E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Përmbytjet në territorin e Shkodrës, projektplani 2023- 2028, që synon të mbyllë plagën e 3 dekadave

Përmbytjet në territorin e e njësive administrative Shkodër, prej vitesh përbëjnë një nga sfidat më serioze për çdo qeveri. Përpjekjet për parandalimin dhe reduktimin e pasojave të mundshme negative nga përmbytjet për shëndetin e njeriut, mjedisin, trashëgiminë kulturore dhe aktivitetin ekonomik, në zonat respektive, shpesh nuk kanë rezultuar me efikasitet, pavarësisht disa ndërhyrjeve që janë bërë.

Nisur nga këto shqetësime prej afro 3 dekadash,  Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, GIZ-i dhe “german cooperation”, kanë hartuar një projektplan për Menaxhimin e Rrezikut nga Përmbytjet për disa zona ku ekziston rreziku potencial nga përmbytjet ose ka gjasa të ndodhin përmbytje, Drin-Bunë 4, 5 dhe 6 (territori i njësive administrative Shkodër, Ana e Malit, Bërdicë, Dajç, Guri i Zi, Rrethinat dhe Velipojë të bashkisë Shkodër dhe njësinë administrative Bushat të bashkisë Vau i Dejës). Ky  project plan synon tu shërbejë institucioneve shtetërore, enteve publike e private për të menaxhuar në mënyrë të harmonizuar rrezikun nga përmbytjet dhe marrjen e masave efektive.

Hartimi i planit 

Në qershor – shtator të vitit 2021, Agjencia e Menaxhimin të Burimeve Ujore (AMBU), së bashku me mbështetjen e Qeverisë Gjermane, përmes GIZ, ka hartuar Planin e Menaxhimit të Rrezikut nga Përmbytjet për disa zona në territorin e njësive administrative Shkodër.

“Plani është hartuar në përputhje me përcaktimet e vendimin e qeverisë “Për përmbajtjen, zhvillimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Menaxhimit të Burimeve Ujore, të planeve të menaxhimit të baseneve ujore dhe planeve të menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet”, si dhe Direktivën e Bashkimit Evropian mbi Përmbytjet.”- thuhet në dokument.

Projektplani do të mbulojë periudhën 2023-2028, duke përcaktuar objektivat për rajonin e mbulimit në përputhje edhe me objektivat e Planit të Menaxhimit të Basenit ujor Drin-Bunë, duke mbajtur parasysh dokumentet e Vlerësimit Paraprak, hartat e Rrezikut dhe ato të Riskut, karakteristikat hidrologjike, si edhe Vlerësimin Strategjik Mjedisor.

Objektivat 

Objektivat kryesore të këtij dokumenti janë përmirësimi i kapaciteteve organizative dhe profesionale për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet, parandalimi i rreziqeve të reja në zonat e rrezikuara nga përmbytjet, reduktimi i rreziqeve ekzistuese në zonat e rrezikuara nga përmbytjet, si dhe reduktimi i pasojave negative pas një ngjarjeje përmbytjeje, ku qëllimi kryesor është parandalimin dhe reduktimi i pasojave të mundshme negative nga përmbytjet për shëndetin e njeriut, mjedisin, trashëgiminë kulturore dhe aktivitetin ekonomik, në zonat respektive.

Gjatë viteve të fundit, Shqipëria është përballur me situata përmbytjesh në disa territore, por ndër ato me një rrezik më të madh janë zonat e nën-Shkodrës, të cilat janë përballur me pasoja negative për shëndetin e njeriut, mjedisin, trashëgiminë kulturore dhe aktivitetin ekonomik.

“Përmbytjet i kalojnë kufijtë institucionalë dhe administrative dhe për rrjedhim menaxhimi i rezikut të tyre kërkon bashkëpunim dhe veprime të koordinuara dhe të harmonizuara ndërmjet të gjithë organeve përgjegjëse për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet në nivel lokal dhe qëndror, por jo vetëm.

Ndonëse përgatitja e PMRP-së është përgjegjësi e AMBU-së dhe Zyrës së Administrimit të Basenit Ujor Drin-Bunë, proceset e ndjekura dhe hartimi i dokumentit kërkoi si domosdoshmëri përfshirjen e të gjitha palëve të interesit si edhe ekspertizën profesionale në fusha të ndryshme.”- skicohet në projektplan.

