E Shtunë, 31 Tetor 2026

All Star Game pa dy yje

Kobe Bryant e Allen Iverson nuk do të jenë në gjendje t’u bashkohen ekipeve të tyre në ndeshjen ekzibicionale All Star Game, që luhet çdo vit. Yjet e Los Angeles Lakers e Philadelphia 76ers kanë pësuar lëndime dhe nuk do të jenë pjesë e spektaklit që do të zhvillohet këtë fundjavë në Dallas.

Ata janë zëvendësuar nga Jason Kidd (Dallas Mavericks) e David Lee (New York Knicks).

Bryant do të heqë dorë pas lëndimit që ka pësuar në nyje të këmbës, i cili e la jashtë parketit në tri ndeshjet e fundit të verdh e kaltërve. Kurse “The Answer” nuk ka luajtur në pesë ndeshjet e fundit të 76ers, për të qenë më afër djalit të tij, që ka probleme shëndetësore.

Në garën e shumëpritur të gjuajtjeve për tri pikë, i pranishëm do të jetë edhe Danilo Gallinari, italiani i parë në histori të këtij vendi që do ta ketë këtë privilegj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›