Berati në UNESCO, ceremonia katër muaj më pas
Katër muaj pas pranimit të Beratit në kategorinë e trashëgimisë botërore në seri përkrah Gjirokastrës, krerët e administratës së kulturës dhe pushteteve qendrore e lokale, kryesuar nga kryeministri Sali Berisha, festuan dje me një ceremonial. I pranishëm ishte dhe një delegacion i UNESCO-s përfaqësuar nga nga drejtoresha e përgjithshme për kulturën në këtë organizëm, znj.Françoise Riviere.
Ministri i Turizimit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, theksoi se futja e Beratit nën patronazhin e UNESCO, “si të gjitha proceset integruese, ka kërkuar kompetencë profesionale, seriozitet institucional, përkushtim njerëzor dhe mbështetje të fortë diplomatike. 47 shtëpi janë restauruar e po restaurohen në këtë qytet me fondet e Qeverisë Shqiptare. Gjithashtu me mbarimin e punimeve për ndërtimin e një ure të re në lumin Osum, e cila do të reduktojë ndjeshëm trafikun e mjeteve në Urën e Goricës, do të gjallërohet edhe më pjesa e qendrës historike të qytetit. Më lejoni të nënvizoj gjithashtu, që plani i përgjithshëm rregullues i qytetit të Beratit është miratuar në KRTRSH, i cili është një instrument i fuqishëm kontrolli mbi zhvillimet e sotme dhe të ardhme të qytetit.”
Kurse përfaqësuesja e UNESCO-s, znj. Riviere, ka kujtuar se tani është momenti që për ruajtjen dhe konservimin e pasurive si Berati dhe Gjirokastra “duhet arritur koordinimi në menaxhimin sa më të mirë e të dy qyteteve.”
Pranimi i Beratit si trashëgimi botërore në seri u bë më 8 korrik të këtij viti kur në Sesionin e 32-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, në Kebek, Kanada, u mor vendimi për përfshirjen e Qendrës historike të Beratit në Listën e Trashëgimisë Botërore. Pas Butrintit dhe Gjirokastrës, Berati është qendra e tretë e trashëgimisë tonë kulturore që merr statusin e Pasurisë Botërore.
Re.ku