E Shtunë, 31 Tetor 2026

Altin Basha: Teatri i humorit, ide absurde

Debati / Ndërsa kryeministri i vendit hedh ide në qorrsokakë për një Teatër Kombëtar të Humorit dhe Satirës, po hiqet vëmendja nga institucionet e tjera të teatrit, ato kombëtare po edhe ato private që janë bërë inekzistente. Altin Basha komenton idenë absurde të Berishës


Ishte një kohë, aty nga vitet '95-2002, që njerëzit në Tiranë nuk ndiqnin vetëm shfaqjet e Teatrit Kombëtar, por u ofrohej teatër edhe nëpërmjet rrugëve të tjera. Përmes kompanive private që u krijuan nga regjisorë, aktorë të rinj dhe me përvojë, energjikë dhe me dëshirë për të realizuar vepra që shikuesit i kujtojnë edhe sot.


Por ja ku jemi sot, kur këto kompani janë bërë inekzistente, për shkak se nuk mund të mbahen në këmbë me financat dhe donacionet e askujt, dhe asnjëra prej tyre nuk realizon më shfaqje.


Themeluesit dhe drejtuesit e tyre, kanë trokitur jo një herë në dyert e Ministrisë së Kulturës, për të gjetur mbështetje financiare. Ligji "Për Teatrin" i vitit 1998 që premtonte reformë dhe një vend të rregulluar me ligj për kompanitë private, ose më mirë tymnaja që u hap me këtë rast, u kthye në disfavor të këtyre subjekteve, thjesht sepse ai ligj asnjëherë nuk u zbatua. Ligjit është riparë disa herë, janë bërë edhe ndërhyrje me amendamente, por deri më sot, kompanitë private nuk kanë mundur të vjelin financa nga shteti.


Ndërsa kryeministri i vendit hedh ide në qorrsokakë për një Teatër Kombëtar të Humorit mdhe Satirës, nuk bëhet gjë tjetër veçse hiqet njëherë e përgjithmonë vëmendja nga institucionet e tjera të teatrit, ato kombëtare po edhe ato private që megjithatë ekzitojnë por në gjendje pezulli.


Gjendja reale e këtyre strukturave nuk përkon aspak me atë që përshkruante kryeministri Berisha tre ditë më parë, ndërsa urdhëronte ministrin e Kulturës, për ngritjen e Teatrit të Satirës.
Ky është një moment që individët dhe artistët e teatrove të pavarura mund ta shfrytëzonin shumë mirë për të rihapur çështjen e kompanive private e financimit dhe mbështetjes së tyre nga shteti apo donatorë të tjerë.


Sepse problemi nuk është pse nuk kemi edhe një teatër tjetër të centralizuar, të ngathët dhe të varur nga rrogëtarë, por tek mungesa e një konkurrencës edhe në këtë fushë e iniciativës së lirë dhe e një krijimtarie që bie ndesh me shijet qoftë politike apo të masave që imponojnë modele. Regjisori Altin Basha komenton në këtë intervistë idenë absurde të kreut të qeverisë dhe nevojën për të decentralizuar buxhetin për teatrin.


Z. Basha së fundmi, kryeministri i vendit i kërkoi Ministrit të Kulturës ngritjen e Teatrit të Humorit dhe Satirës. Ç'mendoni për këtë?


Në Shqipëri akoma mendohet se shteti ndërton institucione kulturore me urdhër, kur në fakt mund të ndërtojë politika për zhvillimin e kultures.


Është absurde. E shoh të pamundur që shteti të financojë humorin. Humori dhe shteti në një kuptim janë opozitarë. Nuk e di sesi do të ishte humori po të financohej nga shteti. Mjafton të ktheni kokën pas dhe të shihni para viteve '90, sesi ka qenë humori ynë. Sigurisht që do të jetë i kufizur, i kontrolluar, i censuruar.


Të kthehen sytë pas dhe të shihet që ishte vetë shteti ai që e shkatërroi sistemin teatror në Shqipëri. Ishte një sistem i ndërtuar mbi një frymëzim të tejkaluar. Është shumë vonë për t'u kthyer tek kultura tani. Të krijosh një institucion të humorit tani më duket paksa absurde, ndërkohë që bëhen gabime të tipit: humori dal vivo nuk është humor televiziv.


