E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcillet Dhimitër Xhuvani

Dhimitër Xhuvani është përcjellë dje në banesën e fundit. Ka qenë një ceremoni e thjeshtë, me miq, kolegë e të afërm. Kishte kërkuar që në të gjallë të largohej pa zhurmë. Të tillë e kujtojnë gjatë gjithë jetës miqtë e afërt. Kortezhi e shoqëroi trupin e pajetë të skenaristit dhe dramaturgut të njohur shqiptar në Varrezat e Sharrës. Nuk do të jetë më mes kolegësh. Në këtë ditë të parë të mungesës së tij, flasin për kujtime. Secili ka përjetime personale. Dikush e ka njohur shoqërisht, dikush në punë e dikush tjetër fillimisht si krijues. Të gjithë e thërrisnin Taqo. "Dhimitër Xhuvani do të mbetet gjatë në kujtesën e brezave që do të vijnë, si në letërsi dhe në art. Jeta e tij ka qenë e vështirë, pasi ai ka kaluar në një tunel, ku herë ka pasur dritë dhe herë errësirë. Por mund të them se 20 vitet e fundit, kanë qenë vitet e tij më të lumtura. Gjatë kësaj kohe ai shkroi veprat e tij i shkëputur nga trysnia që ekzistonte më parë", shprehet shkrimtari Teodor Laço. Për të treguar përmasat njerëzore të Xhuvanit, Laço sjell në mend vitin 1995, atëkohë ministër i Kulturës, ndërsa Dhimitrin e cakton si drejtor të Teatrit Kombëtar. "Ai krijonte marrëdhënie shumë të mira me njerëzit. Në fillim e pranoi me vështirësi këtë punë, por vetëm pas gjashtë muajsh e dorëzoi detyrën dhe tha "unë nuk punoj dot më këtu, nuk jap dot urdhra të rrepta si duhet". Ky ishte Xhuvani, jo vetëm një shkrimtar i përmasave kombëtare, por një njeri i jashtëzakonshëm me zemër të madhe e të bardhë. Nuk e njihte smirën e zilinë", vazhdon Laço. Një pjesë të miqve të tij i pati njohur në Kinostudio. Veç veprave letrare, Dhimitër Xhuvani njihet për skenarët e shumë filmave të suksesshëm shqiptarë. Një prej tyre ishte edhe regjisori Dhimitër Anagnosti. "E kam njohur Dhimitër Xhuvanin në gjirin e Kinostudios, fill pas ardhjes së tij nga ‘rehabilitimi‘. Ishte njohur me realitetin në bazë, në kantierët me punëtorë... Kam pasur fatin të lexoja i pari librat në dorëshkrim të tij. I tillë ishte romani "Përsëri në këmbë". Dhimitri ishte një njeri shumë i ndershëm, i dashur dhe i dialogut. Nuk ushqente urrejtje për askënd dhe nuk foli kurrë fjalë të keqe për ndokënd. Dha kontribut të madh në kastën e shkrimtarëve me penën e tij", shprehet Anagnosti në këtë përcjellje të fundit të mikut të tij. Ndërsa Xhevdet Ferri thotë se fjalët janë të tepërta për një njeri të tillë. "Gjurmët që ai ka lënë janë shumë më të mëdha se sa fjalët. Me sa duket natyra njerëzore paska njerëz të tillë, që atë bëjnë, nuk e promovojnë. Nuk bërtasin. Dëgjon lloj-lloj ‘marrirash‘: ‘Hero i Popullit‘, ‘Nder i Kombit‘ me çmime, dekorata apo tituj të tjerë, që u jepen njerëzve që vijnë nga jashtë shtetit dhe që s‘kanë dhënë asnjë kontribut për kulturën shqiptare; asnjë rresht për të. Njerëz si Dhimitër Xhuvani ikin sot, në mënyrë familjare, krejt modeste". Harresë e shtetit dhe e shoqërisë i quan regjisori Gëzim Kame vitet e fundit për Dhimitër Xhuvanin. Për të ai ishte njeriu që dinte gjithnjë të mirëkuptonte, që vuajti gjatë diktaturës dhe që nuk kërkoi asnjëherë të merrte tituj për punën e tij. Gjatë ditës së hënë në shtëpinë e shkrimtarit dhe skenaristit kanë zhvilluar homazhe edhe personalitete të politikës shqiptare. Për ngushëllime në familjen Xhuvani ka shkuar edhe Presidenti i Republikës Bamir Topi vlerësoi lart krijimtarinë dhe veprën e Dhimitër Xhuvanit si një thesar i vyer i traditës dhe kulturës sonë kombëtare. "Me punën dhe përkushtimin e tij, ai u kthye në një model të pastër të krijuesit dhe artistit me ndjenja, vlera e virtyte të çmuara njerëzore dhe të një profesionisti virtyoz me një personalitet të spikatur e karakter mbresëlënës", ka theksuar kreu i shtetit. Dhimitër Xhuvani u nda nga jeta orët e para të së hënës në moshën 75-vjeçare pas një sëmundjeje që e mundoi për tri vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›