E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alma Bektashi: Aty ku më fle shpirti

Ka kaluar kohë qysh kur vajza nga Kosova erdhi në Tiranë për të ndjekur studimet. Për Shqipërinë, kishte dëgjuar mjaftueshëm nga i ati, i cili tokën amë e kishte prekur herët. Ai kishte qenë disa herë në Tiranë në vitet ‘70-‘80, për të përfaqësuar Institutin Albanologjik të Kosovës, ndaj dhe Alma Bektashi, ishte e përgatitur, ajo e dinte se ku po shkonte... Pasioni për muzikën, u rrit bashkë me të. Ishte i ati, ai që aq gjatë i kishte folur për Shqipërinë, që e shtyu drejt artit. Ndaj edhe Alma Bektashi nisi të studionte piano si në ciklin e ulët, ashtu edhe në të mesmin. Vajza me flokët e arta u rrit në një familje ku secili pjesëtar di t‘i bjerë një instrumenti. Në shtëpinë atërore, në Bujanovci të Kosovës, ajo e kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën mes muzikës e këngës, ndërsa e ëma ishte dhe mbetet kritikja e saj më e madhe, mendimi i nënës në jetën personale dhe profesionale është ai që ka më shumë rëndësi për të. Kujdesi i saj, asnjëherë nuk është i tepërt, edhe tani që vitet kanë shkuar dhe Alma ka ndërtuar një karrierë dhe një familje të shëndoshë.

Që kur u prezantua për herë të parë para publikut shqiptar në fillim të viteve ‘90 në skenën e Festivalit të Muzikës së Lehtë, ajo do të dallohej për prirjen drejt muzikës xhaz... "Aty më fle shpirti, është muzika më e bukur e njëkohësisht më e vështira", komenton Alma. Ajo spikati që në fillim, jo vetëm sepse ishte ndër të parat këngëtare nga Kosova në skenën shqiptare, por edhe sepse vinte ndryshe, më çlirët, më e natyrshme. Ishte mësuar me skenën. Kur ishte 16 vjeçe, ajo këndoi në Novi Sad, për përzgjedhjen e këngës së "Eurosong"-ut, Festivalit Evropian, e më pas, më moshën 17-vjeçare, mori pjesë në Festivalin Akordet e Kosovës. Kënga e saj u shpërblye me çmimin Pllakata e Artë e Kompozitorëve të Jugosllavisë. Ky ishte edhe festivali i fundit që u mbajt. Një vit e gjysmë më pas, Alma Bektashi u bë e njohur edhe për publikun e Shqipërisë. Nisi studimet në Tiranë. Jeta po i ndërtohej ndryshe. Pas kësaj, gjithnjë e më shumë ajo shfaqej në skenë. Publiku e kishte duartrokitur, rrjedhimisht, e kishte vlerësuar e pranuar. Pak nga pak, ajo nisi të zinte një vend mes këngëtarëve më të mirë e më të vlerësuar. Në Tiranë, u njoh edhe me njeriun e jetës. Pas qëndrimit për disa kohë, ata vendosin të transferohen në Prishtinë. Ishte viti 1999, menjëherë pas luftës së Kosovës. Për shpirtin e ndjeshëm të artistes, ajo ishte një periudhë të cilën e ka përjetuar keq. "Oh... shumë e vështirë ishte ajo kohë, ishte periudha që askujt nuk i binte në mend për art, njerëzit kishin kaluar tmerre, kishin humbur të afërmit e tyre, ishin të traumatizuar, ishte një tmerr i papërshkrueshëm... Nuk kam dëshirë ta kujtoj", shprehet Alma. E megjithatë, më pas, situata ndryshoi. Angazhimet nisën pak e nga pak. Edhe një herë i duhej të "njihej" me skenën në Kosovë, në skenën e Tiranës kishte mësuar të ecte, por edhe të sillej. Mes dy skenave e ka të vështirë të bëjë një paralelizëm. "Për momentin, muzika ka devijuar së paku, kështu më duket mua. Nëse do të flas për muzikën në Kosovë, mendoj se në treg mbretëron antivlera dhe më vjen shumë keq. Janë disa këngëtarë dhe grupe roku dhe hip-hopi, të cilët përpiqen ta mbajnë artin gjallë dhe në nivel dhe kanë këngë shumë të bukura, por koncertet me kuptimin e plot të fjalës, janë të rralla, mos të them që nuk ka fare. Kjo është një mungesë e madhe në muzikën kosovare, zakonisht këngëtarët ftohen nëpër mbrëmje të organizuara, si në klube ose pube të ndryshme, dhe kjo është mënyra e vetme për të promovuar albumet ose edhe këngët e tyre", thotë ajo, ndërsa nuk mundohet të fshehë pakënaqësinë.

