E Diel, 1 Nëntor 2026

Fundi i lojës për Liritën

Sfida e fortë mes Adit, Aidës, Mimozës, Qetsorit, Adelajdës dhe Liritës ka përfunduar. Publiku nga shtëpia, edhe këtë javë, vendosi. Aida la shtëpinë e "Big Brother", duke hequr dorë përfundimisht nga çmimi i madh prej 70 mijë eurosh. Emocionet dhe surprizat e mëdha nuk kanë munguar edhe natën e mbrëmshme në spektaklin e madh të "Big Brother Albania". Për Adelën, një letër dhe një buqetë me lule, për Aidën, një vizitë nga mikesha e saj e ngushtë dhe leximi i ditarit të saj në studio, për Arjonin, një takim me mamanë brenda shtëpisë së "Big Brother" e një zarf që ruan një surprizë... Nata e mbrëmshme e "Big Brother" ka ofruar për publikun në studio dhe atë që e ndiqte përmes ekranit, një spektakël të vërtetë.

Aida dhe ditari

Arbana e ka prezantuar si një nga konkurrentet që publiku ka filluar ta njohë e ta dojë. E megjithatë, jo rrallëherë brenda shtëpisë, ajo është përplasur me banorët e tjerë. Shumë herë ka qenë në kandidim, duke arritur përherë të mos largohet. Ka ditur të tregohet e fortë dhe shpesh ka reaguar shpejt, por... nuk është vetëm kjo që e bën të veçantë Aidën. Historia e saj është pak e komplikuar e, megjithatë, ajo ia ka dalë mbanë dhe ka ecur përpara me kokën lart. Jeta e Aidës është shënuar nga shumë mungesa. Ka treguar që ka humbur nënën kur ishte fëmijë e më vonë edhe të atin. Motra jeton larg dhe i dashuri e ka lënë për të ikur në Amerikë. Ndërkaq, ajo ka shkruar edhe ditarin e saj, që i drejtohet fillimisht të vëllait, që e do shumë, e më pas shoqes së ngushtë, Junës. Shkruan se Gersi i mungon shumë, se i vjen keq që ai nuk arriti ta shohë babin që e donte shumë. Me fjalë të ndjera, dhimbjen dhe mallin për të atin e ndan edhe me shoqen, Junën. "Sa më ka marrë malli të shkoj te babi, nuk jam mësuar kaq gjatë pa shkuar atje, ta puth në foto", shkruante Aida në ditarin e saj. Arbana ka komentuar dy karakteret që ka shfaqur Aida. E ndjeshme kur shkruan për historinë personale, por luftarake në shtëpi. Kjo është komentuar si një zgjidhje e saj për ta kthyer dhimbjen në forcë e për të ecur përpara. Gjatë javës, Vëllai i Madh i ka çuar në dhomën e rrëfimit, fotot e të atit. Kanë qenë momente të trishta për Aidën. Por mbrëmë, një tjetër surprizë i ka kthyer buzëqeshjen. Juna, shoqja e ngushtë e ka pritur në dhomën e rrëfimit.

Motra e Liritës në shtëpi

Nominimi i kësaj jave e ka mërzitur sërish Liritën. Emocionet nuk u takojnë vetëm banorëve brenda shtëpisë. Të afërmit që i ndjekin nga studioja apo përmes televizionit u bashkohen përjetimeve të tyre. Për këtë arsye, motra e Liritës ka kërkuar që Vëllai i Madh të mundësonte një takim me Liritën. Nga studioja ajo është nisur drejt shtëpisë së "Big Brother". Arbana i komunikon Liritës se duhet të shkojë të marrë dikë që ndodhet në tunel. E motra, me një tavë bakllavaje në dorë, e pret atje.

Klipi i Anit dhe Anjezës

Ndonëse ata kanë një javë brenda shtëpisë, kanë treguar diçka për veten, gjatë spektaklit janë transmetuar klipet e Anit dhe Anjezës. Përshëndetjet e familjarëve i kanë emocionuar dy banorët më të rinj, veçanërisht Anin, i cili edhe është përlotur.

Për Adelën, një letër dhe lule

Guximi i saj, një vajze nga Kavaja për të marrë pjesë në show-n e madh "Big Brother", veprimet dhe mendimet brenda shtëpisë, kanë shkaktuar shumë reagime. Nga studioja, opinionisti Arjan Konomi thotë se shumë njerëz besojnë tek ajo dhe se realisht e mbështesin për kurajën dhe për faktin se ajo i çon me vendosmëri idetë e saj përpara. Gjatë spektaklit, Arbana i ka bërë të ditur Adelajdes se një mesazh surprizë kishte ardhur për të. Një tufë me lule dhe një letër e shkruar gjenden në akuarium. Një grup grash nga Kavaja i kanë shkruar Adelës një letër inkurajuese për zgjedhjen e saj, duke e nxitur të vazhdojë garën pa u stepur nga paragjykimet.

Piceria, bamirësi për Institutin e të Verbërve

Arbana u komunikon banorëve brenda shtëpisë së "Big Brother" se fitimet e realizuara nga shitja e picave me emrat e banorëve, do të shkojnë të gjitha për bamirësi. Vëllai i Madh ka vendosur t‘ia dhurojë këto të ardhura Institutit të të Verbërve, të cilët u prezantuan edhe me një klip gjatë spektaklit. Ata, pavarësisht se nuk mund të shohin televizor dhe të ndjekin në këtë mënyrë "Big Brother", gjithsesi i njohin mirë të gjithë konkurrentët brenda shtëpisë.

Prova e javës: Koleksioni "Big Brother" pranverë/verë

Në mbyllje të programit, Arbana u ka shpjeguar banorëve se prova e javës konsiston në realizimin e një koleksioni veshjesh për sezonin pranverë/verë. Ajo ka shtuar se të gjitha informacionet do të jepen të detajuara gjatë javës në vijim. Gjatë prezantimit të provës së javës ka hyrë në shtëpi edhe mamaja e Arjonit, e cila është stiliste. Ajo i dorëzon të birit një zarf me surprizën e "Big Brother". Ai mund ta hapë atë vetëm kur t‘i japi leje Vëllai i Madh. Pas përfundimit të spektaklit, banorët kanë vijuar festën në kamping me një barbeque.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›