Ambasada SHBA mbështet protestën: Ruani qetësinë
TIRANE- Ambasada Amerikane në Tiranë është shprehur sot në mbështetje të
protestës së opozitës për hapjen e kutive dhe transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Përmes një deklarate për shtyp, Ambasada Amerikane thekson se mbështet të drejtën e tubimit dhe të drejtën e njerëzve për t'u shprehur.
Duke u bërë apel shqiptarëve të ruajnë qetësinë, ambasada kërkon që protesta të jetë paqësore dhe të mos cenohen të drejtat e të tjerëve.
"Ambasada amerikane mbështet plotësisht të drejtën për lirinë e shprehjes dhe tubimit për të gjithë njerëzit. Një shprehje e tillë duhet të jetë paqësore dhe të mos cenojë të drejtat e të tjerëve", thuhet në deklaratë, ku shtohet se "Si ata që marrin pjesë në protesta, por edhe ata që kanë përgjegjësi të ruajnë rendin publik, duhet të ushtrojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre me qetësi dhe respekt", përfundon deklarata.