E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pavarësia e pakthyeshme”! Në cilat koordinata?

Kur eminenca diplomatike botërore konstaton se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme” ata mendojnë për vetëm një “shkallë” në procesin për zgjidhjen e çështjes historike, për këtë rast, (vetëm) të Kosovës. Pra, është arritur vetëm një shkallë në proces, është arritur pavarësia. Por, pavarësia është e plotë kur ka sovranitet, kurse dihet se Kosova aktuale është “e mbikëqyrur” nga pikërisht ata që duke mos e pranuar Pavarësinë e Kosovës, e shkelin sovranitetin e saj me aparatin administrativ ekzekutiv politik, ekonomik, policor dhe ushtarak. Kosova është vërtet shtet i pavarur, por nën protektoratin e OKB-së të cilin e implementon BE-ja. Protektorat d.m.th. sovrani mbi një shtet të pavarur, që është ose në fazë të krijimit ose në një gjendje krize të cilitdo dimension politik, ekonomik, etnik, etj. Propaganda e egër e protektoratorit (në gjuhën shqipe, në mediat e Kosovës) ka arritur të krijojë opinion që insiston ta bindë masën, se “pavarësi” do të thotë edhe “sovranitet”. “Diplomacia” në Shqipëri, në Maqedoninë Perëndimore dhe në Kosovën Lindore, sikur e akorduar mrekullueshëm propagandën e protektoratorit, e hesht si peshku, kur duhet problematizuar çështjen e sovranitetit dhe e garantojnë këtë duke u mbështetur në floskulë frazën “Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme”.
Kur thua “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme” ti nënkupton se zgjidhja e çështjes është definitive dhe nuk kemi pse nisemi më larg në këtë drejtim. Dhe kur nuk nisesh më larg, në këtë linjë mbretëron “status quo” e kualifikuar nga NATO-ja si “gjendje stabile”. Prandaj, në Kosovë, çdo refuzim i situatës “stabile” (siç refuzon vetëm dhe ekskluzivisht “Vetëvendosja”) një pjesë e madhe e popullit e kupton si një “mosmirënjohje politike” ndaj atyre që na kanë sjellë pavarësinë (se ne paskemi qëndruar duarkryq), të cilën ata edhe pse na kanë sjellë nuk e pranojnë, kurse sovranitetin e saj e mbajnë në duart e veta duke penguar popullin shumicë të vetëvendos me referendum, siç garantojnë të gjitha konventat ndërkombëtare.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, zoti Philip Gordon, thotë se “Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme” dhe kështu, në të njëjtën ligjëratë ku po ashtu konstaton se (citojmë) “historia problematike e Ballkanit, si në fillim ashtu edhe në fund të shekullit të njëzet ka qenë rezultat i kufijve të paharmonizuar gjeopolitikë dhe etnikë dhe mosekzistimit të mekanizmave adekuatë politikë që kjo të kapërcehet” (fund i citatit). A e ka “kapërcyer” “historinë problematike” të Ballkanit Pavarësia e Kosovës? Nëse po, atëherë pse Kosova vazhdon të jetë protektorat ndërkombëtar edhe pse është shpallur shtet i pavarur me verdiktin e popullit? A i ka harmonizuar pavarësia e Kosovës “kufijtë e paharmonizuar” që kanë qenë shkaku “problematizues” i Ballkanit në fillim dhe në fund të shekullit njëzet (pas rënies së Perandorisë Osmane)? A i ka “kapërcyer” pavarësia e Kosovës kufijtë e fillimfundshekullit njëzet edhe sot, kur Serbia (lexo: Rusia) nuk lejon kufij shtetërorë në veri të Kosovës dhe konstrukton artificialisht enklava serbe (decentralizimi) në gati gjysmën e territorit të Kosovës, edhe pse në Kosovë nuk jetojnë më shumë se 5% e popullsisë serbe. “Shtyrja” e kufirit shtetëror të Kosovës, që e ka bërë Mali i Zi vitin e kaluar, ka qenë një “kapërcim” ose një riproblematizim edhe më i thellë në këtë drejtim. Kështu mund të themi edhe për kufirin (Debellde) me Maqedoninë, ku shqiptarët “urtarë” “diplomatë” kanë kujtuar se janë të mençur dhe të pavarur vetëm pse kanë dëgjuar këshillat e “miqve” që sot janë sovranë të Kosovës.
Po si në fillim dhe në fund të shekullit njëzet, edhe në fillim të shekullit njëzet e një, nuk po zgjidhet asnjë çështje e copëtimit të Shqipërisë Etnike në Ballkan. Përkundrazi, Këshilli i Sigurimit po e komplikon çështjen edhe më shumë, pasi që pas vitit 1999 shqiptarët ndahen në pesë shtete, derisa para suprimimit të shtetit të Jugosllavisë, jetonin vetëm në dy shtete. Shqiptarët e Ballkanit (përveç ata në Shqipëri) ende jetojnë nën protektoratin ndërkombëtar të influencës politike të Rusisë, si dhe ende jetojnë nën sundimin e pushteteve okupatore në Mal të Zi, në Serbi (Lugina e Preshevës), në Maqedoni.
Kosova është e pavarur. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, por në Ballkan asgjë nuk ka ndryshuar që nga Konferenca e Ambasadorëve. Kosova është e pavarur, por ende nuk është zgjidhur çështja e kufijve të saj. A janë këta kufij të Kosovës, apo të Versajës? Të Ivanoviqit dhe Galluçit në Mitrovicë? Dhe a kanë ndryshuar këta kufij që nga Konferenca e Paqes (1946) në Paris? Evropa nuk po e zgjidhë çështjen shqiptare. Përkundrazi, nuk po i suprimon të gjitha marrëveshjet e konferencave të saj të fillimshekullit njëzet, me të cilat e copëtoi Shqipërinë.
Prandaj, si thotë edhe ambasadori Dell, duhet të dalë një parti ose një lëvizje e re politike, e cila do të dijë t’i kuptojë shqetësimet e popullit shqiptar dhe e cila nuk do të bashkëpunojë me argatët e vjetër të Rusisë, sot të instaluar në “misionet” evropiane në Kosovë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›