E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse nobeli i Transtromer na i mbushi sytë me lot

Transtromer është i pari poet suedez që merr çmimin “Nobel” për letërsinë në këto 30 vitet e fundit dhe pas një nderi të tillë bashkëpatriotët e tij kanë nisur që të diskutojnë në lidhje me këtë fakt. Një nga kritiket më të famshme letrare suedeze, Ingrid Elam, thotë se ky është një çmim plotësisht i merituar dhe i shumëpritur.

Përse mendoni se Akademia Suedeze vendosi që t’i japë Nobelin e letërsisë poetit Tomas Transtromer?

Mendoj se pyetja e drejtë për t’u bërë në këtë rast është se përse nuk e bënë më parë? Ai ka qenë në krye të listës për shumë e shumë vjet. Transtromer është një poet shumë i njohur jo vetëm në Suedi, por edhe jashtë saj. Është përkthyer në shumë gjuhë të huaja dhe për të kanë një vlerësim mjaft të madh në të gjithë botën e poezisë dhe të letërsisë në përgjithësi.

Kjo është e para herë në tre dhjetëvjeçarët e fundit që çmimi i letërsisë i jepet një suedezi. Çfarë domethënie ka kjo për popullin suedez? Dhe cila është domethënia e këtij çmimi për vetë letërsinë?

Mendoj se ka një arsye për të cilën Komiteti i Nobelit hezitoi për një kohë të gjatë. Arsyeja është se Nobeli i letërsisë u është dhënë autorëve suedezë 40 vjet të shkuara dhe pas kësaj pati shumë debate dhe diskutime. Akademia suedeze u kritikua, sepse autori që mori Nobelin nuk ishte shumë i famshëm. Sa për poetin në fjalë, emri i tij është diskutuar për një kohë të gjatë dhe ka qenë në krye të listës dhe ndihemi të gjithë shumë mirë që më në fund ai arriti ta marrë Nobelin e shumëmerituar. Suedezët nuk kanë marrë shpesh çmime të tilla të mëdha. Në fakt është një çmim që u akordohet autorëve shumë të mëdhenj me famë ndërkombëtare. Por ndërkohë u është akorduar në më të shumtën e rasteve të bardhëve, meshkujve, perëndimorëve dhe shumë pak afrikanë kanë pasur rastin që të marrin këtë çmim. Por nëse ka ndonjë person që meritonte Nobelin e letërsisë pikërisht në këtë moment, ky është vetëm dhe vetëm Transtromer.

Përse e thoni një gjë të tillë?

Ai ka 50 vjet që shkruan poezi dhe e ka vërtetuar se mund të mbijetojë si poet. Edhe brezat e rinj që e kanë zbuluar poezinë e tij e shijojnë sikundër edhe brezat më të mëdhenj, sepse ai është universal dhe të gjithë kanë qasje në vargjet e tij. Madje edhe ata që zakonisht nuk lexojnë poezi bien në dashuri me poezinë e tij. Njëherazi ai është një autor shumë kompleks dhe shumë i saktë në imazhet e tij. Ai, për shembull, kërkon që të gjejë imazhe për çdo ndjenjë apo situatë; e sheh botën si një tërësi imazhesh dhe në këtë situatë kërkon vetëm që të gjejë imazhin e duhur për ndjenjat e caktuara. Mund të them, mbi të gjitha, që ai është një mbijetues. Kjo do të thotë se është edhe një poet i modernizmit. Ai udhëton me poezinë e tij dhe e merr edhe lexuesin në këtë udhëtim. Ai shkon makinë më makinë, autobus më autobus, tren më tren, është një botë që ti e njeh dhe një botë që e ndien, ndërkohë që po e shikon nga një këndvështrim që nuk e ke parë më parë. Kjo, sepse poeti gjen shprehjen perfekte dhe imazhin perfekt të gjithçkaje. Në poezinë e tij ka shumë muzikë.

Transtromer ka që nga viti 1950 që boton. Si mendoni në çfarë përmase reflekton vepra e tij ndërgjegjen kolektive?

Po pse, a ka vallë ndonjë ndërgjegje kolektive suedeze? Siç thashë ka gjetur mënyrën që të jetë edhe një poet modern. Por njëherazi është një poet shumë ekzistencialist. Në poezinë e tij ka shumë keqardhje, dëshpërim, vdekje dhe jo vetëm në poezitë e viteve të fundit, por që nga fillimi. Por sigurisht që ka edhe shumë dritë. Dikush ka thënë se është si në rastin e Biblës, ku Zoti ka vënë të mirën dhe të keqen bashkë, dritën dhe errësirën. Edhe poezia e tij është e tillë, plot me dualizime.

Poeti është prekur nga një paralizë dhe mezi flet. Sa mendoni se një ngjarje e tillë ka ndikuar në mënyrën se si ai shkruan?

Ka shumë ndikim. Në fakt që nga ai moment ai nuk ka shkruar shumë. Përmbledhja më e rëndësishme së fundi është “Gondola e trishtë” e frymëzuar nga një pjesë pianoje e Franc Listit. Ka shtuar edhe poema të tjera ndërkohë. Në këto vepra të kohëve të fundit mund të vësh re një lloj përhumbjeje të tij, një shkëputje të tij nga realiteti. Në fakt ai shkruan me ndihmën e të shoqes tani, e cila edhe i përkthen poezitë e tij në anglisht.

A ka ndonjë gjë tjetër që do të donit të shtonit për këtë rast?

Jam shumë e lumtur dhe thuajse e lehtësuar që më në fund ky poet mori atë që meritonte. Në fakt edhe pse është shumë vonë, më mirë vonë se kurrë dhe një lajm i tillë na bëri të gjithëve që të na mbusheshin sytë me lot.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›