Fotografitë e kujtesës

Andi përsëriste me vete, i bindur se tanimë e mbante mënd dhe e kishte të qartë konceptin e fotografive të kujtesës: “Foto kujtese janë ato momente që të ngelin gjatë në mëndje, që të risjellin nga hapësira në kohë, çaste unike dhe që lenë hije edhe më pas në jetën e personit që i përjeton. Janë koncentrimi i momenteve ose situatave të jetuara vrullshëm”. Prestigjatori i kishte thënë se nuk ishte e nevojshme që ta mbante mënd kështu siç ia kishte thëne ai, “nuk jam mësues i rreptë”, por e rëndësishme ishte që Andi ta kuptonte ketë përkufizim. “Duhet të më sjellësh shembuj nga jeta jote, fotografi kujtese nga personat që njeh, mundësisht nga ata që jenë më afër teje, familjarët, ata njeh më mirë”. Që prej asaj dite Andi kishte filluar “kërkimet”. Kujtonte nënën, babain, motrën, jo si adoleshent i larguar nga shtëpia për pushime, por për qëllime “studimi”. Ishte përpjekur gjithë mbasditen, por ndjente se vinte vërdallë një rrethi pa rrugëdalje. Ditën e parë, kur kishte parë prestigjatorin me numrat e tij, me atë shami të madhe, nga ku dukeshin dhe zhdukeshin, lule, pëllumba, vezë dhe zinxhirë, nuk e kishte menduar se të bëheshe si ai duhet të kaloje gjithë këto prova njohjeje dhe të ishe i aftë të shihje kaq thellë brenda natyrës njerëzore. Për herë të parë në jetën e tij, ndërsa ndiqte shfaqjen, ishte bindur se më në fund e kishte zgjedhur një profesion, por më vonë pasi u njoh me idhullin e tij, pa se ishte e vështirë. Para se prestigjatori ta vinte në provë dhe ti mësonte ndonjë të fshehtë, Andi duhej ti tregonte se ishte i aftë të njihte njerëz dhe karaktere, në mënyrë që sipas rastit të përdorte truket dhe të mos dështonte asnjëherë. ”Edhe pse nuk duket, është një profesion i bazuar në njohjen e dobësive të njerëzve... deri në njëfarë shkalle, pastaj kur flasim për nivele të larta... në këtë pikë, deri tani... as unë nuk jam i aftë të të mësoj asgjë”. Pluskonte në këto ujëra Andi, derisa gjeti fotografinë e parë në kujtesën e tij. Kishte të bënte me motrën. Ngjarja kishte ndodhur para rreth një viti. Ajo sapo kishte mbushur 16 vjeç ndërsa Andi 13 dhe prindërit vendosën se duhej t’u ndanin dhomat. Ishte mbasdite vonë kur ai hyri në shtëpi dhe pa se dhoma e tij dhe e së motrës ishte rrëmujë. Babai, i kujdesshëm që të mos gërvishte muret me krevatin që po spostonte, ndërsa nëna i tha se më vonë do t’i shpjegonte gjithçka. Motra, këndshëm turbulluar nga mundësia, tanimë e bërë realitet, për të pasur një dhomë të sajën, nuk mund ta vinte re. Kur gjithçka mori fund, Andi hulumtoi tek dhoma e tij një hapësirë të madhe bosh pa ditur se ç’të bënte me të. Hyri e motra dhe mori të fundit gjë që i kishte ngelur, një çantë tualeti të vogël që ai ia hidhte sa andej-këndej. Ajo ishte duke kaluar pragun dhe u kthye ngadalë, shumë ngadalë, aq sa të bënte përshtypje gjithë ai ndryshim i menjëhershëm i ritmit të ecjes. Dukej sikur diçka e kishte tërhequr me force nga pas. Vështroi Andin me një keqardhje dhe mall të cilin ai kurrë nuk e kishte kuptuar, por dalloi mirë në mimikën e saj këto emocione të pazakonta. Nuk e kuptonte, do të vazhdonin të ishin në të njëjtën shtëpi, ajo do të ishte vetëm dy metra më tej.
