E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Alpine”, largohen dy drejtues kryesorë

Skuadra e Formulës 1, “Alpine”, ka bërë të ditur se drejtuesi kryesor, Otmar Szafnauer, do të largohet nga detyra, të cilën e mbante prej 18 muajsh. Sipas njoftimit të skuadrës franceze, palët do të ndahen “me mirëkuptim” pas Çmimit të Madh të Belgjikës, që mbahet në fundjavë. “Alpine” sqaroi se “ai do të vazhdojë detyrën e tij si zakonisht për garën e fundjavës në Belgjikë, përpara se të largohet përfundimisht para nisjes së pushimeve verore të Formulës 1.

“Skuadra dëshiron ta falënderojë Otmarin për punën e tij të madhe gjatë këtyre 18 muajve dhe që e udhëhoqi atë drejt vendit të 4-t në renditjen përfundimtare të konstruktorëve në Botërorin e vitit 2022 dhe i uron gjithë të mirat për të ardhmen”, – thuhej në një njoftim të “Alpine”. Ai do të zëvendësohet përkohësisht nga Bruno Famën, i cili u emërua në fillim të këtij muaji në postin e Zëvendës-Presidentit të “Alpine Motorsport”.

Ndërkohë, edhe drejtori sportiv i “Alpine”, Alan Permane, i cili ka qenë me këtë skuadër prej 34 vitesh në një numër rolesh të ndryshme, do të largohet pas garës belge. Ai do të zëvendësohet përkohësisht nga drejtori i Akademisë “Alpine”, Zhulian Rus. Të gjitha këto ndryshime vijnë në kuadër të një ristrukturimi të madh të ndërmarrë nga kompania mëmë, “Renault”.

Ndërkohë, edhe drejtori teknik i “Alpine”, Pet Fraj, pritet të largohet në fund të vitit, për të kaluar në një detyrë të ngjashme të “Uilliams”-i, por kjo nuk ka lidhje me ristrukturimin e skuadrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›