Almodovar në stilin horror

Ky mendohet se do të jetë filmi më ekstrem i Pedro Almodovar. Segregacion, tortura, perversitete, përdhunim dhe vdekje. Regjisori spanjoll e cilëson “La piel que habito”, filmin numër 18 të kurrikulumit të tij “punën më të vështirë që kam bërë deri më tani, debutimin tim në botën e horrorit”. Regjisori që aktualisht po merret me montazhin e filmit tregon se: “Nuk ka ulërima dhe masakra, dhuna është psikologjike. Filmi është një përzierje horrori, fantashkence, por nuk zbaton asnjë rregull fiks”. “La piel que habito”, që është thuajse e sigurt se do të marrë pjesë në festivalin e ardhshëm të filmit në Kanë është marrë nga libri i autorit francez, Thierry Jonquet. “Libri i tij më ka mrekulluar. Është një material krejtësisht i ri nga ai që kam pasur deri tani në dorë”, thotë Almodovar. Jonquet humbi jetën në vitin 2009 në moshën 55-vjeçare dhe është konsideruar si një nga autorët më të mirë të filmave policeskë francezë. “Mygale”, ky është titulli origjinal i romanit, më pak se 150 faqe është puna e tij më e famshme. I publikuar në Francë në vitit 1984 dhe pastaj sërish në vitin 1999 në shumë vende të Europës libri nuk bëri ndonjë bujë të madhe. Romani nga i cili është frymëzuar Almodovar është një tregim i errët ku askush nga protagonistët nuk është i pafajshëm. Në qendër të kësaj historie është Legard një kirurg plastik shumë i suksesshëm në fushën e kërkimeve për qelizat staminale, por edhe ekzekutori i një hakmarrjeje të “butë” mbi njeriun që i ka përdhunuar vajzën 16-vjeçare, duke e çuar drejt çmendurisë së pashërueshme. Për rolin e këtij njeriu brutal (regjisori rrëfen: “Për herë të parë e kisha të vështirë të vendosja një lidhje emfatike me një nga personazhet e mi”), Almodovar thirri Antonio Banderasin, 22 vjet pas filmit të fundit të bërë së bashku. Bashkëpunimi i tyre artistik, rreth një dhjetëvjeçar (nga ‘80 në ‘89) ka vazhduar për 7 filma dhe u ndërpre pas transferimit në Hollivud të aktorit që u bë një yll. Banderas prej vitesh kërkonte t’i rikthehej bashkëpunimit artistik me regjisorin spanjoll. Projekti “La piel que habito”, i takon vitit 2002 dhe aktori priti me durim që “mësuesi” i tij të xhironte filma të tjerë, të shkruante 9 skenarë, për të celebruar bashkëpunimin. Almodovar e përshkruan kështu takimin: “që nga momenti që kur Antonio hyri në zyrën time m’u duk sikur sapo kishim përfunduar së xhiruar filmin “Legami”. E desha patjetër me mua, sepse është perfekt për të interpretuar një personazh me probleme psikologjike: Antonio në këtë moshë u përshtatet lehtësisht këtyre roleve. Për më tepër doja ta kisha në krah, sepse duke eksploruar rrugë të reja prania e tij më bënte të ndihesha më i sigurt”. Kufij të rinj kinematografikë në “La piel que habito”, por edhe elementët e zakonshëm të kinematografisë almodovariane: metamorfoza seksuale, ambiente nëntokësore dhe klaustrofobike ndërthurje e rastësive dhe fatit. Në krah të Antonio Banderas do të kishte dashur të ishte Penelope Cruz, në rolin e gruas së kirurgut, e burgosur e jetës familjare dhe e nënshtruar ndaj poshtërimeve të përditshme. Dhe e detyruar të prostituonte çdo ditë nga i shoqi. “Për nga mënyra se si rrodhën më pas ngjarjet nuk e pashë më të arsyeshme që Penelope të merrte këtë rol”, tregon Almodovar që e ka fiksim të theksojë herë pas here se ka të tjera role shumë të bukura që ia ka rezervuar aktores spanjolle që sapo është bërë nënë. Gjithsesi, vendin e saj në filmin e fundit të Almodovar e ka zënë Elena Anaya, që kishte pasur edhe më parë bashkëpunime në disa filma të regjisorit spanjoll. “La piel que habito” është xhiruar në Spanjë për thuajse dhjetë javë të ndara mes Madridit dhe Galizias. Kostoja e tij është rreth 10 milionë euro. I sigurt që do të jetë në festivalin e ardhshëm në Kanë, filmi pritej të dilte në kinematë spanjolle në fillim të muajit prill, por për shkak të disa pengesave për ruajtjen e të drejtës së autorit në shpërndarjen e tij mendohet se do të jetë i prekshëm për publikun në vjeshtë.