Alket Rizai fshihet ne Shqipëri?! Policia greke në ndjekje të gjurmëve të ti

Alket Rizai mungon për të katërtën herë brenda 24 orëve, pasi nuk është kthyer në burgun e Domokos pas përfundimit të lejes së dhënë nga autoritetet greke. I dënuari shqiptar kishte marrë leje nga burgu, e cila përfundonte të hënën në mëngjes, por nuk u paraqit për t’u rikthyer në qeli.
Policia greke ka nisur kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa deri tani operacioni nuk ka dhënë rezultat.
Për këtë arsye, ndaj tij pritet të rëndojnë edhe akuza të reja, ndër të tjera për armëmbajtje dhe përdorim arme.
Një grup oficerësh të Drejtorisë së Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me efektivë të Sigurisë së Atikës Juglindore, po vijojnë kontrollet për gjetjen e tij. Ndërkohë, në hetimet e policisë greke është ngritur edhe dyshimi se Rizai mund të jetë larguar drejt Shqipërisë.
Sipas informacioneve që kanë mbërritur tek autoritetet greke, gjurma e fundit e tij është lokalizuar në Greqinë e Veriut, duke ngritur dyshimet se prej andej mund të ketë kaluar ilegalisht kufirin drejt Shqipërisë.
Megjithatë, kjo mbetet një pistë hetimi dhe deri tani nuk ka konfirmim zyrtar se Rizai ndodhet në Shqipëri. Alket Rizai është një emër i njohur për autoritetet greke dhe lidhet prej vitesh me botën kriminale.
Ai është përmendur edhe për marrëdhënien e tij me të shumëkërkuarin Vasilis Paleokostas. Sipas raportimeve, vetëm gjatë pesë viteve të fundit Rizai kishte përfituar 16 leje nga burgu. Këtë herë, moskthimi i tij në përfundim të lejes ka aktivizuar një operacion të gjerë kërkimi në Greqi.