Sfidat

Me qëllim arritjen e objektivave të përcaktuara, me fokus reduktimin e pasojave të mundshme negative nga përmbytjet për shëndetin e njeriut, mjedisin, trashëgiminë kulturore dhe aktivitetin ekonomik, PMRP përmban masat që janë vlerësuar se do të ndikojnë në uljen e rrezikut dhe risqeve që vijnë nga përmbytjet në territorin e njësive administrative Shkodër, Ana e Malit, Bërdicë, Dajç, Guri i Zi, Rrethinat dhe Velipojë të bashkisë Shkodër dhe njësinë administrative Bushat të bashkisë Vau i Dejës.

Sfida kryesore për periudhën e implementimit 2023-2028 është niveli i zbatimit të masave të parashikuara në PMRP, zbatim i cili është përgjegjësi e intitucioneve qëndrore dhe lokale, respektivisht të përcaktuara për çdo masë të parashikuar.

Sfida në vetvete përmban të gjithë elementët e vështirësive që parashikohet të hasen në parashikimin, detajimin dhe projektimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit, si dhe çka është më e rëndësishmja financimin.

Monitorimi i zbatimit të masave është një proces relativisht i thjeshtë, por kompleks dhe i vështirë është “përkthimi” i nivelit të zbatimit të masave në nivelin e përbushjes së objektivave kryesorë dhe specifik të cilat përgjithësisht ndërvaren nga niveli i plotësimit të disa masave njëkohësisht.

REKONANDIME&UDHEZIME

  1. Për masat më teknike dhe konstruktive, që shpesh kanë një efekt të qartë për reduktimin e rrezikut, të cilat krijojnë efekte negative për florën, faunën, biodiversitetin, token, trashëgiminë kulturore, peisazhin si dhe disa efekte të tjera të vogla, kërkohet një analizë dhe vlerësim mjedisor i mëtejshëm gjatë procesit të planifikimit dhe zbatimit si pjesë e procedurave të miratimit (VNMS-të përkatëse). Ky proces vlerësimi do të ndihmojë në identifikimin e mënyrave për të shmangur, reduktuar ose zbutur ose kompensuar çdo efekt negativ të identifikuar.
  2. Meqë burimet financiare për mbrojtjen e integruar civile, siç kërkohet nga ligji përkatës, janë të kufizuara në të dy nivelet e qeverisjes, madje edhe më të pakta në nivel vendor të bëhet: (1) një analizë e plotë e veprimeve të elasticitetit të zbatuara gjatë ofrimit të shërbimeve vendore dhe do të gjurmoheshin shpenzimet përkatëse, me shumë mundësi shpenzimet e elasticitetit do të ishin më të larta se sa janë konceptuar aktualisht; (2) planifikimi ndërsektorial për qëndrueshmërinë lokale me qëllim që bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet sektorëve çojë në disa veprime të thjeshta që garantojnë qëndrueshmëri dhe efikasitet financiar brenda buxheteve aktuale.
  3. Infrastruktura e re që parashikohet të instalohet duhet të marrë parasysh regjimet e ndryshuara klimatike të parashikuara. Masat e menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet duhet të projektohen/detajohen në mënyrë të tillë që të marrin parasysh ndikimet afatgjata të ndryshimeve klimatike.
  4. Këshillohet që alokimi i fondeve të reja dhe financimi për menaxhimin e rrezikut të ruajë një nivel prioritizimi lidhur me financimin për menaxhimin e rrezikut në zonat me rrezik të lartë. Kjo duhet të pasqyrohet në planifikimet përkatëse buxhetore në të gjitha nivelet.
  5. Rinatyralizimi i lumenjve dhe rrjedhave ujore për t’i rikthyer në gjendjen e tyre natyrore, aty ku ndërhyrjet aktuale në lumenj dhe zona bregore janë të vjetra, të panevojshme ose që sjellin shkatërrim të mëtejshëm. Parashikimi i një mekanizmi për marrjen/blerjen e zonave bregore për të mundësuar zona natyrore të përmbytjeve dhe për të ndryshuar politikën lidhur me mbrojtjen e zonave bregore, duke bërë kështu të mundur që lumenjtë të transportojnë sedimentet në mënyrë natyrore.
  6. Inkurajimi i zbatimit të PMRRP për të arritur qasje me karbon të ulët ose zero. Kjo do të shërbente për të zyrtarizuar dhe për t’i dhënë efekt njërit prej parimeve që përdoret në proceset zhvillimore në ditët e sotme, aspirimit për të qenë neutral ndaj karbonit.

/rtsh.al/ a.meta/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›