Figura e saj që largohej, përsëri e gëzuar me çantën e tualetit në dorë ishte një vazhdimësi dhe keqardhja e malli i saj i befasishëm i kishin ngelur në mëndje gjatë, pa mundur ti përthithte gjithë kuptimin. “Të ishte kjo një fotografi kujtese?!” Ia kishte treguar prestigjatorit-mësues dhe ai i kishte thëne se ishte vërtet një fotografi e bukur kujtese. Më në fund ia kishte dalë. Kjo do të thoshte se një ditë mund të njihte truket e të fshehtat e profesionit të prestigjatorit dhe mbase një ditë mund të bëhej prestigjator i vërtetë?!?! Megjithatë duhej akoma të vazhdonte të gërmonte brenda vetes, të gërmonte thellë e me thellë, të arrinte një “proces njohjeje” që t’i jepte siguri në marrëdhëniet me publikun... kështu që... përsëri në kërkim. Shokët e tij kalonin pushime të gëzuara, por Andi shfrytëzonte këto momente për të arritur qëllimin e tij, të provonte të bënte sa më shpejt një numër shpejtësie. Gërmoi përsëri në kujtimet e tij. Edhe pse kishte gjetur një foto kujtese, gjetja e së dytës ishte po aq e vështirë. “Janë momente unike, të përjetuara me intensitet” dhe përsëri një kujtim i largët, përsëri me të motrën: Një mbrëmje vonë, kur të gjithë flinin, ai ishte ngritur për të shkuar në banjo, ndërsa ndjeu të hapej dera e apartamentit. Hyri e motra me fundin e rrudhosur dhe flokët e shpupuritura. Babai e kishte porositur të kthehej herët, sidomos që tani dilte një djalosh dhe e priste gjithmonë tek cepi i pallatit. Takoheshin dhe harroheshin, derisa dikush kujtohej dhe e merrte në telefon. Atë natë askush nuk e kishte marrë në tel. Ishin të gjithë duke parë TV, ndërsa Andi ishte përgjumur dhe ashtu, këmbadorazi, kishte shkuar në shtratin e tij. Prindërit dremisnin në divan.
Ishte vërtetë shumë vonë për t’u kthyer në shtëpi.
Ajo nuk kishte folur, vetëm i ishte lutur me vështrim që ta mbante të fshehtë, por jo vetëm kaq. Sytë e saj ishte i kishte ngjyrosur “e drejta” për të bërë atë që donte dhe dëshira që ai të mos e tradhtonte tek prindërit. Do të ngelej sekreti i tyre. Ai nuk do ta tradhtonte në rastin më të parë që ajo nuk do t’i plotësonte një tekë, nuk ishte një lojë fëmijësh.
“Edhe kjo është një fotografi e bukur kujtese, - i kishte thënë “mësuesi-prestigjator”, - vazhdo kështu, je në rrugë të mbarë” dhe i kishte treguar për ambiciet e tij. Ëndrra e tij ishte që, pasi ta kishin zhytur në thellësi dhe ta kishin lidhur me zinxhirë të dilte pas 15 min, kështu që thyente edhe rekordin e mëparshëm. Të ishte i vetmi në botë me aftësi të tillë, më i miri. Për Andin ishte e vështirë të kuptonte këtë dëshirë. Atij i mjaftonte vetëm, të nxirrte pëllumba nga shamia dhe të shihte habinë në fytyrat e personave përreth. Ka për të ardhur dëshira më vonë - i kishte thënë prestigjatori dhe e kishin lënë aty diskutimin për atë ditë. “Vazhdo me fotot e kujtesës. Ke treguar se ke talent, por duhet akoma shume pune. Dhe përsëri Andi në mendimet e tij kërkuese. Mbante mënd se një ditë kishte vrarë gjurin, e kishin çuar në spital, por kjo nuk ishte një foto kujtese, sepse asgjë nuk kishte lënë gjurmë më pas, përveç shenjës tek gjuri i vrarë. Po sillte në mënd babain, që në përgjithësi ishte mosbesues... ndonjë moment që mund ta personifikonte... ai ishte i rreptë dhe jo shumë i durueshëm, ndonjëherë edhe i egër. I vinte në mënd kur hynte në rruginën e pallatit, mbi motor, me shpejtësi anormale dhe ndërsa zbriste i hidhte një vështrim të shpenguar adoleshentëve që ishin aty si për t’u thënë: Mua më lejohet, jam i rritur, por ju nuk duhet ta Beni, as kur të rriteni”.
Para një viti, Andi duhej të zgjidhte se ku kishte dëshirë të vazhdonte studimet e mesme, në shkollë profesionale apo të përgjithshme. E dinin që nuk i pëlqente shumë të studionte dhe babai po kërkonte ta bindte të shkonte në shkollën profesionale ku kishte qenë ai vetë. “Do kesh një punë të sigurt, mund të arrijmë të punojmë bashkë”, - por Andit nuk i pëlqente të bëhej mekanik. Me muaj të tërë babai i kujtonte se ishte koha e zgjedhjes dhe se herët a vonë duhej të vendoste, derisa atë dite ishte i drejtpërdrejtë. Andi nuk e miratoi dhe ai ishte kthyer nga nëna duke thëne se nuk kishte durim të merrej me të birin, se ai rrezikonte të shndërrohej ne një parazit që nuk kishte dëshirë të bënte asgjë, as të studionte as të mësonte. Kujtonte nga ajo mbasdite mënyrën se si babai braktisi tryezën dhe atë vetë. Më shumë se fjalët e preku mllefi i tij. Për një moment u ndje jashtë dashurisë atërore dhe i erdhi shume keq. “Sa herë që do bëj diçka që atij nuk do ti pëlqejë, nuk do më doje?!”, - dhe u mbyll në vete për ditë të tëra.
