E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alkena del nga shtëpia e BBA 4

Thashetheme, surpriza, debate dhe emocione. Spektakli i së shtunës ndryshon dinamikat brenda shtëpisë. Neda vazhdon lojën dhe do të jetë këtë javë lidere e shtëpisë dhe do të përfitojë bonuese nga “Vëllai i Madh” Nga Express më 05 shkurt 2011 në ora 23:07

Spektakli i së shtunës ka sjellë shumë dinamika si në marrëdhëniet me banorët, ashtu edhe për surprizat që “Vëllai i Madh” u kishte përgatitur. Alkena është votuar nga publiku për të lënë shtëpinë, ndërkohë që Neda dhe Jonela vazhdojnë lojën. Klipi i thashethemeve ka shkaktuar një debat mes Nedës dhe Jonelës, për marrëdhënien e saj me Ogrenin. Gjatë spektaklit u lexuan pesë letra që banorët i kanë shkruar njëri-tjetrit. Kanë qenë fjalë të mira, por edhe të këqija. Algeni ka takuar nipin, ndërkohë që një surprizë i ka ardhur edhe Petritit.

Flasin të nominuarat
Nga një vendim i “Vëllait të Madh” gjatë spektaklit të shkuar, në nominim shkuan vetëm vajzat që nuk i kishin provuar më parë ethet e eliminimit. Më të votuarit ishin Neda, Alkena dhe Jonela. Gjatë javës banorët kanë komentuar ndryshimin e sjelljes së tyre, ndërkohë që ato vet tregojnë se si e kanë përjetuar nominimin e parë. Alkena ka thënë se këtë javë ka pasur një energji shumë pozitive dhe vet banorët ia kanë vënë në dukje se ajo ka qenë më shumë aktive këtë javë. Mes vajzave, Alkena ka thënë se do të dëshironte që këtë javë ta linte shtëpinë Jonela. “Është e edukuar dhe e sjellshme, por e konsideroj si të brishtë për situatën ku ndodhemi”, - ka thënë Alkena. Jonela ka zgjedhur po Alkenën për të dalë, sepse sipas saj ajo donte të njihte më mirë Nedën. Neda nga ana e saj ka zgjedhur Jonelën, duke thënë se Alkena kishte ende shumë për të dhënë brenda shtëpisë.

Prova e liderit
Shtëpia do të ketë sërish një lider gjatë javës që nuk vjen. Si rezultat i provës që në fazën e parë ka testuar inteligjencën e banorëve dhe në të dytën kujtesën, fituese ka dalë Neda. Një pjesë e banorëve nuk kanë qenë të kënaqur nga ky fakt. Duke qenë se Neda ishte një nga vajzat në nominim, që në fillim Arbana ka sqaruar se nëse ajo lë shtëpinë këtë javë, lider do të jetë Petriti, meqenëse ka dalë i dyti në provën e javës.

Vajzat përballen për thashethemet
Një klip i transmetuar gjatë spektaklit tregon për thashethemet që janë bërë këtë javë në shtëpi. Ato kanë qenë kryesisht për Nedën dhe Ogrenin. Vajzat ftohen të shkojnë të gjitha te dhoma e surprizave. Pas kripit, secila prej tyre ka mundësinë që të flasë hapur për ato që mendon. Ashtu siç u pa nga klipi, Jonela, Klodjana dhe Ermela kanë biseduar gjatë rreth marrëdhënies së Nedës me Ogrenin. Gjatë javës Jonela është afruar me Ogrenin dhe është munduar të justifikohet duke thënë se e ka bërë këtë pasi donte të provokonte te Ogreni shfaqjen e hapur të asaj çka ai ndiente për Nedën. “Duke qenë se jam femër vet, kam dashuruar ose kam pëlqyer, nuk më ka ardhur mirë që kjo ndjenjë që ka shprehur Neda nuk i është kthyer me të njëjtën monedhë. Nuk kam diskutuar për këtë bisedë me Nedën, sepse kam vënë re se ajo ka dyshuar jashtë mase te unë”, - ka thënë Jonela. Ky klip ka shkaktuar reagimin e Nedës, e cila u ka thënë vajzave se ato çka ndien ajo apo si vepron kundrejt Ogrenit, nuk u takojnë atyre. “Unë mbahem te këmbët e mia dhe nuk më mungon inteligjenca për të kuptuar një njeri që kam përpara. Në momentin që një njeri ndjen, ndryshon dhe ti nuk mund të dashurosh kurrsesi në mënyrën që dashuroj unë. Ju falënderoj të gjithave që jeni munduar të më hapni sytë”, - ka thënë me ironi Neda. Ajo i është përgjigjur edhe Klodjanës, duke i thënë se dashuria nuk është vetëm seks, dhe me një njeri mund të bisedosh edhe me orë të tëra. Jonelës i është kundërvënë edhe Alkena, duke i thënë se ajo kishte premtuar kur hyri në shtëpi se nuk do të merrej fare me të tjerët dhe gjendet në qendër të thashethemeve. Alma replikon me Ermelën, duke i thënë se ajo po bën thashetheme për një çift, kur vet i akuzoi banorët se flisnin për lidhjen e saj me Ervinin.

