Alibia e alibisë së Ramës nuk kapërdihet lehtë
Që Edi Rama do të gjente një alibi për t’i dhënë fund bojkotit, kjo dihej si një e një që bëjnë dy. Dihej gjithashtu edhe se, për socialistët, kostoja e alibisë do të ishte jo më e vogël se ajo e politikës bojkotuese të deritanishme. Por alibia e gjetur, duke qenë më pak e besueshmja në një pafundësi të tjerash shumë më të besueshme, përmban potencialisht rrezikun e shkërmoqjes së mëtejshme të partisë më të madhe të opozitës. Ajo mëton të fshehë edhe arsyet e vërteta për t’iu rikthyer jetës institucionale dhe për të hequr dorë nga politika e rrugës.
Në Shqipëri, ngjarjet politike të periudhës kohore pas zgjedhjeve të 28 qershorit, janë zhvilluar në dritën e plotë të diellit. Tashmë dihet nga të gjithë se zgjedhjet u pranuan përgjithësisht si më të mirat të zhvilluara ndonjëherë që prej vendosjes së pluralizmit politik, në fillim të viteve ‘90. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikoi me unanimitet të plotë votash, si asnjëherë tjetër më përpara. U bënë publike raportet zyrtare të OSCE/ODHIR-it, si edhe të organizmave të tjera që vëzhguan zgjedhjet, vendase ose të huaja, prej të cilave asnjë nuk vuri në dukje probleme që do të ndikonin në rezultatin përfundimtar. Edhe Kolegji Zgjedhor, si organi më i lartë juridik që mund të vendoste për vlefshmërinë ose jo të zgjedhjeve, e mbylli atë kapitull njëherë e përgjithmonë. Mbeti pezull vetëm kërkesa e Edi Ramës për të hapur kutitë e votimit, e cila nuk gjeti asnjë përkrahje politike si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, me përjashtim të ndonjë partie të papërfillshme në spektrin politik, me përqindje elektorati që nuk e kapërcen kufirin ligjor për të hyrë në parlament. Kësaj aleance fantazmë, të zbehtë nga ana cilësore-politike, dhe pa përvijim të qartë, nga ana sasiore, iu bashkëngjitën një grusht mitingashësh dhe aventurierësh, shpesh herë të paguar, të cilët u etiketuan nga Rama dhe miqtë e tij si popull i majtë, mbështetës i aleancës surrogate.
Kjo ishte e gjithë beteja politike e opozitës në këta pesë muaj. Ta quash “Betejë me mullinjtë e erës”, them se Don Kishoti do të ishte fyer, po të kishte qenë gjallë dhe të ishte njohur me bojkotin e Ramës.
***
Zonja Dade, duke paralajmëruar fundin e bojkotit parlamentar aq shumë të pritur si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, tha se Partia Socialiste ia kishte arritur qëllimit me politikën e vet jashtë Kuvendit, pasi bojkoti kishte rezultuar i suksesshëm, meqë, sipas saj, kishte tërhequr vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare dhe të miqve që e mbështesin. Pak a shumë, të njëjtën gjë tha edhe Rama, kur njoftoi zyrtarisht atë çka Dade vetëm e kishte paralajmëruar pak orë përpara. Në këto kushte, alibia e re u bë alibi e alibisë, pra dy herë më e pabesueshme, dy herë më e pavlefshme për të bindur socialistët e vërtetë, të cilët nuk mund të ngopen me lugë bosh. Kësaj i thonë të gënjesh vetveten, përpara se të mashtrosh të tjerët
Nuk besoj të ketë njeri që të mos pranojë se këmbëngulja deri në absurd e Ramës për të hapur kutitë, në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, ka tërhequr vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare, duke filluar që nga institucionet e BE-së në Bruksel dhe Strasburg, deri në Departamentin e Shtetit ose në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington; nga OSCE dhe ODHIR, deri te vëzhgues më pak autoritarë për monitorimin e zgjedhjeve në vende të ndryshme të botës. Nuk është ky problemi. çështja shtrohet kush u bë palë përkrah Ramës, kush fitoi dhe kush humbi në këtë mes, nga përqendrimi i vëmendjes mbi sherrin e tij politik, çka diplomacia evropiane e përcaktoi me togfjalëshin “ngërç politik”, që të shmangte togfjalëshin e sajuar me qëllim abuzimi “krizë politike”, aq tepër për zemër nga mediat e së majtës.
