Amaneti i varrosur i Nënë Terezës dhe Berisha
(Vijon historia e spitalit që nuk e ndërtoi Zoja e Këshillit të mirë)
Marrëveshja e nënshkruar midis qeverisë shqiptare dhe kishës katolike u nënshkrua nga Tritan Shehu në atë kohë Ministër i Shëndetësisë dhe nga imzot Rrok Mirdita, përfaqësues i Kishës Katolike në Shqipëri si dhe në prani të dëshmitarëve Dr.Besim Nuri, Zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Arqipeshkvi Ivan Dias, Nunci Apostolik. Kjo marrëveshje u bë ligj dhe mban numrin 8608, datë 27.4.2000. Ky ligj u miratua në Parlament dhe u dekretua edhe nga Presidenti i Atëhershëm i Republikës, z. Rexhep Meidani.
Ndërkaq entuziazmi për realizimin e amanetit të Nënë Terezës dhe ndërtimin e një spitali modern në Tiranë ishte i lartë. Ky entuziazëm u manifestua edhe në angazhimin e shumë personaliteteve të njohura të kulturës qoftë italianë qoftë shqiptarë, të cilët nisën një fushatë për të mbledhur fonde për ndërtimin e kësaj vepre.
Një nga këto manifestime e ka udhëhequr vetë presidenti i atëhershëm Rexhep Meidani dhe ky manifestim ka pasur si protagoniste këngëtaren e madhe shqiptaro-italiane Ana Oksa. Në një koncert që u organizua në ambientet e godinës që ishte vënë në dispozicion të Fondacionit Zoja e Këshillit të mirë së bashku edhe me terrenin përkatës, u organizua një koncert për mbledhje fondesh.
Ky koncert kryente lidhjen e drejtpërdrejtë me një tjetër koncert që realizohej në Romë për mbledhje fondesh gjithashtu për ndërtimin e spitalit Zoja e Këshillit të Mirë, për përmbushjen kështu të amanetit të Nënë Terezës. Kolegu im, gazetari Benet Koleka kujton gjithashtu se kjo marrëveshje në formë pergameni është hedhur në tokën ku do të ndërtohej spitali në vitin 1995 prej ish-presidentit të atëhershëm, z. Sali Berisha. Ai në fjalën entuziaste që mbajti me rastin e fillimit të punimeve futi nhë themelin e hapur enkas si pergamen edhe amanetin e Nënë Terezës. Mirëpo amanetin duket se e ka tretur dheu, ndryshe nga simbologjia e proverbit popullor shqiptar që thotë se amanetin nuk e tret dheu.
*****
Qeveria shqiptare ishte e vendosur që ky amanet të mbahej dhe spitali të ndërtohej. Angazhimi i saj ishte maksimal. Për këtë ajo vendosi që tokën prej rreth 50 000 metra2 tia shesë Fondacionit me një çmim prej 0.01 lekë. Për këtë qeveria shqiptare shfrytëzoi një VKM me nr. 312, datë 30.06.1994, përkatësisht pikën 12 në të cilën thuhet: Për objektet e interesit publik, si spitale, shkolla, çerdhe, azile, shtëpi fëmijësh etj., që kërkohet të ndërtohen nga institucione, shoqata, fondacione ose persona fizikë e juridikë, këshillat e rregullimit të territorit në rrethe, kanë të drejtë ti propozojnë Këshillit të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë dhe ky i fundit Këshillit të Ministrave miratimin e çmimeve të ndryshme të shitjes apo qirasë së truallit të nevojshëm për këto objekte. Dhe në nenin e mëposhtëm përcaktohet edhe koeficient 10 që pjesëtohet me çmimin.
Dhe kështu më 26.07.2000 hartohet një Kontratë Shitjeje mes shitësit, që në këtë rast është ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Albert Brojka dhe Blerësit, Fondacioni Nostra Signora del Boun Consiglio (Zoja e Këshillit të Mirë).
