E Diel, 1 Nëntor 2026

Sllovaki, nis punën Kryeministrja e parë femër

Qeveria

Presidenti i vendit, Ivan Gasparovic, pas dorëheqjes së Kryeministrit Robert Fico, emëroi Iveta Radicova si Kryeministren e re të vendit. 53-vjeçarja sllovake, që bëri betimin mesditën e së premtes, nisi menjëherë nga puna. Ajo është Kryeministrja e parë femër në historinë e vendit. Radicova u vendos në krye të koalicionit të djathtë, ku bëjnë pjesë katër parti që fituan shumicën në zgjedhjet e përgjithshme të 12 qershorit. Fushata e qendrës së djathtë u përqendrua te programi antikrizë, te rimëkëmbja e ekonomisë sllovake dhe te përmirësimi i marrëdhënieve me Hungarinë fqinje. Ajo e vuri theksin te periudha e vështirë që po kalon vendi, si pasojë e krizës ekonomike globale. Sipas saj, papunësia, korrupsioni dhe niveli jo i njëjtë i jetesës në rajone të ndryshme të vendit janë problemet që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Për këtë arsye, sipas Kryeministres së re, misioni i kabinetit të saj qeveritar do të jetë ai që të krijojë kushte që i lejojnë njerëzit e thjeshtë të bëjnë një jetë dinjitoze. Radicova është shumë e njohur në jetën politike të vendit. Në prill të vitit 2009 ajo kishte konkurruar për Presidencën e vendit, por humbi në raundin e dytë në përballjen me Presidentin aktual Ivan Gasparovic. Popullariteti i saj nisi në vitin 2005. Më parë ishte thuajse e panjohur në qarqet intelektuale. Ish-profesoresha e sociologjisë, e vetmja sociologe grua në të gjithë Sllovakinë, është bërë sot një fenomen i vërtetë social. Me imazhin e gruas së ndjeshme, mishëron një stil të ri, që refuzon rregullat brutale të politikës që bëjnë meshkujt, ku përfaqësuesit e zgjedhur nga populli përleshen si në një fushë beteje. Përveçse dëshiron të ofrojë një qeverisje shumë të mirë për vendin e saj, ajo thotë se “preferon të braktisë politikën sesa të mohojë parimet e edukatës së saj”.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›