Pas pushimeve të fillimit të vitit, nga mesi i janarit, deri në fund të shkurtit, çka përkon me mbarimin e afatit kushtetues për të mos u djegur mandatet parlamentare të të zgjedhurve socialistë, u vu re edhe kulmi i presionit politik të bashkësisë ndërkombëtare mbi Ramën. Nëse Rama, Ruçi, Dade e kompani ose miqtë e tjerë jashtë partisë, presionin e hapur politik të bashkësisë ndërkombëtare e lexojnë kokëposhtë dhe e interpretojnë si arritje të politikës bojkotuese, kjo është puna e tyre. Njerëzit kanë sy të vëzhgojnë, kanë veshë të dëgjojnë, kanë edhe tru të arsyetojnë.
***
Pak orë pas vendimit të marrë për të hyrë në Kuvend, çibani i mahisur plasi menjëherë. Blushi kërkoi me ngulm dorëheqjen e Ramës, kësaj here me argumentin e padiskutueshëm të humbjes së disa betejave radhazi dhe të izolimit total ku e krodhi PS-në verbëria politike e kryetarit aktual të partisë. Precedenti i dorëheqjes së një politikani humbës i përmasave të Ramës nuk është shumë larg, as në kohë, as në hapësirë. Rumania ja ku është, vend ballkanik, ndërsa mjetet moderne të informacionit e kanë përshpejtuar marrjen e lajmit, barabar me shpejtësinë e dritës. Bashkë me të edhe rrjedhojat e një perceptimi të përshpejtuar. Në hapësirën e një kohe disaorëshe, u ngritën edhe zëra të tjerë brenda për brenda PS-së, që mbështetën kërkesën e Blushit. Le të përmendim Manjanin, i cili i kujtoi Ramës jo vetëm arsyet pse duhet të dorëhiqet sa më parë, por edhe se dorëheqja mbetet i vetmi shans që socialistët shqiptarë t’i jenë mirënjohës kreut aktual që e ngriti disi partinë pas goditjes së marrë në zgjedhjet e 2005-s. Nënteksti i Manjanit, është lehtësisht i kuptueshëm: Jep dorëheqjen sa më parë dhe mbylle me kaq karrierën politike!
Atëherë çfarë fitoi PS-ja nga bojkoti dhe nga kërkesa për hapjen e kutive, përveç largimit të Ramës? Përgjigjja është e thjeshtë dhe e menjëhershme: vetëm humbjen, izolimin dhe rrezikun e shkërmoqjes.
Përkundrazi, prej politikës bojkotuese, përfitoi koalicioni fitues më 28 qershor, i cili doli më i fortë dhe më i qartë politikisht, se në lindjen e tij, në shtator të 2009-s. PD-ja e sheh kundërshtaren e vet historike më të dobët se kurrë, në shkërmoqje e sipër, ndërsa LSI-ja pret, me të drejtë, të marrë pjesën që i takon nga shpërbërja e partisë, prej së cilës u shkëput në kohën e duhur. Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare, përfshi këtu edhe krahun politik të së majtës evropiane, pati rastin fatlum të bindet se kush u përpoq gjashtë muaj rresht të destabilizonte situatën politike në Shqipëri. Kjo ka rritur besueshmërinë ndaj përpjekjeve që po bën qeveria e Kryeministrit Berisha, për reformat e domosdoshme që do t’u hapin rrugën qytetarëve shqiptarë të lëvizin lirshëm në hapësirën “Shengen”, dhe do të shtrojnë trasenë që, në një të ardhme të afërt, Shqipëria të bëhet pjesë integrale Europës së Bashkuar.
Ajo çka do ta ngacmojë tash e mbrapa opinionin politik shqiptar dhe të huaj, çka do të bëhet edhe objekt diskutimi për të ardhmen, mund të përmblidhet në një pyetje të thjeshtë: A hyri Edi Rama në Kuvend për të qëndruar apo për të dalë? Tashti për tashti çështja është e lexueshme ngado që ta kthesh medaljen. Nga njëra faqe, mund të lexojmë se Rama hyri në Kuvend si qen i rrahur, me bisht në shalë. Nga tjetra, nëse do të qëndrojë apo do të dalë për të krijuar një spirale të re të “ngërçit”, paralajmërimin na e dha vetë sherrxhiu i politikës, kur tha se deputetët socialistë nuk shkojnë në Parlament “për të dalë, por as edhe për të ndenjur, pa u hapur kutitë”.