E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alonso triumfon në cmimin e madh të Britanisë

BRITANI- Fernando Alonso ka triumfuar në Çmimin e Madh të Britanisë, në një nga garat më emocionuese të këtij sezoni. Piloti spanjoll i Ferrarit ka qenë më i shpejti në Silverston, në një nga pistat që tradicionalisht ka qenë tepër e vështirë për këtë skuderi.

Pas Alonsos u renditën dy pilotët e Red Bull Sebastian Fetel dhe Mark Veber, që sot nuk kanë qenë në ditën e tyre më të mirë. Ndërkohë, për Ferrarin ishte fitorja e parë që pas Çmimit të Madh të Koresë në edicionin e shkuar. Një meritë të madhe për këtë fitore ka patur edhe Fernando Alonso, i cili ka administruar mjaft mirë situatat gjatë garës.

Më pas, ai u parakalua nga Hamilton, por diti të rimarrë sërish vendin. Një moment kyç ka qenë parakalimi ndaj Fetel në bokse. Piloti gjerman pati probleme me furnizimin dhe Alonso mori shumë shpejt kryesimin. Më pas, nuk e dorëzoi më kreun e garës, duke thyer akullin për këtë sezon për Ferrarin.

Në fakt, problemet e skuderisë Red Bull dhe ndryshimet në rregullore që ka bërë FIA mund të ndikojnë që faza e dytë e Botërorit të jetë komplet ndryshe nga ajo e deritanishmja.

Në vend të katërt në Silverston u rendit Ljuis Hamilton, që dha spektakël në disa parakalime, por që në fund u detyrua t’u lërë vendin dy pilotëve të Red Bull. Pas kësaj gare, Botërori i Formula 1 kryesohet bindshëm nga Fetel me 204 pikë, i ndjekur nga Veber me 124 dhe Alonso me 112.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›