E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saimir Tahiri zgjidhet në krye të PS-së për Tiranën

Tahiri mori 390 vota nga anëtarët e Asamblesë së zgjeruar të PS-së, kundrejt 195 të rivalit Ilir Zela. 6 vota u shpallën të pavlefshme.

Saimir Tahiri mbante postin e kryetarit të komanduar të PS-së së kryeqytetit, pas dorëheqjes së kryetarit të mëparshëm, Besnik Bare, fill pas zgjedhjeve të 8 majit 2011.

(12:19) Sot zgjidhet kreu i PS-së për Tiranën, Rama: Zgjedhje model!

Tiranë – 620 anëtarët e Asamblesë së zgjeruar të Partisë Socialiste në Tiranë po votojnë tani për kryetarin e ri të partisë për këtë qytet.

Për postin e Kryetarit të Partisë Socialiste për Tiranën kandidojnë Saimir Tahiri, i cili aktualisht është kryetar i komanduar për Tiranën, dhe Ilir Zela. Postin e kryetarit të Partisë Socialiste për Tiranën më parë e mbante Besnik Bare, i cili u dorëhoq pas zgjedhjeve të 8 majit.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shkroi në rrjetin social “Twitter” se “Votimi i sapo nisur do japë me qetësi e vullnet demokratik rezultatin ku fituese e padiskutueshme del Partia Socialiste e Tiranës, Model për gjithë Shqipërinë.”

Duke e quajtur procesin transparent, etik dhe gjithëpërfshirës, Rama tha se janë prezantuar “Dy platforma dinjitoze, energji pozitive dhe frymë e shëndetshme bashkimi për vizion për një Rilindje Shqiptare”.

Gjatë prezantimit të platformës së tij, Tahiri tha se jam rritur mes njerëzve të përkushtuar dhe të palodhur, me suksese dhe dështime me forcën për të ecur përpara. “Ja ku jam para jush, ku ju kërkoj që të më besoni për drejtimin e PS-së, me besimin për të ndërtuar një parti model dhe për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Me besim dhe vullnet gjërat ecin përpara”.

“Kjo garë më dha mundësinë të njoh veten, të dëgjoj dhe shoh më shumë. Sot është gara jonë, e gjithësecilit prej nesh, gara jonë me veten, për të besuar me shokët dhe kolegët, për fitoren e përbashkët, për tu organizuar më mirë. Ne bashkë mund të ndërtojmë një parti fituese, ne bashkë mund dhe duhet të ndërtojmë një parti që të komunikojë me qytetarët dhe të kthejë në aksion politik ato që mendojnë qytetarët”, shtoi Tahiri.

Ndërsa kandidati tjetër,  Ilir Zela tha se “arsyeja e kandidimit tim lidhet me propozimin e shumë prej jush. Falënderoj të gjithë që besojnë kandidaturën time. Do kontribuoj për të mirën e vendit tonë dhe fitoren e Partisë tonë. Detyra jonë është të forcojmë organizatat.  Të bëjmë socialistin e thjeshtë pjesëmarrës të detajimin e programit të PS-së”.

Pas zgjedhjes së kryetarit të partisë Socialiste për Tiranën, do të zgjidhen edhe drejtuesit lokalë të kësaj partie në 117 njësitë anekënd vendit./Start/

                                                                                             2012-03-03 15:28
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›