E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parkimi privat rrit tarifat për makinat e bllokuara

 

Policia e Tiranës bën publike tarifat e reja për parkimin. Kush nuk paguan gjobat, rrezikon të humbasë makinën

TIRANË- Ndërtimi i një parkimi privat për automjetet e bllokuara nga policia rrugore ka sjellë rritjen e tarifave për drejtuesit e automjeteve. Ditën e djeshme, policia e Tiranës ka bërë të ditur rritjen e çmimeve që do të paguajnë qytetarët për parkimin e automjeteve të tyre, që u janë bllokuar nga policia rrugore. Fakti që shumë kundërvajtës nuk paguajnë parkimin dhe mjeti i tyre qëndron për një kohë të gjatë në parkingun e komisariatit ka detyruar policinë të mos tolerojë, duke ndëshkuar vonesat. Kështu, kundërvajtësi duhet të paguajë brenda 5 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë. “Pas kalimit të këtij afati, për çdo vonesë, paguhet me 2 për qind kamatë deri në një muaj. Ndërsa kur gjoba nuk paguhet ose nuk nxirret dot nga të ardhurat e shkelësit, për rastet e drejtuesit të mjetit me motor, bëhet ndalimi i mjetit deri në tre muaj dhe pas këtij afati kryhet shitja e mjetit në ankand, duke i dhënë diferencën në lekë shkelësit”- thuhej në deklaratën e policisë së Tiranës.

Tarifa e re e parkimit

Nga data 27 korrik e këtij viti, shkelësit e kodit rrugor do të paguajnë më shumë para për parkimin e automjetit të tyre, në pikat e bllokimit të komisariatit të policisë rrugore. Policia e kryeqytetit deklaroi dje se bazuar në udhëzimin e përbashkët, midis Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme, përmes shërbimit të Qarkullimit Rrugor Tiranë, kanë ndryshuar tarifat për mjetet e bllokuara, të cilat ndodhen të parkuara në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë. Kështu për ditët e qëndrimit të mjeteve të bllokuara në ambientet e policisë, tarifat standarde do të jenë për parkimin e motorit në shumën prej 200 lekë në ditë, për veturë në shumën prej 500 lekë, për kamion ose fugon më pak se 3.5 ton do të jetë në 700 lekë, për kamion dhe autobus 12 +1 vendesh nga 3.5 ton deri në 10 ton do të jetë në shumën prej 1000 lekësh. Gjithashtu, tarifë e re është përcaktuar edhe për shërbim transporti për mjetet e bllokuara nga shërbimi i qarkullimit rrugor. Deri tani, karroatreci u kushtonte pronarëve të makinave 3 mijë lekë të reja, ndërsa tarifa e re do të jetë 4 mijë lekë. Megjithëse është deklaruar se karroatrecët janë pronë private, Ministria e Brendshme ka ndryshuar tarifën edhe për ta. Burime nga policia thanë se do të ndërtohet një pikë parkimi privat ku do të qëndrojnë automjetet e bllokuara nga policia rrugore. Për ndërtimin e kësaj pike do të hapet një tender.

Masat

Jo vetëm ndryshimi i tarifës që duhet të paguajnë shkelësit e kodit rrugor për çdo ditë parkim të automjetit të tij në komisariat, por policia ka vendosur të mos tolerojë neglizhencën e shoferëve. Policia e Tiranës deklaroi se qytetarët, të cilët kanë mjete të bllokuara në ambientet e komisariatit të Policisë Rrugore, të përshpejtojnë pagesat dhe detyrimet e tyre financiare të parkimit të mjeteve të bllokuara. Brenda pesë ditëve nga momenti i bllokimit shkelësi duhet të paguajë parkimin, në të kundërt do të ketë një kamatë e cila do të jetë në rritje deri në një muaj. Kur qytetari sërish nuk paguan, atëherë policia do të ndalojë mjetin për tre muaj dhe pas këtij afati mjeti do të dalë në ankand. “Në të gjitha rastet e parashikuara me gjobë, arkëtimi i vlerës do të bëhet brenda 5 ditëve në zyrat administrative të përcaktuara që kanë të bëjnë me zyrat e hapura nga Posta Shqiptare. Të ardhurat nga gjobat për shkeljet e parashikuara nga ky kod i kalojnë në masën 60 për qind organit që ka verifikuar shkeljen. U bëjmë thirrje qytetarëve debitorë të shlyejnë detyrimet e tyre për mjetet e bllokuara, të cilat ndodhen të parkuara në ambientet e komisariatit të Policisë Rrugore, pasi çdo ditë qëndrimi dhe vonese është në dëmin financiar të tyre” -thuhej në deklaratën e lëshuar ditën e djeshme nga Drejtoria e Policisë së Tiranës.

Tarifat e reja për makinat e bllokuara

Tarifa e parkimit për motor ka qenë 100 lekëbëhet200 lekë

Tarifa e parkimit për veture ka qenë 300 lekëbëhet500 lekë

Tarifa e parkimit për kamion ose fugon ka qenë 500 lekëbëhet 700 lekë

Tarifa e parkimit për kamion ose autobus ka qene 700 lekëbëhet 1000 lekë

Tarifa e parkimit për kamion dhe autobus 50 +1 vendesh mbi 10 ton, ka qenë 1000 lekë bëhet 1500 lekë

Transporti i automjetit nga karroatreci ka qenë 3000 lekë bëhet 4000 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›