Rekord largimesh

Natyrisht, puna e trajnerit në kampionatin italian, Serie A, nuk ka qenë kurrë punë e lehtë e as jetëgjatë. Historikisht, në krahasim me kampionatet tjera të forta evropiane, në Itali ka pasur pak trajnerë që kanë udhëhequr të njëjtin ekip për një kohë të gjatë: nëse në Angli rasti i Alex Ferguson (në bankinën e Manchester United nga viti 1986 deri sot) është një përfaqësues i mënyrës se si duhet të shkojë raporti ndërmjet klubit dhe menaxherit, në Itali çështjet Trapattoni (në bankinën e Juventus nga viti 1976 deri më 1986, e më pas nga 1991 deri 1994) janë zhdukur.
Këtë sezon ‘virusi’ i largimit të shpeshtë të trajnerëve e ka arritur kulmin. Numri i shkarkimeve dhe i dorëheqjeve të trajnerëve këtë sezon ka hyrë në histori të futbollit italian.
Me atë të Ballardinit, numri i trajnerëve të larguar nga klubet e Serie A këtë sezon arrin në 14: përpos trajnerit të shkarkuar nga Lazio, pas xhiros së 22-të janë shkarkuar këta trajnerë: Spalletti (Roma), Gregucci (Atalanta), Donadoni (Napoli), Ruotolo/Russo (Livorno), Papadopulo (Bologna), Giampaolo (Siena), Baroni (Siena), Zenga (Palermo), Atzori (Catania), Marino (Udinese), Conte (Atalanta), Bonacina (Atalanta) e Ferrara (Juventus).
“Për ta udhëhequr një ekip në kampionatin italian duhet të jesh hero”, thoshte javë më parë trajneri i Interit, Jose Mourinho, duke iu referuar trajnerit të Juventusit, Ciro Ferrara, pak orë para shkarkimit të tij.
Trajnerët e mbetur ende në krye të ekipeve të tyre, Mourinho (Inter), Leonardo (Milan), Del Neri (Sampdoria), Gasperini (Genoa), Allegri (Cagliari), Ventura (Bari), Prandelli (Fiorentina), Parma (Guidolin) e Di Carlo (Chievo) nuk do të thotë se do ta përfundojnë sezonin aty ku janë. Një krizë eventuale mund t’i ‘përzë’ edhe ata nga puna që e bëjnë aktualisht.
“Në Itali, kur nuk arrihen rezultatet, i pari që e paguan është trajneri. Nuk mund të ndërrohen 15 futbollistë, kështu që ndërrohet trajneri. Trajneri këtu e di se mund të jetojë vetëm në bazë të rezultateve dhe që do të gjykohet vetëm në bazë të tyre. Nëse nuk arrin rezultat, shkon në shtëpi”, ankohet trajneri i shkarkuar në fillim të sezonit nga Livorno, Gennaro Ruotolo.
Rezultat dhe pikë. Ky duket të jetë parametri i vetëm i vlerës së punës së një trajneri në futbollin italian. Nëse mungojnë tri pikët në më shumë se një ndeshje, trajneri është personi i parë që e ‘han’.