E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unë denoncoj sëmundjet sociale

Marsel Lesko me veprën “Epopeja e të përditshmes” merr pjesë në Teatrin e Dokumenteve4-16 nëntor në Romë

“Çfarë është “Epopeja e të përditshmes? Është denoncimi i sëmundjeve sociale që vrasin dhe minojnë jetën, një udhëtim përmes një dimensioni onirik në të cilin vallëzimi, muzika, imazhet arketipe dhe fjala e kënduar zbulojnë realitetin e të përditshmes për ta shkatërruar atë dhe për t’i dhënë hapësirë një jete të re”.

Ky është komenti i Marsel Leskos, artisti i ri shqiptar, teksa shpjegon projektin e parë të “Aion teatër”, një grup pune me të cilin ka një vit që po punon për “Epopenë e stë përditshmes”. Ky grup u krijua nga ideja e Leskos në bashkëpunim me Magda Saba-n dhe Ivana Pantaleo, dhe me pjesëmarrjen e Federico Di Maio dhe Mariana Terra. Vepra në fjalë do të shfaqet gjatë ditëve të Teatro di Documenti, që mbahet 4-16 nëntor në në Romë.

Lesko, një artist i formuar në hapësirën kulturore ndërmjet Romës dhe Parisit shpjegon se pika e nisjes ka qenë teksti që ai ka shkruar në formë lirike. Fjala e kënduar paraqitet dhe dëgjohet si muzikë; ritmi është dhënë nga një formë sintetike jo gjithnjë korrekte, nga fjalë të reja që shprehin në mënyrë onomatopeike domethënien e tyre dhe nga asociacione imazhesh të pashfaqura më parë. Çdo strofë përshkon një realitet dhe një dimension të ndryshëm. Muzika e strofave shkrihet me atë të instrumenteve, derisa fjala të humbasë formë dhe të bëhet tingull.

Kështu pra, nga strofat e tekstit dalin: arketipet e të përditshmes, figura onirike që “përshkojnë hapësirën me një orkestrim imazhesh dhe që flasin për inteligjencën primordiale të qenieve njerëzore, me maskat e tyre, tingujt e tyre, këngët e tyre, ritmet e tyre”. I veçantë është edhe shfrytëzimi i instrumenteve muzikorë: një organo Hammond, dy tamburë, një flaut.

Publiku do të ketë mundësi të shohë gjatë atyre ditëve dy versione të “Epopesë së të përditshmes”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›