Altin Haxhi, jashtë sfidës së APOEL Nikosias me Porton
Altin Haxhi do të mungojë në ndeshjen e tretë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, ku APOEL Nikosia luan në fushën e Portos. Mbrojtësi shqiptar nuk është rehabilituar nga dëmtimi që pësoi një javë më parë me Kombëtaren dhe do të detyrohet ta shohë sfidën nga tribunat e "Estadio do Dragao". Stafi teknik i kampionëve të Qipros ka provuar deri në fund që të ndihmojë 34-vjeçarin të jetë në fushën e lojës, por tërheqja muskulore e pësuar dhe rikuperimi me ritme jo të shpejta bënë që lojtari të dorëzohej. Të hënën Haxhi mori pjesë në stërvitje, së bashku me pjesën tjetër të kontingjentit të drejtuar nga trajneri serb Ivan Jovanoviç, ndërsa të martën ai punoi i diferencuar. Në fund, stafi teknik i APOEL-it vendosi që gjirokastriti nuk do të zbresë në fushë, pasi ata nuk dëshirojnë të rrezikojnë duke aktivizuar lojtarë në gjendje jo optimale. Gjithsesi, kjo nuk e ka ndaluar Haxhin që gjatë paradites së djeshme të udhëtonte me çarter së bashku me ekipin, për të ndier nga afër emocionet e aktivitetit më prestigjioz për klube. Pas dy ndeshjeve, APOEL ka vetëm 1 pikë, ndërsa Porto kërkon fitoren e dytë.
e. k.
e. k.