Letrat e fshehta
Banorët kanë shprehur sërish në letër mendime që nuk ua kanë thënë më parë banorëve. Këtë radhë kanë shkruar për një ose dy banorët që kanë menduar se kanë ndryshuar. Klodjana merr tri arra nga pema e thashethemeve. Letra e parë i drejtohet Algenit. Aty thuhet: “Po të drejtohem ngaqë je më i madhi në moshë. Mëso të dëgjosh të tjerët kur flasin dhe respekto mendimin e tyre”. Algeni mendon se ia ka shkruar Klaudia, ndonëse nuk mësohet kush e ka shkruar. Algeni nuk pranon ta komentojë letrën, duke thënë se duhet ta mbajë ai që e ka shkruar. Dy letrat e tjera i kushtoheshin Nedës. Të parën e kishte shkruar Algeni, duke i thënë se, “hekuri rrihet sa është i nxehtë”. Neda nuk ka pranuar ta komentojë kur ka mësuar se e ka shkruar Algeni, duke thënë se nuk e meriton t’i harxhojë fjalët. Letrën e dytë ia ka kushtuar Ogreni, duke i shprehur edhe njëherë mbështetjen e tij. “Të luftosh për të ndryshuar është sfidë e vështirë, ta fitosh atë është e bukur. Të lutem të kesh guxim, sepse nuk je vetëm. Çdo ditë që kalon je kuptimi i jetës sime, je vetëm ti Neda”, - ka shkruar ai. Ndonëse nuk reagon me entuziazëm, Neda thotë se nuk e ka gënjyer intuita ndaj tij, dhe kjo ishte provë. Dy letra të tjera i merr më vonë Alma nga pema. E para është për Ogrenin. Atë ia ka shkruar Ergysi, duke thënë se Ogreni nuk bën më kalkulime, por e merr si të vijë jetesa brenda shtëpisë. “Më vjen më mirë që të shoh më të qetë e të thjeshtë. Në këtë shtëpi është më mirë kur jeton atë që ndjen. Jeta nuk është matematike, njerëzit nuk i ka bërë të gjithë një nënë dhe pranoji ashtu siç janë”, - thuhet në të. Letra tjetër i është drejtuar Ermelës nga Shkëlqimi. “Mendoj se këtë javë ke ndryshuar duke u hapur me banorët e tjerë e duke treguar për veten. Kjo gjë të ka bërë të mirë, kam njohur karakterin tënd të fortë dhe sensin e humorit”, - thuhet në të.

Largohet Alkena
Alkena, vajza nga Kosova e ka përfunduar aventurën e saj në “Big Brother”. Ajo ka qenë më e votuara nga publiku mes saj, Nedës dhe Jonelës. Alma dhe Neda e kanë pritur me përlotje largimin e saj.

Algeni takon nipin
Në dhomën e rrëfimit Algeni është shprehur se i mungonte nipi i tij,Kledio. Ai ëshë futbollist. Algeni sheh në fillim një klip me foto të tij, pastaj Arbana e fton të shkojë jashtë. Atje janë tri porta. Algeni duhet të bëjë tre gola që të marrë dhuratat që i ka dërguar nipi: dy kupa si golashënuesi më i mirë dhe bluza që i ka dhuruar Kandela, futbollisti i Romës. Pasi ka marrë dhuratat, Algeni hyn në oborr ku takon nipin e tij. Ata çmallen me njëri-tjetrin për disa minuta.

Surprizë për Petritin
Petriti është një djalë plot fantazi, që e shijon jetën në maksimum. Pasionet e tij më të mëdha janë fotografia, sportet, tatuazhet, kafshët, të gjitha këto gjëra që i mungojnë shumë. Ai kujton veçanërisht një ditë kur ka bërë ski me snowboard. Arbana e fton të dalë në oborr për të parë një klip, pasi ka persona që e kanë parë klipin e tij. Në oborr hyn Puma, qeni i Petritit, i cili ka me vete skicën e tatuazhit të Petritit.

Poezia e hënës
Marceli dhe Ergysi gjatë gjithë javës janë marrë me misionin për recitimin e hënës. Çdo natë në orën dy, fshehtas nga banorët ata i kanë recituar hënës. Si shpërblim kanë ngrënë dreka të posaçme. Vëllai i madh u ka përgatitur atyre një darkë speciale në dhomën e rrëfimit dhe i shkëput nga banorët duke u thënë se ata kanë bërë një gabim. Në fakt, vet ata bëhen pjesë e një loje nga “Vëllai i Madh”. Banorët shikojnë klipin dhe mësojnë për misionin. Arbana u thotë djemve të shkojnë në sallon, por të justifikohen për mungesën. Situata bëhet qesharake, pasi banorët janë në dijeni të misionit të tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›