sipas tij po e sfidon këtë proces.

Duke iu referuar vendimit të GJKKO-së për pezullimin e Ballukut, Alibeaj sqaroi se ky institucion ka zbatuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, të cilat janë të qarta që prej vitit 1995.

“GJKKO-ja ka zbatuar një dispozitë të Kodit të Procedurës Penale që kur është krijuar, nuk ka krijuar dyshime. Është e qartë dhe thotë që vetëm personat e zgjedhur sipas ligjit elektoral nuk mund të pezullohen me një vendim gjykate. Pra, në këtë republikë, përveç të zgjedhurve me votë nga sovrani, të gjitha detyrat e tjera publike janë të pezullueshme prej gjykatës kur kërkohet një masë sigurimi.”

Alibeaj e cilësoi këtë si një moment të rëndësishëm për forcimin e pavarësisë së drejtësisë dhe përballjen e saj me sfidat politike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›