"Armiku" i Aldo Bares, bëhet bashkëpunëtor i Drejtësisë
Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit nisin procedurat për përfshirjen e Gramoz Selmanit në Programin e mbrojtjes së Dëshmitarëve
TIRANË- Listës së personave me status të "Bashkëpunëtorit të Drejtësisë" në procesin gjyqësor në ngarkim të të akuzuarve si pjesëtarë të "bandës" së Lushnjës pritet t'i shtohet edhe emri i Gramoz Selmanit, dëshmitar në procesin përkatës. Vetëm katër ditë më parë, Selmani rrëfeu në Gjykatën e Krimeve të Rënda emrat e autorëve që sipas tij kishin kryer dy vrasje, një plagosje dhe vrasjen e mbetur në tentativë ndaj tij.
Ky fakt konfirmohet nga burime zyrtare të Ministrisë së Brendshme, Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe organit të akuzës pranë këtij institucioni. Sipas këtyre burimeve, konfirmohet se dëshmitari Gramoz Selmani, i njohur në Lushnje edhe si miku i Artur Dajës, i është nënshtruar procedurave për përfshirjen e tij në programin për "Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë".
Pikërisht rrëfimi i vrasjes së Artur Dajës, i ekzekutuar dhe më pas i gjymtuar nga "Banda e Lushnjës", dhe i disa ngjarjeve të tjera duket se ka bërë që për të të nisin procedurat për përfshirjen e tij në Programin e Mbrojtjes së Dëshmitarëve.
Këtë status, sipas burimeve, pritet ta fitoi për shkak të rrezikut që i kanoset, pas dëshmisë së dhënë katër ditë më parë në seancën gjyqësore në ngarkim të të pandehurve: Rexhep Gina, Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Arben Boriçi, Arjan Aliçko, Jorgo Muzaka e Erion Cici, duke i akuzuar disa nga të pandehurit për vrasjen e Genci Kasharit, Nimet Zenelit si dhe plagosjen e Masar Aliut dhe tentativën e vrasjes ndaj tij.
"Kanë filluar procedurat e përfshirjes së dëshmitarit Gramoz Selmani në programin për "Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë", pasi veç dëshmisë së dhënë katër ditë më parë, ai pritet të dëshmojë edhe në procesin gjyqësor ndaj Alfred Shkurtit i njohur si Aldo Bare,- thanë burimet.
Sipas tyre, përfshirja në program bëhet për shkak të rrezikut për jetën e tij dhe familjes. Sipas burimeve të Policisë, Selmani vazhdon të ruhet nga efektivët e policisë që nga dita e kthimit të tij në Shqipëri pas 13 viteve strehim në Greqi.
Ai qëndronte i fshehur atje, për shkak të frikës nga të pandehurit që ndodhen prapa hekurave të paraburgimit në kryeqytet. Burimet pohuan se dëshmitari Selmani ka pranuar të kthehet në Shqipëri nga Greqia për të dëshmuar ndaj të pandehurve të "bandës" vetëm nëse i sigurohet jeta e tij dhe familjes në Shqipëri.
Kusht ky që mendohet se është realizuar pasi edhe ardhja e tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda për tu pyetur si dëshmitar është shoqëruar nga efektivë të policisë. Katër ditë më parë, Selmani dëshmoi në procesin penal ndaj të pandehurve Gina, Stërgu, Hoxha, Boriçi, Aliçko, Muzaka e Cici, duke i akuzuar disa prej tyre për dy ngjarjet e ndodhura në qytetin e Lushnjës më 1997 - '98. Gjithashtu, pritet që Selmani të dëshmojë edhe në procesin penal ndaj Aldo Bares.
Selmani rrëfeu përplasjen e Artur Dajës me Aldo Baren
"Ka qenë korrik i vitit 1997, ku bashkë me Artur Dajën, Lorenc Dajën dhe Genc Kasharin po hanim drekë në verandën e lokalit të familjes Daja. Aty nga mesdita u afrua një makinë e tipit "Audi" me ngjyrë të zezë dhe që andej qëllojnë me armë në drejtim të tavolinës tonë. Në veturën e zezë ishin Aldo Bare, Ramadan Shkurti, Enver Rabija dhe Bardhyr Rabija. Ata qëlluan me breshëri ndaj tavolinës ku ishim duke ngrënë drekë ne.
Nga plumbat vdiq në vend Genci Kashari ndërsa Artur Daja në momentin që automjeti po largohej doli në rrugë duke qëlluar me automatik drejt makinës që po ikte. Pas rreth 100 metra makina u përplas dhe që aty dolen Aldo Bare dhe Enver Rabija duke ikur e qëlluar nga mbrapa.
Arturi iu afrua makinës ku ndodhej Ramadan Shkurti dhe Bardhyl Rabija dhe me armët e tyre që kishin i qëlloi nga afër në kokë edhe pse ata ishin të vrarë thuajse"-tha ndër të tjera Selmani në gjyq.
Më pas, më 13 shkurt 1998 kur po udhëtonim me automjetin e markës "Tojota" me targa FR 8079 A, bashkë me Masar Aliun dhe Nimet Zenelin, kemi rënë në pritë të Arben Boriçit, Ilir Stërgut, Enver Dondollakut dhe Aldo Bares, në vendin e quajtur Kolonjë të rrethit Lushnjë. Sapo jemi afruar pak metra para tyre, ata kanë dalë para makinës duke qëlluar në drejtimin tonë. Masar Aliu ktheu makinën dhe e futi në kanal anash rrugës, dhe ikën me vrap.
Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu kanë ndjekur me vrap Nimet Zenelin dhe Masar Aliun, duke qëlluar me armë në drejtim të këtyre të fundit. Gjatë ndjekjes shtetasi Nimet Zeneli ka mbetur i plagosur ku pasi janë afruar Stërgu e Boriçi e kanë qëlluar nga afër duke i shkaktuar vdekjen. Ndërkohë, Masar Aliu ka mundur të ikë edhe pse i plagosur bashkë me mua që shpëtova pa marrë ndonjë plumb"-pat thënë Selmani para gjykatës.
Avokatët kundërshtuan dëshminë e Selmanit
Dëshmia e Gramoz Selmanit u kundërshtua nga avokatët gjatë seancës gjyqësore, duke kërkuar që mos të pranohet si dëshmi pasi dëshmitari akuzohej për 6 vrasje. Por, togat e zeza iu drejtuan avokatëve se në këtë proces gjyqësore është sjellë nga akuza si dëshmitar.
"Para Gjykatës Selmani dëshmon si dëshmitar i akuzës, nëse ju keni ndonjë të dhënë ndaj personit të tij deponojeni pranë organeve ligjzbatuese"-patë thënë kryesuesi i pesëshes gjykues.
Më parë kanë bashkëpunuar edhe persona të tjerë
Në proceset penale ndaj të pandehurve të "bandës së Lushnjës", me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda zyra për "Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë" ka marrë në programin e saj një të penduar të kësaj bande dhe dëshmitarë tjerë me status të "Bashkëpunëtorit të Drejtësisë".
I pari që ka marrë statusin e të penduarit është Petrit Liçi. Ai pas procesit gjyqësor u dënua me 7 vite burg për shkak të bashkëpunimit edhe pse i pranoi se kishte kryer dy vrasje. Tashmë vuajtja e dënimit për atë ka përfunduar dhe nuk dihet vendndodhja e tij. Ndërkohë në program janë edhe shtetasi Arben Kicja dhe shtetasja Mimoza Demiri e njohur si bashkëshortja e Xhevat Demirit i vrarë nga të pandehurit e bandës.