E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amanetet e fundit të regjisorit Viktor Gjika, në faqet e një libri

"Vit pas viti", vjen pranë lexuesit autobiografia e regjisorit të njohur shqiptar
Vit pas viti titullohet libri autobiografik, që regjisori i njohur i kinematografisë shqiptare, Viktor Gjika, nisi të shkruante pak kohë para se të ndahej nga jeta. Libri, një ndër amanetet e fundit të regjisorit të njohur shqiptar, i cili u nda nga jeta në moshën 71- vjeçare disa muaj më parë, u prezantua dje në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Dje gjatë këtij promovimi nga miqtë dhe kolegët e tij, regjisori Viktor Gjika u cilësua si kolosi që ka marrë për dore të gjithë regjisorët dhe kineastët e rinj. Për artin kinematografik shqiptar, Viktor Gjika, në memorien e të gjithëve do të mbetet një nga figurat më emblematike të kinematografisë shqiptare. Padyshim një artist me një jetë profesionale shumë jetëgjatë, ku miq, shokë dhe të afërm të tij sollën kujtime dhe vlerësime për këtë artist. "Vit pas viti" mbeti i papërfunduar nga duart e Gjikës, por ndihma e miqve e çuan këtë dëshirë drejt përfundimit. Teodor Laço, një nga miqtë e fëmijërisë së Viktor Gjikës, ndihmoi në redaktimin e librit,ndërsa botimi i tij u mundësua nga Fatmir Toçi, botuesi i shtëpisë botuese Toena. Vit pas Viti përmban 275 fletë, të cilat janë të mbushura me kujtime prej fëmijërisë së largët drejt rinisë së bukur e më pas punës së palodhur, duke përfunduar me kujtime miqsh të paharruar të regjisorit. Por dhe fotografia, si një ndër pasionet e rinisë së tij, zë një vend kyç në këtë libër, ndërsa në kopertinë është pa dyshim portreti i regjisorit Gjika. Në faqet e fundit rreshta të tërë të mbushura me kujtime miqsh sjellin për lexuesin të tjera aspekte të panjohura të jetës së tij. "Ai ecën gjithmonë një hap përpara, shkruan regjisori i njohur Pirro Milkani në kujtimet e tij. Dhe duke qenë përpara ai arrin të japë një shembull të mirë dhe shpresë për të gjithë ata që duan të ndjekin ëndrrat e tyre, vijon më tej ai. Për mikun e tij, Teodor Laço, regjisori Viktor Gjika e ka kryer misionin e tij ndaj artit shqiptar dhe për atë është humbja e një modeli të mirë të shoqërisë sonë. Në një prononcim disa kohë më parë miku i tij Laço në lidhje me librin dhe vlerta e regjisorit është shprehur se: Ishte data 7 shkurt dhe më tha kam një amanet për ty, por me një gjysmë zëri siç e kishte ai në çastet e fundit. Erdha menjëherë dhe më tha se kam shkruar një libër mbi jetën time, por nuk kam arritur ta mbaroj. Të lutem të ma shohësh. E mora nga kompjuteri dhe e pashë që kishte shkruar që në vitin 1991. I thashë që janë dhe 17 vite të tjera që i duhet për të plotësuar dhe do të mundohem që ti plotësojmë bashkë, sepse mbetet një boshllëk i madh, pavarësisht se nuk ke bërë film artistik pas vitit 91 ti ke bërë disa dokumentarë të rëndësishëm. I bëra një pyetësor dhe me ndihmën e vëllait Thanasit  mora përgjigjet e pyetësorit dhe jam duke e plotësuar librin nga boshllëqet që ka. Kam keqardhjen e madhe, që nuk arritëm që tia jepnim në dorë dhe ndoshta për 10 ditë libri do të ishte në duart e lexuesve, tregon ai. Duke trajtuar në libër ngjarjet vit pas viti, regjisori Viktor Gjika sjell për lexuesin faqe të tëra me kujtime. Mes tyre ai shkruan: "Kam lindur në Korçë më 23 qershor të 1937 dhe më ka pritur në duar plaka Dhorevicë, që shërbente si mami në mëhallën tonë. Nëna më ka thënë se kam lindur me këmishë, e cila ishte aq e bardhë sa kur më nxorën mua, të gjithëve iu duka si ezmer, ndonëse isha më biondi i gjithë fëmijëve të lindur prej zonjës Meropi Josif Gjika..., vazhdon të tregojë regjisori Viktor Gjika, duke parë në planin personal jetën e një njeriu dhe artisti të madh të kinematografisë shqiptare. Për të gjithë tashmë dihet se regjisori Viktor Gjika e ka shkruar kapitullin e tij në historinë e filmit shqiptar, me daltën e një artisti që gdhend thellë në gur, për të gjitha kohërat. Nëse do të kërkonim një tipar dallues, të kudogjindshëm në filmat e tij, ky do të ishte realizmi. Pa parashtesa e prapashtesa. Ai di ta zgjedhë kohën. Kohëra dramatike e kulme të historisë. Në kushtet e vështira të diktatit e të censurës, ai bën pjesë me dinjitet në atë grup artistësh, që ia dolën të sjellin romantikën e atdhetarizmit, heroikën e luftërave të popullit si dhe të vërteta të tjera, shpesh herë të hidhura, të jetës së tij. Sipas miqve të tij ai kishte tre vjet që ishte i sëmurë dhe e kaloi me një forcë karakteri, me një forcë njerëzore. Nuk e dha veten asnjëherë para miqve dhe familjes. U përpoq të bënte një jetë normale me përjashtim të tre muajve të fundit. Ai gjatë kësaj kohe shkroi dhe kujtimet e veta, të cilat u sollën në librin Vit pas Viti.Viktor Gjika është cilësuar si njeri i rrallë, i cili do të kujtohet përherë nëpërmjet filmave dhe dokumentarëve të tij. Për kontributin tij në kinematografinë shqiptare ai është vlerësuar me titullin Artist i Popullit. Për kontributin e tij në kinematografinë shqiptare, emri i tij do të përkujtohet jo vetëm nga artistët e kineastë, por edhe nga të gjithë ata dashamirës të cilët jetuan me filmat e Viktor Gjikës.
 Si e njohëm regjisorin Viktor Gjika
 Ai u nda nga jeta në moshën 71 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Ai është regjisor i shumë filmave të njohur shqiptarë, mes të cilëve përmenden "Horizonte të hapura", "I teti në bronz", "Yjet e netëve të gjata", "Rrugë të bardha", "Rezistencë", "Gjeneral gramafoni" "Nëntori i dytë", "Njeriu me top" etj. Për kontributin tij në kinematografinë shqiptare ai është vlerësuar me titullin Artist i Popullit. Regjisori Gjika është cilësuar si njeri me kontribut të çmuar në kinemanë shqiptare, i cili do të kujtohet përherë nëpërmjet filmave dhe dokumentarëve të tij. Mes miqsh dhe bashkëpunëtorësh Viktor Gjika kujtohet si një njeri dinamik dhe tepër aktiv.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›