Të papunët s'duan punë, hiqen nga ndihma ekonomike
GJIROKASTËR - Rreth 35 persona në Gjirokastër do të largohen nga lista emërore e përkrahjes ekonomike. Zyra Rajonale e Punësimit është duke përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për t'i nxjerrë nga kjo listë këta të papunë. Shkaku është i thjeshtë, refuzojnë punën. Duke qenë të regjistruar në Zyrën e Punësimit është bërë e mundur gjetja e një pune në firma private për ta, por kanë refuzuar.
Në bazë të marrëveshjes që Zyra e Punësimit ka lidhur me bizneset e zonës, mjaft prej këtyre të fundit kanë pasur nevojë për fuqi punëtore dhe kanë shpallur vende të lira pune, por shumë pak persona kanë preferuar të shkojnë të punojnë. "Numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në zyrat tona ka ardhur në ulje të vazhdueshme gjatë kohëve të fundit, por është për t'u shqetësuar fakti se shumë biznese kërkojnë të punësojnë njerëz të profesioneve të ndryshme, të moshave të ndryshme dhe për fat të keq pjesa më e madhe e punëkërkuesve të papunë nuk pranojnë, me pretekste nga më absurdet. Kështu që, pasi t'i kemi lajmëruar 2-3 herë këta punëkërkues të papunë, ne jemi të detyruar të marrim masa që t'u ndërpritet ndihma ekonomike", shprehur drejtori rajonal i punësimit, Adriatik Islami.