Klasikët vijnë nga Augsburgu
“Kamersolistët e Augsburgut” një nga formacionet gjermane më të njohura sjellin klasikët sot në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Nën drejtimin e mjeshtrit Hermann Mayer, çelosolist i Orkestrës Simfonike të Hamburgut, Bambergut, etj., formacioni i përbërë nga Stefan Schëab, Michaela Kuntz në oboe dhe Markeljan Kocibelli në violinë, sjell një program të pasur me pjesë nga krijimtaria e Vivaldit, Bachut, Mozartit, Donizettit, Mahles, Dvorakut, etj. Mësohet se instrumentistët gjermanë nuk do të interpretojnë vetëm në skenën e TKOB-it në Tiranë, por do të udhëtojnë drejt skenave të Shkodrës, Durrësit, Fierit dhe Korçës. “Kamersolistët e Augsburgut” është një nga formacionet gjermane me veprimtari koncertore më të pasur. Në 19 vjet jetë numëron shumë koncerte të muzikës instrumentale, asaj korale etj., me një repertor që nga muzika baroke, tek ajo bashkëkohore. Janë bërë të njohur më së shumti përmes prezantimit të dorëshkrimeve dhe partiturave historike, qofshin këto oratore apo instrumentale, që i kanë nxjerrë në dritë dhe i kanë rivlerësuar në jetën artistike.
----------------------------------------------------------Njerëzit e teatrit duan të njohin njëri-tjetrin
Përgjatë dy ditëve (22-23 tetor) në sallën e Teatrit Kombëtar organizohet konferenca teatrore “Të njohim njëri –tjetrin”. Aktorë, regjisorë, dramaturgë etj., do të diskutojnë mbi problemet që shqetësojnë teatrin. Aktiviteti shoqërohet nga dy ekspozita njëra me fotografi nga shfaqjet e teatrit dhe tjetra me skenografitë më të mira në vite. Konferenca organizohet nga Qendra Art & Color me mbështetjen e MTKRS-së dhe TK.