Është qesharake sepse humori është edhe dal vivo edhe televiziv në skenat tona. Shteti që financon humorin, më duket pa vend. Shteti nuk ka nevojë të mendohet për të krijuar institucione të reja të humorit, as për të gjetur skena.


Skenat janë të krijuara, funksionojnë në Tiranë. Ajo që unë mendoj se shteti duhet të bëjë, është që atë buxhet që do të shpenzojë për "ringritjen" e humorit, ta vërë në dispozicion të inisiativave të lira dhe ta përdorë ai që do ta meritojë. Kështu mund të ushqehet pa ndikime kultura dhe humori.

Ky rast na duket se e duhet ta çojë diskutimin për teatrin në tjetër hulli, aty ku çalojnë punët, tek kompanitë private dhe inciativa e lirë. Le të kthehemi pak prapa.


Çfarë roli kanë luajtur kompanitë private në teatrin e pas '90-ës?


Në vitet '99-02, në Tiranë filluan të veprojnë rreth 6-7 kompani të pavaruara teatri, të cilat arritën t'i imponohen fort publikut të kryeqytetit. Audienca e tyre ishte gati më e madhe se e Teatrit Kombëtar.


Në këtë kohë pritej të miratohej ligji "Për Teatrin",që këtë skemë spontane ta kthente të në një skemë të institucionalizuar dhe të strukturuar. Ky ligj parashikonte që buxhetin e teatrit ta kthente në buxhet publik, ku të kishin të drejtë të aplikonin të gjitha iniciativat e pavarura dhe institucionet shtetërore pa dallim.


Ligji është miratuar në vitin 1998 dhe është ripunuar tri herë, pa u aplikuar asnjëherë. Herën e fundit, para një viti, është rimiratuar me disa ndryshime. Ndryshimet që ka pësuar ligji e kanë shpërfytyruar thelbin e tij: nxitjen e tregut të produktit teatror drejt iniciativës së lirë, konkurrencës së hapur dhe mbështetjes produktive të shtetit ndaj institucioneve kulturore.


Tani kemi një situate me dy pamje: situate juridike që kërkon ta përshtasë produktin teatror me kërkesat e tregut dhe të kohës, ku të prevalojë inisiativa e lirë dhe situata faktike, ku teatri ka mbetur i njëjtë në menaxhim si para viteve '90, ku shteti i financonte plotësisht institucionet artistike pa u kujdesur për cilësinë, vlerën dhe menaxhimin e produktit teatror.


Asnjë nga qeveritë pas vitit 2000, nuk mori iniciativën për ta aplikuar ligjin.
Është një ligj për të cilin është investuar më tepër se ç'duhet. Ndoshta një buxhet vjetor i Teatrit Kombëtar është investuar vetëm për të.

Çfarë pëpjekjesh kanë bërë kompanitë për të mbijetuar?


Pesë kompani të pavarura teatrore u mblodhën dhe i kërkuan Ministrisë së Kulturës, të krijonte një hapësirë për të gjitha, një ndërtesë ku ne të zhvillonim aktivitetin tonë. Përgjigja ishte një optimizëm formal, që nuk u shoqërua me akte konkrete.

Në atë moment kompanitë kishin vërtetë nevojë të institucionalizoheshin për të siguruar vazhdimësinë e aktivitetit dhe kur kjo nuk ndodhi, ato nuk arritën ta mbanin dot veten vetëm me ato financime spontane që merrnin nga Ministria, apo nga donatorët.


Asnjë nuk i rezistoi kohës dhe të gjitha u shpërbënë. Nëse ligji vihet në funksionon, këto kompani nuk kanë nevojë të lypin lart e poshtë, por kanë një buxhet për të cilin mund të konkurrojnë. Të jetë e njëjta formulë që funksionon për shtëpitë filmike, me ligjin e kinematografisë.

Cilës kohë i takojnë këto tentativa?


Janë bërë në kohën kur trupa e Teatrit Kombëtar kundërshtonte prishjen e godinës së Teatrit.
Të dyja ngjarjet u zhvilluan paralel dhe meqënëse shteti u tërhoq nga prishja e godinës, hoqi dorë edhe nga aplikimi i ligjit. Pastaj është bërë një tentativë tjetër rreth vitit 2001-2002, sërish për aplikimin e ligjit. Në atë kohë, u bënë disa amendime, që në thelb e dëmtuan ligjin.


