E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Maratona në Pogradec, policia publikon masat e marra, akset rrugore që bllokohen

Në Pogradec do të zhvillohet të shtunën maratona kombëtare me pjesëmarrjen edhe të sportistëve ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, duke pasur parasysh se gjatë fundjavës mijëra qytetarë shkojnë për të pushuar në Liqenin e Pogradecit, apo dhe drejt Korçës, Policia ka hartuar një plan masash për të lehtësuar qarkullimin e makinave, si dhe për mbarëvajtjen e kësaj ngjarje sportive. Sipas uniformave blu, nyja që lidh Qarkun e Korçës me Qarkun e Elbasanit nesër do të bllokohet për rreth dy orë.

Disiplina e parë (21 km) “half maratonë”, e cila starton nga fshati Lin, vazhdon përgjatë aksit rrugor buzë liqenit do të përfundojë në qendër të qytetit të Pogradecit.

Ndërsa disiplina e dytë (10 km) “mini maratonë”, e cila straton nga qendra e qytetit të Pogradecit dhe vazhdon drejt fshatit Buçimas dhe Tushemisht, duke përfunduar tek pika e nisjes, në qendër të Pogradecit, përgjatë shëtitores buzë liqenit dhe unazës lidhëse.

“Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, strukturat e Policisë do të marrin masa për ruajtjen e rendit publik, krijimin e parametrave të sigurisë rrugore, sigurimin e qarkullimit të lirë dhe pa rreziqe për garuesit, si dhe parandalimin e ngjarjeve rrugore. Për këtë qëllim, informojmë të gjithë drejtuesit e mjeteve se: akset rrugore “Lin-Pogradec”, “Qafë Plloçë-Pogradec”, segmenti i rrugës “Tushemisht-Pogradec” do të jenë të bllokuara në të dyja korsitë, nga ora 19:00 deri në orën 20:30. Gjithashtu do të bllokohen edhe rrugët në brendësi të qytetit të Pogradecit, deri në përfundimin e këtij aktiviteti.Drejtoria Vendore e Policisë Korçë kërkon mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës, për ndalimin e qarkullimit të mjeteve, në akset rrugore të lartpërmendura, nga momenti i fillimit të këtij aktiviteti deri në përfundim të tij.“- thuhet në njoftim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›