ETC e mbyll fushatën për prodhimet vendore

Kompania ETC ka përmbyllur fushatën në përkrahje të prodhimeve vendore, me ç’rast për dhjetë ditë sa ka zgjatur kjo fushatë në të gjitha pikat e kësaj kompanie janë promovuar dhe janë shitur produkte vendore në vlerë 595 mijë euro, që do të thotë se ky promovim ka kontribuar në ngritjen e shitjes së këtyre produkteve 300 për qind.
Drejtori i ETC-së, Ramiz Kelmendi, të shtunën ka shtruar nevojën për një përkrahje më të madhe për prodhuesin vendor. Sipas tij duhet t’u dilet në ndihmë prodhuesve vendor në mënyrë të shtohet kontakti me konsumatorin, dhe duke iu mundësuar atyre që të arrijnë sukses.
“Unë mendoj se prodhimet kosovare kanë një kualitet shumë të lartë nga shëndeti nga analizat të ndryshme, por edhe nga pamja, nga shija, dhe e meritojnë konsumin e tyre. Por, pse ka munguar kjo formë e prezantimit dhe e promovimit ose nuk ka qenë e mjaftueshme deri sot, është për arsyeje se një pjesë ndoshta e kolegëve të mi nuk kanë dashtë të jenë pjesë e shpenzimeve të marketingut në mënyrë që t’u ndihmohet, por sigurisht kanë bërë hapësirë të mjaftueshme të ekspozimit të tyre, por jo me bë edhe pagesa televizive në media në mënyrë që atyre t’u ndihmohet”, ka thënë ai.
Kelmendi ka shpalosur edhe planet e kompanisë që ai drejton, sipas të cilave ETC do të zgjerohet edhe në Shqipëri, ku ka filluar së ndërtuari objekti i parë, dhe synohet që në vitin e parë të punës të eksportohen prodhime vendore afro 2 milionë euro.
“Kemi bërë plan strategjik të zhvillimit të kompanisë tonë prej viti 2011 deri në vitin 2016. Për këta 5 vjet mendojmë një ngritje të fuqishme të prodhimeve vendore, duke e paraqitur grafikisht. Në vitin 2009, kemi qarkulluar me prodhime vendore 30 milionë, në vitin 2010, 40 milionë, në vitin 2011 mendojmë të shkojmë 55 milionë, në vitin 2012 do të arrijmë në 75 milionë që praktikisht në vitin 2017 do të arrijë këtë vlerë në 200 milionë euro”, ka thënë Kelmendi.
Ai e quan edhe motivuese këtë shifër për prodhuesit që t’i qasen investimit dhe formave të ndryshme të marketingut, në mënyrë që të ngrisin prodhimtarinë.
Kompania ETC thotë se planifikon që të zgjerohet në të gjitha komunat e Kosovës dhe jashtë saj.