Debati i brendshëm i PS ka modelin e degjeneruar të KPD-së së famshme të 2001-it
Asgjë e re nga fronti opozitar. është vazhdimi i teatrit. Gjithsesi një deputet i Partisë Socialiste bëri një nder për mediet, sepse solli një version të debateve që e çuan PS në parlamentin shqiptar. Në këtë zbardhje të debatit të demokracisë së brendshme të PS, të ngjajnë kryekëput me mbledhjen e famshme të KPD-së socialiste, ku bëhej përshesh një grup deputetësh të PS, gjatë lëvizjes katarsisiste të ish-liderit socialist Fatos Nano.
Kemi ca kohë që në mediet komentohet si forcë apo demokraci së brendshme ky
teatri me kukulla sikur të ishte, diçka që i mungon PD. Për atë që nuk e mbajnë mend, KPD-ja e famshme të PS-së është bërë sinonim i goditjes brenda llojit majtist, pasi një sallë debati u kthye në një skenë demaskimi, prej partizanëve që përpiqeshin të tregonin se ishin më të mirë se të këqijtë e pranishëm.
Kështu ndodhi edhe pardje. Ishte thjesht kronikë e një hyrjeje të paralajmëruar. Veçse dy ditë më parë, paçka se në versionin soft të KDP, debati u mbajt sërish... Deputetët e PS nuk shkuan larg me polifoninë e sherrit kutist plot damkime si: “maniak, debil, politikan banaqesh, sharlatan”, etj. Siç kuptohet vetiu, niveli i mbledhjeve të PS, të asaj që quhet debat i brendshëm në PS, nuk është gjë tjetër veçse një aglomerat sharjesh. Deputetët socialistë në këtë rast kane zbardhur doracakun e fyerjeve të rënda me njëri-tjetrin. E pra, rasti ka qenë që të diskutohej për qëndrimin që do mbahej dhe derexheja u pa nga pafuqia argumentuese e Gramoz Ruçit, për nismat që deputetët socialistë paraqitën.
Por mesazhi lexohet më thellë kur kuptohet se gjithçka ka qenë e paramenduar. Sapo Ben Blushi ka mbajtur një qëndrim, të gjithë me radhë - të afërt me Kryetarin Rama - janë kundërpërgjigjur, madje me kërcënime. Por Ben Blushi e ka akuzuar Besnik Baren se
fjalimet atij ia shkruajnë të tjerët, afërmendsh sponda është për Edvinin. Pas kësaj kanë ardhur reagimet e Edi Ramës, i cili i bëri të ditur Blushit se është hera e dytë që i fyen kolegët dhe se s’do të lejonte që të kishte më herë të tretë.
Egoarku Rama i ka bërë të qartë Blushit - dhe duke sulmuar atë të gjithë LMN-së - se do t’i nxirrte jashtë në rast se vazhdonin me këto qëndrime ndaj kolegëve të homologuar me sahatin e bashkisë së Tiranës. Ashiqare sherri ka pasuar më i ashpër me deputetin dhe botuesin Fatmir Toçi, botues i romaneve të Blushit dhe njeriu i përqindjeve të larta që merr nga librat. Toçi, ky i fundit pra, i është drejtuar Blushit duke i thënë se, “mund të shkatërrojë çdo gjë vetëm për të parë veten në televizion”, duke i kujtuar se i ka ende disa mesazhe në telefon që ia komprometojnë ndershmërinë prej shkrimtari, se ai i paskërkësh kërkuar lekë për librin “Të jetosh në Ishull” apo për romanin e fundit “Otello, Arapi i Vlorës”.
Fyerje, sharje me libër shtëpie si ato të tipit të lehtë “sharlatan” e “shkërdhatë”, janë dëgjuar në sherrin mes dy deputetëve Blushi e Toçi. Blushi që nuk ia përton askujt i ka thënë në debat e sipër “debil” legjendar, sozisë së Edi Ramës, Eduart Shalësi.