E kishte shoqëruar për gjithë ato kohë vështrimi i kujdesshëm i nënës. E ndiente se si e përkëdhelte prej së largu. “Edhe kjo është një foto e bukur kujtese”, - i kishte thënë mësuesi dhe ndërkohë vazhdoi t’i tregonte për planet e tij që kishin të bënin me thyerjen e rekordit të daljes nga kafazi i hekurit, zhytur në ujë. “Kur del pas 20 min... gjithë bota të adhuron... dukesh si i ringjallur”, ndërsa Andi vazhdonte të mos e kuptonte ketë dëshirë. Vazhdonte t’i mjaftonte habia e fëmijëve të rreshtit të parë që preknin trëndafilat e dalë nga shamia për të parë se a ishin të vërtetë.
Edhe pak dite kishin ngalur nga kampingu. Andit i duhej të gjente akoma disa foto, kështu që do të ishin të sigurte se do ta njihte veten më mirë “profesionalisht”. Nga nëna, diçka nga nëna. Që ditën e parë ishte munduar të sillte ndonjë kujtim me atë, por i dukej e pamundur. I dukej gjithmonë e vogël, me ecje të ngadaltë, tani që e shihte nga “jashtë”. Gjithmonë e dashur dhe e gatshme për të gjithë, por asnjë foto kujtese me atë vetë?!?! Asnjë foto që të bënte të pavdekshëm një kujtim dhe kjo gjë e kishte vënë në mendime Andin. Tre ditët e fundit ishte marrë vetëm me fotot që mund të gjente me mamanë. Po të sforcohej, mbase gjente edhe ndonjë tjetër me motrën dhe babain, por ai donte një foto kujtese me nënën. Diçka që të ketë lënë hijen e vet edhe në ditët e mëpasshme?!?! sa keq që nuk e gjente… ishte e mundur të mos ekzistonte?!!I vinte në mënd ajo kur vinte pasdarke tek shtrati i tij, e vogël e mysët, i përkëdhelte kokën, e mbulonte ngadalë me një vështrim që endej ngeshëm në gjithë fytyrën e tij dhe e puthte. I dukej e vetme nëna ashtu, e përkulur mbi të si një mjellmë e bardhë dhe e brishtë.
Mbaruan edhe pushimet. Mezi priste të kthehej në shtëpi. E kishte marre malli për të gjithë, por mbi të gjitha donte të kishte nënën afër, ta vështronte me këtë syrin e ri, të kuptonte diçka më shume prej saj, nuk i interesonin më fotot për t’ia paraqitur mësuesit të tij, por donte që t’i gjente. Ditën e parë rrinte gjithë kohës afër asaj, të shihte atë që i mungonte në kujtesën e tij... mbase e gjente... por nëna ishte ajo e përhershmja, e ledhatonte me vështrime dhe puthje.
Erdhi mbrëmja. Shkoi të flinte më herët se zakonisht, por ndërsa ishte në krevat ndjente se duhej të priste edhe pak... ja tani ajo do të vijë të më thotë “natën e mire” dhe tamam si në kujtime erdhi dhe i përkëdheli flokët kokën. Andi i tha “natën, por nuk donte që ajo të largohej. Donte t’i tregonte për kampin e pushimit, pasionin e tij të ri për numrat e shpejtësisë, për fotot e kujtesës dhe shqetësimin e tij në lidhje me fotot që nuk kishte me atë, nënën e tij... por sa e vështirë ishte t’i tregonte për të gjitha këto. Me vështrim i thoshte të rrinte edhe pak aty dhe ndërsa ajo u ngrit lehtë, Andi e pyeti tinëz, i mbrojtur nga gjysmerrësira e dhomës: “Mami, je e lumtur?” Ajo nuk u përgjigj, por edhe Andi nuk kërkonte një përgjigje. Kaluan shumë çaste në heshtje të rëndë dhe ajo ngadalë, shumë ngadalë u përkul, e përqafoi dhe nisi të qante në kraharorin e të birit. Ngelën ashtu të përqafuar për shume kohë, aq sa nuk e mbajtën mënd, sepse koha u shkërmoq dhe u bë pluhur i bardhë. Ajo ndjeu se diçka i lëçiste së brendshmi, dikush që ishte biri i saj po kërkonte ta kuptonte dhe ngushëllonte, ndjeu se ringjallej. Qau edhe Andi, derdhi frikshëm 2 lotët e parë të pjekurisë së tij dhe atë moment e kujtoi si fotografinë më të ndjerë të jetës së tij.
Marrë nga tiranacalling. wordpress. com