E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada Go West, 68 vjet burg dhe 65 mln lekë gjobë

 

Krimet e Rënda shpallin fajtorë falsifikatorët që dërgonin klandestinë në 24 vende të botës

TIRANË- Gjykatës së Krimeve të Rënda iu deshën 78 seanca gjyqësore për t’u bindur mbi fajësinë e grupit “Go West”, i cili trafikonte klandestinë me dokumente false në 24 shtete të botës. Pesëshja gjykuese e kryesuar nga Marsela Balili, pas dëgjimit të pretendimeve të palëve në proces, vendosi deklarimin fajtorë të nëntë të pandehurve dhe dënimin e tyre në total me 68 vjet burg e 65 milionë lekë të reja gjobë. Sipas gjykatës, të pandehurit janë fajtorë për kryerjen e një numri jo të vogël akuzash të falsifikimit, që nga dokumentet zyrtare, pasaportat, vulat, dokumentet e gjendjes civile të gjitha këto në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Sipas vendimit, ideatori dhe organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal është i pandehuri Nikolin Cako, pronari i agjencisë “Go West” që pajiste me viza dhe pasaporta të 24 shteteve të botës kundrejt shumave të ndryshme parash. “I pandehuri Nikolin Cako gjatë ushtrimit të punës së tij si administrator i agjencisë “Go West” ka rekrutuar në grup edhe ish-efektivët e policisë së Rinasit, të cilët kundrejt shpërblimeve me para kalonin klandestinët e pajisur me dokumente të udhëtimit nga “ambasada” “Go West” që ndodhej në rrugën e Durrësit, shumë afër vilave të ambasadave të huaja”-thuhet në vendimin e togave të zeza, të cilët liruan nga akuza e grupit të strukturuar kriminal bashkëshorten e Nikolin Cakos, Valbonën, dhe të pandehurin tjetër, Voltan Turtullin. Ndërkohë, tre javë më parë, prokurori i çështjes, Behar Dibra, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare të akuzës, kërkoi nga gjykata deklarimin fajtorë të nëntë të pandehurve dhe dënimin e tyre në total me 77 vjet burg dhe 80 milionë lekë të reja gjobë. Ndërsa, gjatë leximit të pretendimeve përfundimtare të mbrojtjes, disa nga avokatët kërkuan masa më të buta për klientët e tyre, ndërsa disa të tjerë pafajësi. Kështu, pas leximit të vendimit të djeshëm, asnjë nga të pandehurit nuk ka reaguar, duke dalë nga salla e gjyqit në mënyrë të qetë. Sipas vendimit, i pandehuri Nikolin Cako në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë, organizonte kalimin e paligjshëm të kufirit të shtetasve të ndryshëm, duke i pajisur me viza, pasaporta e dokumente të tjera të udhëtimit të falsifikuara, kundrejt pagesave që varionin nga 3 mijë euro deri në 16 mijë euro.F.Vezaj

VENDIMI:

Nikolin Caka , 10 vjet dhe 8 milionë lekë gjobë

Eduart Bejko, 11 vjet dhe 800 mijë lekë gjobë

Voltan Turtulli, 5 vjet dhe 6 milionë lekë gjobë

Valbona Cako, 5 vjet dhe 6 milionë lekë gjobë

Avdi Leka, 6 vjet burg, 9 milionë lekë gjobë

Eljano Cenko, 10 vjet dhe 8 milionë lekë gjobë

Altin Flamuri, 10 vjet dhe 8 milionë lekë gjobë

Perparim Kateshi. 5 vjet dhe 6 milionë lekë gjobë

Selman Murati, 6 vjet burg, 6 milionë lekë gjobë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›