Altin Kodra, ambasadori me të ardhurat më të larta

Pas pasurisë së qeveritarëve, politikanëve dhe krerëve të institucioneve kryesore, gazeta “Shqip” publikon sot deklaratat e të ardhurave dhe shpenzimeve zyrtare të ambasadorëve kryesorë të Shqipërisë në kryeqytetet kryesore të botës. Përgjithësisht diplomatët tanë jetojnë me pagat e tyre, por ka edhe nga ata që kanë të ardhura më të mëdha nga pjesëtarë të tjerë të familjes, siç është rasti i ambasadorit të Shqipërisë në Ankara. Në deklarimet e tyre për vitin 2009, pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive vërehet gjithashtu se pjesa dërrmuese e tyre nuk kanë kryer asnjë investim dhe kanë tepër pak burime alternative të ardhurash të përvitshme të tyre. Kështu, ambasadori ynë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaron se gjatë vitit të kaluar ka përfituar vetëm 29 961 dollarë amerikanë, shto këtu edhe pagën e bashkëshortes së tij. E njëjta situatë vlen edhe për Zef Mazin, i cili në deklaratën e tij të pasurisë për vitin e kaluar deklaron vetëm pagën që kap shifrën e 25 728 eurove. Po kështu, edhe ambasadori ynë në NATO, Artur Kuko, i cili jeton në Bruksel, deklaron si të ardhura nga paga përgjatë një viti një shifër prej 24 852 eurosh, shto këtu edhe 4000 euro të marra në formën e dietave dhe shpërblimeve. E njëjtë paraqitet situata edhe për ambasadorin tonë në Turqi, Altin Kodrën, i cili deklaron një pagë prej 24 900 eurosh. Por në deklaratën e tij të pasurisë, bashkëshortja e Kodrës deklaron se përfiton gjatë një viti 100 000 euro të ardhura, si pasojë e administrimit të një firme ndërtimi në kryeqytet. Ambasadori i Shqipërisë në Itali, Llesh Kola, gjithashtu deklaron se përgjatë një viti përfiton pagën si ambasador me një vlerë prej 25 300 eurosh. Por në ndryshim nga kolegët e tij, Kola thekson se ai përfiton gjatë një viti edhe 2 400 euro në formë qiraje për një apartament që disponon. Ambasadori ynë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, i cili më parë ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme, jep më shumë të dhëna, në lidhje me atë që ka përfituar në 2009-n. Përveç pagës së tij dhe të bashkëshortes, deklaron se ka përfituar nga aktiviteti i tij profesional një shumë prej 1 450 eurosh dhe nga ana tjetër jep një vlerë prej 1 500 eurosh për dhuratat që familja e tij ka marrë brenda një viti. Po kështu Hoxha deklaron se përgjatë 2009-s ka arritur të shlyejë edhe kreditë e tij, të cilët në total kapin shifrën e 30 000 eurove. Nga ana tjetër, ambasadori ynë në Greqi, Vili Minarolli, deklaron se nuk ka asnjë ndryshim të të ardhurave të tij personale për vitin 2009. Por, nga ana tjetër, Minarolli shpjegon se ai përgjatë këtij viti ka marrë një kredi me vlerë prej 59 000 eurosh për të blerë shtëpi për djalin e tij. Në deklarimin e përvitshëm të pasurisë, ambasadori ynë në Greqi shpjegon se ai ka arritur të shlyejë nga kurimet familjare 10 000 euro për këtë kredi dhe, nga ana tjetër, i kanë ngelur pa paguar edhe 49 000 euro. Ambasadorët e Shqipërisë paguhen në mënyrë të diferencuar, nisur nga rëndësia e misioneve të tyre dhe po kështu nga niveli i jetës në vendin ku janë rezidentë.
#