PD-PS, akuza të ndërsjella për dështimin e procesit të numërimit të votave

I bëj thirrje Sali Berishës të mos bllokojë procesin e numërimit në Elbasan, Fier e Tiranë ku vendoset rezultati përfundimtar e që flet në favorin tonë.
Paralajmërojmë se nëse kjo situatë abuzimesh e kombinuar me bllokim të qëllimshëm të procesit në zonat ku fitorja jonë thellohet, ne do të ngarkojmë me përgjegjësi Berishën për prishje të procesit zgjedhor, tha Islami. Ai shtoi se PS i është drejtuar ndërkombëtarëve për të ndjekur devijimin e qëllimshëm të procesit, jo vetëm në zonat e sipërpërmendura, por edhe në Shkodër ku po shfaqen parregullsi shqetësuese.
Islami ka sqaruar gjithashtu se të dhënat që dalin nga projekti Eca-Kriik, janë paraprake, aq më tepër që në gjithë vendin dhe në zona të veçanta ku rezultati luhet në terren shumë të kufizuar kanë mbetur edhe më shumë se 25% e votave pa numëruar. Duke ngritur akuza direkt ndaj Partisë Demokratike, selia rozë ka deklaruar haptazi se komisionerët e saj janë duke sabotuar procesin dhe se po ushtrohet dhunë ndaj komisionerëve socialistë në grupet e numërimit. Nëse kjo fazë spekulimesh vijon, do të ngarkojmë direkt Sali Berishën për prishje të rezultatit zgjedhor tha Islami. Më pas, përfaqësuesi socialist tha se do të informojë ndërkombëtarët edhe për dështimin e situatës mbi procesin e numërimit në Shkodër, ku ka fakte shqetësuese. Edhë zëdhënësja e PS, Armela Imeraj, ka denoncuar hapur dhunën dhe presionin e ushtruar ngaj komisionerëve socialist.
Aktualisht, ka disa qendra numërimi që janë bllokuar nga Partia Demokratike, një kryetar KZAZ për shembull në Tiranë ka dhënë dorëheqjen duke bllokuar procesin. Ndërsa në KZAZ 46, mësuam se po ushtrojnë dhunë, deklaroi Imeraj. Më pas, ajo ka shtuar se procesi i numërimit të votave është bllokuar në Fier, Lushnjë dhe Berat. Të dhënat janë ende të paplota edhe provizore, pasi mbeten edhe 25 % të votave të pa numëruara, jemi ende larg përfundimit të numërimit, tha ajo. Më tej, përfaqësuesja e PS u ka bërë thirrje vëzhguesve ndërkombëtarë që të vazhdojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre pasi momenti i tanishëm i numërimit të votave paraqitet mjaft delikat. U bëjmë thirrje të vijojnë procesin e ndikimit të tyre, pasi cenimi i këtij momenti të veçante, do të cenonte të gjithë procesin. Ne i sigurojmë shqiptarët se nuk do të ketë asnjë votë të vetme të pa numëruar, përfundoi deklaratën e saj zëdhënësja e Partisë Socialiste. Ndërkohë, Menjëherë nga selia blu zëdhënësja e PD për zgjedhjet i është kundërpërgjigjur akuzave të selisë rozë për bllokim të procesit të numërimit. Përgënjeshtroj lajmin e dhënë nga selia rozë. Nuk ka pasur asnjë largim të komisionerëve të numërimit të PD.
Ka pasur moment pushimi për shkak të lodhjes fizike, por më pas procesi ka nisur normalisht, sqaroi zëdhënësja Majlinda Bregu. Më tej Bregu akuzoi PS se kërkon të krijojë probleme dhe se problemet që lindin në KZAZ të zgjidhen konform ligjit. Mos akuzoni dhe mos krijoni zhurmë kot. Kemi qenë korrekt në procesin e votimit dhe të numërimit. Të gjitha problematikat e KZAZ duhen zgjidhur duke respektuar ligjin, tha ajo. Si kundërpërgjigje të logjikës së deklaratave të PS, Bregu tha se në Bushat procesi i numërimit është bllokuar nga kandidati i PS, Tom Doshi. Përkundër deklaratës së socialistëve, ajo ka thënë se janë pikërisht komisionerët e tyre që po pengojnë numërimin. Ajo ka thënë se PD është e vendosur të ndihmojë si parti kryesore që ky proces të mbyllet i saktë, brenda standardeve dhe duke mos krijuar konflikte. Bregu u shpreh e bindur në fitoren e PD në rang kombëtar, por shtoi se për këtë do të presin vendimin zyrtar të KQZ.
************************************************
Islami: Berisha të largojë ministrat nga QNV
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partine Socialiste kërkon që të gjithë të presin me durim rezultatin final të këtij procesi zgjedhor. Duke u përqendruar te rezultati i Tiranës, Islami shprehu kënaqësinë për atë që ai e quajti rrugë drejt fitores se zgjedhjeve. Po ashtu Islami me këtë rast i bëri thirrje kryeministrit Sali Berisha që të tërheqë ministrat e tij nga qendrat e numërimit të votave.Duke marrë vesh rezultatet e fundit, Berisha nuk duhet të reflektoje keqardhjen e tij për humbjen në Tiranë, Fier, Vlorë e Berat, kundrejt Lezhës e Shkodrës, u shpreh Islami.