Edhe së fundmi, para 1 viti e gjysmë a dy vjetësh janë bërë përsëri amendime dhe ripunime megjithëse ligji asnjëherë nuk është aplikuar. Nëse në buxhetin vjetor të Ministrisë së Kulturës nuk ndahet më vete buxheti i projekteve teatrore, atëherë ligji është i paaplikueshëm.


Mbi atë buxhet do të mbështetet veprimtaria e teatrove lokalë, qendrorë dhe privatë. Ne akoma nuk e dimë sa para shpenzohen në një vit për teatrin në Shqipëri. Askush kurrë nuk i është përgjigjur kësaj pyetje. Jam i bindur se shifra do t'i çudiste të gjithë.


Ju nuk jeni për ndryshime në ligj?


Ligji në thelb ka pikërisht formimin e Fondit Kombëtar të Teatrit. Në momentin që formohet Fondi, formohet edhe institucioni që e menaxhon atë.


Të gjitha kompanitë shtetërore apo private, pa asnjë përjashtim, aplikojnë tek ky institucion.
Nesë prishet kjo formulë, fjala vjen kompanitë shtetërore të vazhdojnë të kenë financime të sigurta, ligji nuk ka kuptim.


Ndryshimet që i janë bërë ligjit prishin pikërisht këtë balancë dhe kompanitë shtetërore janë më të favorizuara. Pastaj është tregu ai që vendos rregullat, është tregu ai që vendos për suksesin, ose mossuksesin e kompanive të pavaruara apo shtetërore, dhe sigurisht institucioni kombëtar i teatrit shpërndan dhe menaxhon buxhetet, si dhe vendos për politikat teatrore.


Por, jo çdo gjë mund të jetë e varur nga tregu. Ka edhe politika për mbrojtjen e repertorit, për mbrojtjen dhe zhvillimin e dramaturgjisë shqiptare, politika të cilat i drejton ky institucion qendror i teatrit. Ai pastaj decentralizon të gjithë buxhetin për kompanitë teatrore në Shqipëri.


Deri tani financimet për projekte të pavarura teatrore janë të përfshira në fondin e përgjithshëm të projekteve të MTKRS, për të cilin ka shumë pak informacion.


Pra, nuk shikohet asnjë zgjidhje deri sa fondi të jetë në duart e Ministrisë?


Nuk ka logjikë që Ministria e Kulturës të kthehet në një fondacion i ndarjes së buxheteve. Prej 20 vitesh, Ministria vazhdon të pranojë aplikime të iniciativave të ndryshme kulturore, dhe nëpërmjet një bordi shpërndan buxhetet. Kjo është absurde.


Ministria e Kulturës është një institucion që ndërton politika, jo që shpërndan fonde.
Ligji për teatrin e decentralizon, ia heq Ministrisë së Kulturës ekskluzivitetin e buxhetit, dhe i lë asaj vetëm procesin e politikës ndaj kulturës në tërësi.


E vetmja fushë që funksionon me një buxhet të pavarur është ajo e kinemasë.


Ai buxhet është i destinuar për filmin shqiptar. Këtë gjë kërkojmë edhe për teatrin. Për fat të keq ndodh e kundërta në praktikë. Në vend që të decentralizohen projektet në fushën e teatrit, centralizohen më shumë.


Një shembull i keq është atashimi i Festivalit Kombëtar të të Rinjve, pranë Teatrit Kombëtar. Ndërkohë që ai është lindur si një iniciativë e pavarur. Është buxhet më vete në Ministrinë e Kulturës, dhe me një mungesë të thellë vizioni ai buxhet iu atashua Teatrit Kombëtar dhe ai projekt përsëri ka shkuar brenda Teatrit Kombëtar.


Thelbi i atij projekti është iniciativa e lirë e të rinjve, kurse ajo që ndodh është krejt e kundërta. Të rinjtë shtyhen të shkojnë drejt Teatrit Kombëtar, pra të afrohen tek një institucion që mbledh të gjithë atributet për produksionet teatrore.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›