E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Kontroll rigoroz kandidatëve që do të propozojë Parlamenti

Presidenti: Zgjedhjet vendore do të mbahen në pranverë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka paralajmëruar mazhorancën se do t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë siç veproi ajo me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, në shqyrtimin e kandidaturave që do të vijnë nga Kuvendi. Megjithëse me një gjuhë të zgjedhur, kreu i shtetit shqiptar ka theksuar në mënyrë të qartë se njësoj si Parlamenti ka kontrolluar rigorozisht kandidatët e sjellë nga Presidenti, të njëjtën gjë do të bëjë edhe institucioni numër një i Republikës. Duke folur nga Thethi, ku ka marrë pjesë në një takim për promovimin e asaj zone, Presidenti i Republikës deklaroi se “dua të përgëzoj që është rritur ndjeshmëria për të përmirësuar metodologjinë e dëgjimit, të transparencës së kandidaturave dhe të vlerësimit. Dhe në sajë të përmirësimit të kësaj metodologjie është bërë e mundur që dy kandidaturat, të cilat ishin rrëzuar dy vite më parë, të rivlerësohen nga Kuvendi dhe të marrin votën e Kuvendit. Pra, ky është një moment që unë si President i risjell Kuvendit, dy kandidatura të cilat i kam paraqitur një herë, të miratohen. E dyta që është një element shumë i rëndësishëm: ne duhet të marrim shembull si institucione nga njëri-tjetri. Në rast se Kuvendi me të drejtë ka rritur rigorozitetin në kontrollin e kandidaturave, kjo vlen dhe për Institucionin e Presidentit, që duhet ta përmirësojë, të vendosë kritere shumë më rigoroze për të gjitha kandidaturat dhe propozimet që vijnë nga pushtetet e tjera. Pra, kjo është historia e pushteteve në një vend demokratik, “check and balance”, shikojnë njëri-tjetrin, kontrollojnë njëri-tjetrin dhe punojnë për demokracinë”.

Zgjedhjet

Ndërkaq, një moment tjetër për të cilin është prononcuar kreu i shtetit shqiptar, është edhe data e zgjedhjeve të përgjithshme vendore. Presidenti Topi deklaroi se “unë shikoj që forcat politike kanë një tendencë për të bashkëpunuar përtej debatit. Ajo që i takon Presidentit është që, duke ndjekur me rigorozitet detyrimet kushtetuese dhe të drejtat kushtetuese, të shpallë datën e zgjedhjeve administrative, apo zgjedhjeve vendore në momentin kur ai ka detyrimin për ta bërë. E unë besoj që kjo është projektuar në pranverën e vitit që vjen”. Me këtë deklaratë të Presidentit të Republikës, ligjërisht dekretimi i datës së zgjedhjeve do të duhet të bëhet në fillim të muajit gusht. Sipas gjasave, votimet për të zgjedhur krerët e bashkive dhe komunave mund të shpallen për në marsin e vitit të ardhshëm.

Kriza

Në lidhje me krizën politike, kreu i shtetit shqiptar ka mbajtur një qëndrim të baraslarguar, duke bërë të ditur se nuk është as shkaktuesi dhe as ndihmuesi i ngërçit. Madje në shkurt ka udhëhequr një tentativë kompromisi mes mazhorancës dhe opozitës, por që ai dështoi si pasojë e kundërshtimit të Berishës dhe Ramës. Megjithatë, kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, u ka bërë thirrje partive politike të mos mbajnë qëndrime të njëanshme, por të respektojnë standardet politike. “Presidenti nuk është dipendent nga krizat e të tjerëve. Presidenti vendos mbi bazën e një dokumenti të cilin po nuk e zbatoi, penalizohet dhe kjo është Kushtetuta”, theksoi Topi. Kreu i shtetit, duke komentuar qëndrimin e partive politike për situatën, theksoi se “ky vend ka nevojë t’i respektojë standardet politike në të gjitha pozicionet e mundshme qoftë nga mazhoranca, qoftë nga opozita të bashkëpunojnë, të mos mbajnë qëndrime unilaterale, sepse në fund fare janë njerëzit, është populli ai që i shikon, ai që i vrojton dhe ai që e pëson. Në kuptimin e vërtetë të fjalës, nëse partitë politike bashkëpunojnë, shoqëria është më e qetë, problemet janë më të zgjidhshme dhe meqenëse jemi në klimën e Kampionatit Botëror të Futbollit, nuk besoj që ju shikoni lojtarë të standardit botëror që luajnë me një këmbë. Pra, duhet të luash me të dyja këmbët, që të kesh shanse për të shënuar”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›