Është shumë interesante të shihet hyrja e kësaj kontrate në të cilën, mes të tjerash, thuhet se në përgjigje të nevojave imediate të shtetit e popullit shqiptar, mbi bazën e Inisiativës së një Bije të Madhe të popullit shqiptar, Nënë Terezës, dokumentuar me Marrëveshjen datë 28.04.1993, etj. Dhe në kreun tjetër -Çmimi -në këtë akt-shitjeje thuhet : Me anë të kësaj kontrate, shitësi i shet blerësit-Fondacionit Nostra Signora del Boiu Consiglio ose që në shqip quhet Zoja e Këshillit të Mirë sipërfaqen e truallit prej 50 400 m2 kundrejt çmimit 64 990 (gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë) lekë, të miratuar e përllogaritur me koeficientin 0.01 lekë.
Pra, siç shihet pala shqiptare i ka respektuar të gjitha detyrimet dhe vuri në dispozicion gjithçka që kjo vepër të ndërtohej. Mirëpo kanë kaluar rreth njëzet vjet dhe spitali nuk është ndërtuar. Punimet ndërpriten dhe Fondacioni shfaqet si nismëtar i krijimit të Universitit privat- Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të mirë.
Në vitin 2004, pas një hezitimi të ministrit të atëhershëm të arsimit, z. Luan Memushaj, për shkak të debatit që mund të ngjallte cilësori katolik u miratua çelja e këtij universiteti. Edhe në këta rast, në përurimin e çeljes së këtij Universiteti morën pjesë personalitete të larta shqiptare dhe italiane të cilat këto dy iniciativa, pra ndërtimin e spitalit dhe atë të universitetit i shihnin si një e vetme.
Ndërkaq në vitin 2000 ishte realizuar siç thamë më lart Kontrata e shitjes së 50 400 m2 tokë me vlerën 64 990 lekë. Një vit më pas, pra në vitin 2001, me vendim nr 338, datë 23.05.2001 Qeveria shqiptare i jep Kishës Katolike edhe 49 453 m2 të tjera për ndërtimin e kompleksit universitar Universiteti Katolik dhe Qendra e Rehabilitimit dhe e Mjekësisë sportive. Koeficienti i përllogaritjes së çmimit të shitjes së truallit të jetë 0.01 lekë thuhet në këtë vendim. Pra edhe kjo sipërfaqe toke shitet për rreth 60 mijë lekë të reja dhe në tërësi të dyja sipërfaqet pra 100 000 mijë m2 shiten për 130 000 lekë të reja ose afërsisht 1000 euro.
Pasi e bleu edhe këtë sipërfaqe toke, Universiteti katolik shfaqet në vitin 2004 por me emrin Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të mirë dhe në sitin e tij thuhet Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të Mirë (UNIZKM) është themeluar në vitin 2004 dhe përbën një nga nismat e para të arsimit privat në vend.
Përfundim
Që të mos mbash një amanet dhe që të shkelësh një marrëveshje kjo është një gjë e ditur. Në këtë rast Fondacioni Zoja e Këshillit të Mirë është në të drejtën e tij që të bëjë në Shqipëri atë që dëshiron. Mirëpo në qoftë se ai nuk mund ta ndërtojë dot spitalin atëherë qeveria shqiptare duhet të ndërhyjë dhe të zbatojë penalitetet që rrjedhin nga prishja e njëanshme e një kontrate.
Më e pakta toka e dhënë për ndërtimin e spitalit dhe godina që ndërtoi Konti Ferra duhet tu kthehen qeverisë shqiptare. Natyrisht publikut nuk i intereson shumë se çfarë problemesh financiare ka ky fondacion me qeverinë italiane. Kjo është punë për ta. Ne na intereson që të dimë se si veprohet kur një marrëveshje nuk zbatohet. Sa i takon Universitetit Katolik Zoja e Këshillit të Mirë ai është një universitet privat dhe studentët aty paguajnë një tarifë të konsiderueshme shkollimi. Qeveria shqiptare ka menduar ti dhurojë 50 000m2 katrorë tokë për të ndërtuar këtë Universitet dhe deri këtu Fondacioni apo Kisha Katolike që e ka përfituar atë është në të drejtën e saj. Ndërkaq qeveria shqiptare duhet të na shpjegojë se përse nuk e ndjek këtë praktikë edhe për universitete të tjera private përshembull? Po ashtu qeveria shqiptare duhet të na shpjegojë se ky projekt, pra ndërtimi i Universitetit Katolik Zoja e Këshillit të Mirë a ishte pjesë e projektit të madh që përfshinte kompleksin spitalor dhe universitetin apo ishte thjesht një nismë private?
Më në fund jo për supersticion, por kur mendon se në at