Gjithë sa përmendi, janë ndoshta edhe arsyet prej të cilave ajo ka dhënë "dorëheqjen" prej konkurseve të këngës. Jo pak herë, Alma Bektashi ka treguar se për të, e rëndësishme është të shfaqet në skenë me profesionalizëm. Këtu nuk njeh kompromise. Kënga është e shenjtë për të. Ka treguar se nëse diçka nuk i pëlqen, atëherë zgjedh të mos shfaqet në skenë, të tërhiqet e të presë çastin e duhur. Kërkon të japë maksimumin dhe kënga për të meriton më të mirën. Ata që e admirojnë, e dinë se kohët e fundit është shfaqur rrallë në skenë e konkurse këngësh. Arsyet janë të ndryshme... "Jam e rezervuar, nuk do ta prekja fare këtë temë", thotë ajo.

Prej disa kohësh, ajo ka nisur të japë mësim në Akademinë e Arteve të Bukura në Kosovë, në degën e kantos. Mes studentëve kalon një pjesë e mirë e ditëve të saj. Thotë se e do jetën akademike, ndaj është e vendosur t‘i përkushtohet edhe asaj njësoj si edhe të kënduarit. Tashmë ana profesionale e këngëtares është e ndarë në dy pjesë. "Sa më shumë që lidhem me anën pedagogjike, aq më e fortë bëhet ana artistike e imja. Ndoshta kështu sepse mësimdhënia, më bën të mbaj veten në formë e madje mësoj shumë edhe prej studentëve të mi", tregon këngëtarja Alma Bektashi. Familja... Familja është më e rëndësishme se gjithçka për Almën. Bashkëshorti dhe dy fëmijët janë qendra e botës. Kur angazhimet artistike mungojnë, atëherë ajo zgjedh t‘i përkushtohet fëmijëve të saj. E nëse e pyet se sa kohë i merr familja, përgjigjja vjen e menjëhershme: "Oh, unë jam tepër e përkushtuar ndaj familjes dhe nuk e shoh fare faktorin kohë". Vajza, Anisa, i ngjan Almës. Ajo ka zë të bukur dhe ka nisur të këndojë që kur ishte gjashtë vjeçe, kur ka fituar edhe çmimin e dytë në festivalin e fëmijëve "Xixëllonjat" në Prishtinë. "Në të ardhmen, ajo ka për ta zgjedhur vetë profesionin e saj, nuk dua që të ndikohet nga unë. Nëse vendos që të merret me këngën, atëherë do ta ndihmoj me gjithë qenien time", shton këngëtarja.

Alma Bektashi vazhdon të qëndrojë në Kosovë. Për momentin ka zgjedhur Prishtinën, edhe pse Tirana, i mungon tepër... Ka mall për kryeqytetin shqiptar, sepse me të është e lidhur emocionalisht e artistikisht mbi të gjitha. Përveç disa vizitave të shkurtra, projekte, jeta e ngritur në Prishtinë, vazhdon ta mbajnë larg Tiranës. Vazhdon të këndojë, sigurisht, sepse në të kundërt, siç thotë edhe vetë, ç‘kuptim do të kishte jeta e një artisti kur nuk këndon e krijon?


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›