Altin Lala nuk pajtohet me stolin te Hanoveri
"Në pankinën e Hanoverit ka shpërthyer gati një "dinamit". Kështu shkruan revista gjermane "Bild", duke iu referuar rebelimit të tre lojtarëve me emër në skuadër, të kryesuar nga shqiptari Altin Lala, aktualisht zëvendëskapiten i Hanoverit. Në ndeshjen e fundit me Hofenhaimin, mesfushori kuqezi nuk luajti asnjë minutë, ndërsa në stol me të ishin edhe Hanke me Egiman. Si lider i Hanoverit, Lala ka dhënë ultimatumin se kërkon që të luajë. Por trajneri Dieter Heking nuk është shprehur fare për këtë çështje, edhe pse ekipi pësoi një humbje të thellë në "shtëpi" me Hofenhaimin.
"Nuk është bukur ta shikosh ndeshjen nga pankina, madje është shumë e vështirë, megjithatë nuk jam duke u ankuar publikisht te trajneri. Ajo që mund të them, është se gëzoj një formë të mirë dhe nuk kam asnjë dëmtim. Edhe gjatë seancave stërvitore me klubin e kam treguar veten,"- tregon Altin Lala. Kapiteni kuqezi luajti 180 minuta me Shqipërinë, në ndeshjet eliminatore ndaj Hungarisë dhe Portugalisë, ndërkohë që befas e gjen veten rezervë te Hanoveri, ekip, të cilit i është përkushtuar shumë gjatë karrierës së tij. Që nga viti 1998, Lala është pjesë e Hanoverit dhe kontrata e tij skadon në fundin e këtij sezoni. Në lidhje me këto 10 vite aktivizim, tifozët e Hanoverit, në ndeshjen me Hofenhaimin, kanë festuar me pankarta në duar për Lalën, ndërsa e veçanta ishte se në fotografinë e tij kishin shkruar: "10 vitet e zemërluftëtarit." Tifozët e kanë përkrahur gjithnjë "veteranin" dhe tani mendojnë se Hanoveri ka shumë nevojë për zemrën që ai jep në fushë, në shërbim të Hanoverit. "Për të qenë i sinqertë, nuk e dija që tifozët do të bënin diçka të tillë. Një vlerësim më të mirë nuk mund të presësh. Në plan të parë janë sulmuesit dhe unë i çmoj ata. Duhet të dimë që futbolli është argëtim, por po të shohësh atë vlerësim, sigurisht që përjeton një ndjenjë shumë të bukur,"- pohoi Lala, i pyetur për koreografinë e tifozëve, e bërë posaçërisht për të.
Duke folur për situatën aspak të mirë që po kalon ekipi dhe rolin e tij, 33-vjeçari shtoi: "Gjendja nuk është e re për mua. Unë dëshiroj të luaj gjithmonë, dhe kjo është logjike. Paraqitem shumë mirë në stërvitje dhe besoj se e kam të drejtën për të kërkuar arsyen."
"Në fushë, këdo mund ta nxjerr jashtë loje"
Altin Lala ka oreks, madje premton se po të luajë këtë fundjavë me Verder Bremenin, yllin e kësaj të fundit, Diego, do ta nxjerrë jashtë loje. Shpirtin luftarak të Lalës, më parë e ka provuar mesfushori francez i Bajernit, Frenk Riberi. "Unë nuk kam kualitet për të ndërtuar aksione sulmuese. Fuqitë e mia kanë të bëjnë me lidhjen përpara mbrojtjes. Unë mund të marr përsipër një kundërshtar të fortë në fushë dhe jam i bindur që ia arrij ta mbuloj ashtu si duhet. Për mua, pas Riberisë, braziliani Diego është lojtari më i mirë i Bundesligës. Nëse do të luaj, do t'i jap sa më pak shanse të jetë e mundur. Kam bindjen për këtë,"- shprehet i sigurt "veterani". Për lojtarin që mund të bëjë rolin e liderit te Hanoveri, ish-kapiteni prej pesë vitesh i saj, ka thënë: "Unë e shoh futbollin si një orkestër me një dirigjent. Pra, lojtarët duhet të ndihmojnë njëri tjetrin dhe të zbatojnë udhëzimet e trajnerit. Nuk ka nevojë për një lider."