E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana dhe Vllaznia, Kupa një mundësi për të shpëtuar sezonin

Futbolli shqiptar nuk do t‘u mungojë sportdashësve të tij as këtë mesjavë, pasi skuadrat do të jenë të impenjura sot në ndeshjet e para të turit I të Kupës së Shqipërisë në edicionit e saj të 58-të. Pas tureve eliminatore të skuadrave modeste, tashmë ka ardhur momentin që kompeticioni i dytë për nga prestigji në futbollin tonë të hyjë në një fazë ku gjërat duhen marrë seriozisht. 32 skuadrat janë ndarë në dy grupe A dhe B dhe shorti ka përcaktuar duele të lehta në letër për të mëdhenjtë e Superiores. Akoma më i lehtë konstatohet shorti për Tiranën dhe Dinamon, të cilat do të përballen me dy skuadra të Kategorisë së Tretë, përkatësisht Luzin dhe Mamurrasin. Të gjitha skuadrat e tjera kryesore në Grupin A kanë "peshkuar" kundërshtarë nga Kategoria e Parë dhe duhet të derdhin djersë për kalimin e turit. Vllaznia e Grupit B pritet ta ketë pak më të vështirë, pasi do të ndeshet sot në Berat me Tomorin. Si Tirana ashtu edhe Vllaznia nuk kanë aspak ndërmend ta nënvlerësojnë këtë kompeticion. Duke parë paraqitjen e tyre zhgënjyese në këto javë të para të kampionatit, ku janë thuajse larg luftës për titull, objektivi i tyre i fundit është pjesëmarrja në Kupat e Europës. Por në Europë mund të shkohet në mënyrë komode edhe nga Kupa e Shqipërisë. Prandaj, impenjimi i tyre në këtë edicion do të jetë jo i vogël. Ndërsa të tjera përballje interesante në këtë tur janë edhe ndeshjet "derbi" të Kategorisë së Parë mes Adës e Partizanit dhe Elbasanit. Të kuqtë kryeqytetas, të drejtuar nga trajneri i ri Skerdi Bejzade, do të duhet të kthehen sot në "vendin e krimit" në Velipojë, ku vetëm pak javë më parë pësuan edhe humbjen e turpshme 0-5. Ndeshjet zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje. Ndeshja e parë luhet në fushën e skuadrës të renditur më dobët. Fituese në fuqi e Kupës së Shqipërisë është Flamurtari. Partizani është skuadra që e ka fituar më shumë herë atë, 15.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›