E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aliu në rezidencë

Shkrimtarit kosovar Gëzim Aliu i është ndarë bursë nga KulturKontakt Austria për qëndrim dymujor në vitin e ardhshëm në programin “Writers in Residence”, në Vjenë.

Shkrimtarë nga Evropa Lindore e Juglindore, për çdo vit përzgjidhen për të marrë pjesë në programin “Shkrimtarët në rezidencë”.

Ky program u mundëson shkrimtarëve t’u përkushtohen projekteve të tyre letrare, si dhe për të qenë më të pranishëm në skenën letrare e kulturore të Austrisë e më gjerë.

Gëzim Aliu, shkrimtar dhe studiues i letërsisë, deri më tani ka botuar një libër studimor mbi prozën e Kadaresë dhe romanin “Në Klubin e të shëmtuarve”, me të cilin qe shpërblyer në vitin 2009 për romanin më të mirë nga Ministria e Kulturës e Kosovës. Autori, gjatë qershorit të këtij viti, së bashku me Ag Apollonin dhe Ervina Halilin, kishte prezantuar letërsinë e re shqiptare të Kosovës në Grac të Austrisë, ngjarje letrare e organizuar nga revista Lichtungen dhe qyteti i Gracit.

Temë kryesore e revistës ishte Letërsia e re e Kosovës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›