E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet në Greqi Liljana Kondakçi

Këngëtarja e njohur shqiptare e muzikës së lehtë u arrestua në Selanik nga policia greke për llogari të italianëve


Më parë këngatarja kishte mohuar përfshirjen e saj në trafik ndërsa në përgjime ajo dilte me nofkën "Mamaja"

Arrestohet për herë të dytë këngëtarja e njohur shqiptare Liljana Kondakçi, për llogari të autoriteteve italiane, e dyshuar si e përfshirë në një rrjet të trafikut të drogës. Mediat greke emetuan lajmin e arrestimit të këngëtares së njohur të muzikës së lehtë shqiptare, sipas të cilëve ajo ishte arrestuar në qytetin e Selanikut.


Liljana Kondakçi, 58 vjeçe, banuese në rrugën "Dedë Gjo Luli", u arrestua pasi ndaj saj është aktivizuar një urdhër ndalimi ndërkombëtar i autoriteteve të drejtësisë italiane, për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike në bashkëpunim me një grup personash të tjerë dhe ajo vetë ishte implikuar nga të arrestuarit në këtë trafik nga përgjimet e policisë italiane.


Nga pjesa tjetër e grupit, Kondakçi ishte identifikuar me nofkën "Mama". Ajo u akuzua si e përfshirë në trafik, pas një operacioni antidrogë të zhvilluar në Kalabri ku u arrestuan rreth 20 persona. Artistja 58- vjeçare e cila u bë e njohur në vitet 80-të në Shqipëri, u arrestua në një banesë private në Selanik, pasi kohët e fundit ishte larguar nga Shqipëria për të jetuar në shtetin fqinj, në Greqi.


Pasi autoritetet italiane kishin lëshuar urdhrin ndërkombëtar të arrestit, këngëtarja ishte larguar nga Italia, duke ardhur në vendlindje. Por gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, Kondakçi , u shpreh në media se nuk kishte asnjë problem me drejtësinë italiane dhe mund të lëvizte e lirë në çdo vend.


Pas informacioneve të agjentëve të Interpol Athinës, për vendndodhjen e këngëtares 58- vjeçare është bërë edhe ekzekutimi i urdhrimit ndërkombëtar të arrestimit, lëshuar nga autoritetet italiane.


Liljana Kondakçi është arrestuar fillimisht në maj të vitit 2006, ku nga të dhënat e raportuara në mediat e shtetit fqinj, në Itali, kjo e fundit u arrestua në stacionin e trenit Sibari në Cosentino, me tre kilogram kokainë në çantë.


Por gjatë arrestimit, ajo kishte deklaruar se pakoja me drogë ishte një dhuratë nga një fans dhe ajo nuk ishte në dijeni për përmbajtjen e saj, duke hedhur poshtë edhe akuzat se ishte e përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës. Prokuroria e Castrovillari kërkoi dënimin me 2 vjet e 8 muaj burg për artisten shqiptare dhe personin që priste drogën, i cili rezultoi se ishte një shqiptar.


Fillimisht ajo u lirua por më pas, hetimet e prokurorëve italianë provuan se Kondakçi, që thirrej nga banda "la mama", dyshohej se ishte pjesëtare e rrjetit.
Në tetor të vitit 2008 vjen vendimi i ri i gjykatës, një urdhër për arrestimin e këngëtares nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, urdhër i cili mbeti i pazbatuar për shkak se Kondakçi ishte larguar nga Italia.


Pas publikimit të lajmit se ishte person në kërkim nga autoritetet italiane, këngëtarja lirike e viteve '80 Liliana Kondakçi, mohoi akuzat e ngritura ndaj saj, duke hedhur poshtë pretendimet e policisë italiane se ajo ishte e përfshirë në një organizatë të trafikut të drogës.


Mësohet se pas arrestimit Kondakçi nuk do të ekstradohet menjëherë, por pasi të jenë dëgjuar pretendimet e palës mbrojtëse të këngëtares, gjykata do të vendosë përfundimisht për fatin e këngëtares shqiptare.


Këngëtarja thirrej nga grupi me emrin "Mama"


Në fund të muajt tetor të vitit 2008 policia italiane organizoi një operacion antidrogë në rajonin e Kalabrisë, duke çuar në pranga 20 persona, midis tyre dhe shqiptarë. Media italiane bëri me dije në atë kohë se pas përgjimeve të policisë, dyshohej se pjesë e trafikut të drogës për të cilët ishin arrestuar 20 personat ishte edhe këngëtarja shqiptare Liljana Kondakçi .


Përgjimet telefonike nga ana e policisë italiane të cilave u referohet agjencia italiane e lajmeve ANSA dëshmojnë se Liljana Kondakçi është njohur mes anëtarëve të grupit si "mamaja" apo "këngëtarja". Nga të njëjtat burime mësohet se këngëtarja shqiptare ka përdorur popullaritetin e saj për t'u shpëtuar kontrolleve të policisë në Shqipëri.


Kondakçi në 2008:

Jam e pafajshme

Gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, Liljana Kondakçi mohoi të ishte person i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në tetor të vitit 2008, kur mediat italiane publikuan lajmin se këngëtarja shqiptare ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, Kondakçi u shpreh në media se nuk ka asnjë problem me drejtësisë italiane. Këngëtarja një vit e gjysmë më parë tha se ishte se nuk ishte person nën hetim. Pas tetorit të vitit 2008, Kondakçi jetoi edhe për një kohë në Shqipëri, pastaj është larguar për të jetuar në Greqi.


Policia: Italianët duhet të kishin sjellë dosjen për arrestimin


Arrestimi i Liljana Kondakçiut e çon në dy numrin e rasteve të arrestimit të personave me shtetësi dhe kombësi shqiptare jashtë vendit të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale në Itali. Edhe në këtë rast, arrestimi është kryer në Greqi nga policia e vendit fqinj. Pak muaj më parë, policia greke arrestoi menjëherë pas kalimit të kufirit me Shqipërinë, Gëzim Salillarin e akuzuar për trafik droge në Itali.


Në lidhje me mosekzekutimin e urdhër arrestit, për rastin e këngëtares Liljana Kondakçi, burime të Policisë së Shtetit, pohuan se si procedurë duhej që më parë, autoritetet italiane duhet të kishin sjellë dosjen, e subjektit të kërkuar prej tyre dhe më pas Ministria e Drejtësisë duhej të kryente veprimet e saj me prokurorinë me qëllim nxjerrjen e një urdhër arresti.


Në të kundërt, specialistë të Policisë pohojnë se pavarësisht këtij fakti, Kondakçi duhej të ishte arrestuar nëse nga Interpoli, ka pasur një urdhër ndërkombëtar arresti për këngëtaren e njohur shqiptare, pjesëmarrëse e rregullt e festivaleve në RTV, përpara viteve '90.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›